• |
ide | kryesore

India miraton vaksinën e parë të ADN-së në botë kundër Covid-19

-Instant, Lajme, Planet



Rregullatori për ilaçe në Indi ka miratuar vaksinën e parë të ADN-së në botë, për përdorim emergjent kundër koronavirusit. Vaksina që duhet të merret me tri doza, ZyCov-D, ka parandaluar simptomat e sëmundjes në 66 për qind të personave të vaksinuar, ka treguar një studim që është cituar nga kompania prodhuese, Cadila Healthcare.

Kompania planifikon të prodhojë 120 milionë doza të vaksinës në vit. Vaksinat paraprake të ADN-së kanë funksionuar mirë në kafshë, por jo në njerëz. India deri më tani ka dhënë më shumë se 570 milionë doza të vaksinave të miratuara – Covishield, Covaxin dhe Sputnik V.

Rreth 13 për qind e të rriturve janë vaksinuar plotësisht dhe 47 për qind kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës, prej nisjes së fushatës së imunizimit në muajin janar. Kompania Cadila Healthcare, ka thënë se ka kryer testimet më të mëdha klinike për vaksinën në Indi, duke përfshirë 28,000 vullnetarë në më shumë se 50 qendra. Vaksina, sipas kompanisë, ka qenë e sigurt dhe e tolerueshme edhe te fëmijët.

Faza e tretë e testimeve klinike është kryer në pikun e valës së dytë vdekjeprurëse të pandemisë. Kompania prodhuese beson se vaksina “është efikase edhe kundër varianteve” të koronavirusit, përfshirë atë tejet ngjitës, Delta. Kjo është vaksina e parë e ADN-së kundër koronavirusit.

ADN dhe ARN janë molekula që bartin atë informacion gjenetik, i cili transmetohet nga prindërit te fëmijët./Rel



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *