• |
ide | kryesore

Si lulëzuan ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme në pandemi, rritet numri i bizneseve dhe shitjet

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Shumë sektorë u vunë në vështirësi në vitin 2020, si rrjedhojë e karantinës së fortë në mars-maj, dhe më pas të kufizimeve më të lehta që vijuan deri në fund të vitit. Qindra prej tyre nuk arritën që të përballojnë krizën e konsumit, duke mbyllur aktivitetin. P.sh., aktivitetet e shërbimeve të ushqimit dhe pijeve ranë me 4.3%, shërbimet e tregtisë me pakicë dhe shumicë u tkurrën me 2-3%, shërbimet e agjencive të udhëtimit me -9.3%.

Të dhënat e INSTAT për numrin e bizneseve sipas aktiviteteve ekonomike tregojnë se krizën nuk e kanë ndier ndërtimi dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme, që kanë rritur si qarkullimin vjetor ashtu dhe numrin e subjekteve të reja të hapura në 2020-n.  Që prej vitit 2017, këta dy sektorë po rriten me shpejtësi, në linjë dhe me rritjen e lejeve të ndërtimit, kryesisht në kryeqytet. https://www.monitor.al/nuk-ndalet-vrulli-i-ndertimeve-dyfishohet-siperfaqja-e-re-e-lejeve-ne-tirane-ne-janar-mars-2021/

Në fund të vitit 2020, në vend kishte 5,060 ndërmarrje aktive në sektorin e ndërtimit, që është numri më i lartë i regjistruar në këtë sektor, të paktën që nga viti 2015, kur raportohen të dhënat. Që nga viti 2017, kur dhe filloi vrulli i ndërtimeve, kryesisht në kryeqytet, subjektet në sektorin e ndërtimit janë rritur me shpejtësi. Ndonëse në pandemi, në 2020-n u shënua dhe numri më i madh i ndërmarrjeve aktive të regjistruara gjatë atij viti, me 861 subjekte të reja.

Burimi: INSTAT

Burimi: INSTAT

Aktiviteti i pasurive të paluajtshme është një tjetër sektor që nuk e ka ndier krizën. Numri i subjekteve aktive ishte në 933 në  fund të 2020-s, me një rritje prej 4.1% në krahasim me vitin e mëparshëm, duke arritur nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë.

Burimi: INSTAT

Aktiviteti i pasurive të paluajtshme arriti në 2020-n nivelin rekord, me vlerën e Prodhimit të Brendshëm Bruto në këtë sektor që ishte 850 milionë euro, duke shënuar sektorin me ecurinë më të mirë gjatë krizës pandemike të 2020-s. Që nga 2017-a, qarkullimi i këtij sektori ka ardhur në rritje të fortë, duke përbërë 6.6% të PBB-së në 2020-n, nga 5.6% në 2017.

Burimi: INSTAT

Si ndërtimi, ashtu dhe pasuritë e paluajtshme ishin kontribuuesit kryesorë të ecurisë ekonomike në 2020-n, duke “shpëtuar” vendin nga një rënie e fortë ekonomike gjatë krizës.

Sipas të dhënave të INSTAT, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB), që llogarit vlerën e mallrave dhe shërbimeve përfundimtare të prodhuara nga ekonomia në një periudhë të caktuar, në vitin 2020 ishte 1.61 trilionë lekë (gati 13 mld euro), nga 1.68 trilionë lekë në 2019-n, duke u tkurrur me -4.2% në vlerë nominale dhe -3.3% në vlerë reale (duke llogaritur dhe deflatorin e PBB-së, prej -0.9%, që është negativ, ndonëse inflacioni mesatar në 2020-n ishte 1.6%!).

Të dhënat e detajuara vjetore të INSTAT, të përpunuara nga “Monitor” tregojnë se nga 11 aktivitete kryesore ekonomike, vetëm 3 prej tyre ishin me rritje, “pasuritë e paluajtshme”, “ndërtimi” si dhe “Administrata publike; arsimi; shëndetësia”. Të gjithë sektorët e tjerë ishin me rënie, më e fortë në grupin “Tregtia; transporti; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor”, që vuajtën direkt pasojat e kufizimeve dhe ndalimit të udhëtimeve, si dhe në industri. https://www.monitor.al/ekonomia-humbi-560-milione-euro-nga-pandemia-grafiku-si-e-shpetoi-rritjen-pastrimi-i-parave/ 

/ O.Liperi Monitor

Burimi: INSTAT 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *