• |
ide | kryesore

“Derisa vdekja të na ndajë”/ Vrasjet horror të grave dhe vajzave në muajt e fundit

-Instant, Arkiva, Kryesore, Lajme

Vrasjet makabër të vajzave dhe grave shqiptare në muajt e fundit janë paraprirë gjithnjënga histori dhune dhe presionesh të vazhdueshme nga partnerët apo familjarët e tyre. Ekzekutimet kanë ndodhur kur ato janë rebeluar dhe bërë përpjekje për t’u ndarë, kur kanë kundërshtuar, apo pasi kishin kërkuar ndihmën, që nuk u erdhi kurrë, në polici. Fëllënzën, i shoqi e dogji të gjallë brenda në makinë,  Sabrinën e qëlloi me automatik ndërsa hante bukë, Menturies i gjuajti me sopatë në kokë, Liljanën e vrau me breshëri automatiku kur doli nga gjykata e kështu me radhë, historitë janë të ngjashme për nga detajet horror që përmbajnë.


Por megjithëse zënë titujt kryesorë në media për ditë më radhë, megjithëse ligjet për krimin në familje janë ashpërsuar, megjithëse janë 12 ministreve gra dhe vajza në qeveri, jeta e grave dhe vajzave në Shqipëri është ajo që ndërpritet në mes.


Shoqëria vazhdon të rrisë vrasës, ndërsa shteti ka dështuar në parandalimin e ngjarjeve fatale, që thuajse gjithnjë janë akti i fundit i një zinxhiri rrahjesh dhe poshtërimesh të vazhdueshme.

Lapsi.al sjell më poshtë historitë e përmbledhura të 7 jetëve të humbura në muajt e fundit, të grave dhe vajzave që tentuan të rebelohen dhe për këtë patën një fat tragjik.

Fëllënxa Rrasa

Dëshmia e vëllait të Fëllënxa Rrasës, e vrarë nga bashkëshorti i saj në 18 shtator zbuloi një histori dhune, të cilën policia e Divjakës nuk e ndali, as e llogariti se do të përfundonte në mënyrë tragjike. Fëllënxa ishte larguar më parë nga shtëpia, pasi bashkëshorti, Hekurani e dhunonte dhe e kërcënonte se do ta vriste me armën e gjahut. Ajo madje i kishte fshehur plumbat nga frika se do t’i merrnin jetën.

Vëllai i saj tregoi se kishte shkuar në polici për të denoncuar kunatin, por policët e Komisariatit të Divjakës kishin refuzuar t’i merrnin denoncim, megjithëse ai u kishte thënë se Hekurana Rrasa mbante armë në shtëpi.

“Më tregoi babai që e kishin gjetur 2 herë nga këtu e deri poshtë të rrahur me gjak. Unë i kam marrë vesh më mbrapa. S’ma pranuan denoncimin. Thanë nuk t’i marrim përsipër. Duhet të vijë motra jote të bëjë denoncimin në polici” tha Klement Muça, vëllai i gruas së vrarë.

Me gjithë rrahjet, gruaja kishte pranuar të kthehej në shtëpi për hir të të birit. Ditën e fundit, 58 vjeçari ia vendosi tytën e armës poshtë mjekrës dhe e qëlloi për vdekje. Më pas vrau edhe veten.

Sabrina Benga

Historia e Sabrina Bengës në Fier është po aq e dhimbshme. 23-vjeçarja u largua nga shtëpia e të shoqit, Elton Metaj pasi mësoi për një marrëdhënie jashtëmartesore të tij. I armatosur me një Kallashnikov ai mori peng të gjithë familjen e saj. Eltoni përfundoi në burg për pengmarrje, por mjekët lëshuan një vërtetim sipas të cilit ai ishte i sëmurë mendor dhe pas 8 muajsh u la i lirë. Mbrëmjen e 10 shtatorit ai shkoi në shtëpinë e Sabrinës dhe e vrau në sy të familjarëve.

“Fajin e kanë gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar që nxjerrin të tillë njerëz kriminelë që sot bëri hatanë e madhe. Mua me tha nusja për ngjarjen. Madje me kishte kërkuar dhe mua për të vrarë. Ai ishte një frikacak që të vriste pas krahëve, trimi del përballë. Ishte mamaja në momentin e ngjarjes. Motrën e vrau kur po hante bukë, sa u kthye nga puna. Motra ndërroi jetë në vend, plumbi e kishte kapur në mushkëri”– tregoi vëllai i viktimës.

Menturie Bici

Menturie Bici u vra në fshatin Dragostunjë të Librazhdit nga bashkëshorti i saj, Qemali. Ky dyshonte se gruaja e tradhëtonte, ndaj e goditi me një sopatë në kokë. Trupi i saj u gjet i gjymtuar. Pas krimit, 56-vjeçari vari veten në një pemë.

Çifti Bici ishin prindër të katër fëmijëve, ndërsa në momentin kur ndodhi krimi kanë qenë të vetëm në banesë.

Klarita Ismalaja

45-vjeçarja Klarita Ismalaja u vra me goditje të vazhdueshme të thikës nga bashkëshorti i saj në Bubq të Krujës.
Çifti jetonte prej vitesh në Tiranë me dy djemtë dhe nënën e autorit. Prej muajsh kishin pasur konflikte te vazhdueshme. Drejt Krujës kishin udhëtuar për shitjen e një shtëpie, por në debat e sipër, brenda në makinë burri ka sulmuar me thikë, duke e qëlluar derisa e vrau përfundimisht.

Pasi vrau bashkëshorten, 51 vjeçari qëlloi disa herë edhe veten në kushte të rënda psikologjike, por arriti të mbijetojë në spital.

Diana Vuka

Diana Vuka kishte vite që kujdesej për vëllain e saj, Fabianin. Nga Gjermania ku jetonte dhe punonte, i dërgonte rregullisht para. Marrëdhënia mes tyre u acarua kur gruaja vendosi që të kursente për një shtëpi të saj në Velipojë. 55-vjeçari, i papunë dhe në varësi ndaj alkolit, i kërkoi më shumë para, duke ditur se motra e tij po kursente për shtëpinë në bregdet. Kur ajo refuzoi, ai e qëlloi për vdekje me një armë që mbante në shtëpi në fillim të qershorit. Trupin e pajetë të së motrës, e mbajti në dhomë për dy ditë. Banorët e zonës treguan se nuk e kishin besuar Fabianin e dehur, kur u thoshte “kam vrarë motrën, e kam në shtëpi të vdekur”. Një ditë më pas, policia e Shkodrës i shkoi në shtëpi dhe gjeti trupin e pajetë të Diana Vukajt dhe pistoletën me silenciator me të cilën ishte kryer krimi.

Liljana Buzo

Liljana Buzo u paraqit në gjykatë më 6 Maj për një nga seancat e divorcit me të shoqin. 54-vjeçarja donte të ndahej nga burri i saj, Koço Buzo pas një historie të gjatë dhune në familje. Nënën e 3 fëmijëve që dilte nga gjykata e Elbasanit e priste Koço Buzo. Fillimisht e qëlloi gruan me thikë, pastaj me breshëri Kallashnikovi, duke e lënë të vrarë në mes të rrugës.

Persona të rastit në rrugë e neutralizuan. Pas krimit 58-vjeçari tha se gruaja donte që të ndahej prej tij dhe këtu kishte nisur zanafilla e konfliktit. Ai tha se e kishte paralajmëruar bashkeshorte të mos shkonte në gjykatë, por ajo nuk e dëgjoi.

Fëllënza Shirja
Një makinë që digjej në fshatin Manskuri të Kavajës u gjet nga banorët përreth, mëngjesin e të shtunës në 9 Prill. Flakët ishin ndezur për një krim makabër gjatë natës, që më pas do të trondiste të gjithë zonën. Brenda në atë makinë ishte mbyllur dhe më pas ishte djegur e gjallë Thëllënza Shirja, një grua 45 vjeçare, që prej dy muajsh ishte në procedura divorci me të shoqin. Pak metra më tej ishte vetëvarur bashkëshorti i saj, Bilbili.

Irvana Hyka

Vetëm 28 vjeç, ajo u vra nga bashkëshorti i saj, Demokrat Medinaj. Nënë e dy fëmijëve u
godit disa herë më thikë derisa ndërroi jetë. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 17:20 në shtëpinë e çiftit në fshatin Sheq i Madh të Fierit.
Në shtëpi ndodheshin edhe dy fëmijët e mitur të çiftit.
Shkak i kësaj ngjarjeje të rëndë mendohet se ka qenë një sherr i momentit mes çiftit. Pas krimit, 29-vjeçari Medinaj u largua nga vendi i ngjarjes. Ai u gjet i vetëvrarë në fushën e mbetjeve të Fierit.

Sanije Bandulla

Në gusht të këtij viti, një cift të moshuarish u gjetën të vrarë në shtëpinë e tyre në Shkodër. Burrë e grua kishin një histori dhune të gjatë, për të cilën gruaja kishte kërkuar ndihmë në polici, por nuk ishte dëgjuar. Sanije Bandulla ishte rrahur tre herë brenda dy javësh nga bashkëshorti i saj. Policia nuk kishte marrë asnjë mase, megjithëse ajo ishte ankuar dhe kishte bërë denoncim. Trupat e tyre u gjetën në 18 Gusht, pasi fqinjët lajmëruan policinë, por mendohet se kishin vdekur disa ditë më parë./Lapsi.al

8 Comments

  1. Ne jemi bër si Talibanet… Poshte mentalitet Otomane Turke se pse nuk po na len të shofim dite kurre … Duhe fidhuare që në shkolle me kalamjet per të tjetersuare mentalitet Turko Otomane Talibane komuniste ose ne për ndryshe do shuhemi si kombe se pse shumica po ikune në Perndime Jo veq nga varfrija por edhe nga mentalitet i mallkume Turke Otomane Talibane komuniste qe kemi ne si shoqri… Nga Shqiprija po ikune edhe myslimanet edhe pse shumica e tyre i thone vetes Turqe.. Por kure largohene nga Shqiprija mundohen të bëhen të cilivizume e Evropjane …

  2. Nuk jemi as te paret e as te fundit ne bote per kete fenomen. Jemi pak a shume si gjithe te tjeret rrotull nesh. Ajo qe harrojne te na thone OJF-te e Sorosit qe i mbyt “puna” vetem kur shkrehet arma, eshte qe burrat shqiptare ne shifra shume me alarmante dhe per arsye ne mjaft raste shume me minore se ato qe i cojne tek vrasja e bashkeshorteve, vrasin njeri-tjetrin. Vrasja e partnereve, krimet e pasionit do te ekzistojne gjithmone, dhe ne mazhorance do t’i bejne burrat sepse burrat bejne cdo krim tjeter ne mazhorance. Megjithese duhet thene qe ligesia nuk ka gjini dhe vrasjen me te perbindshme te viteve te fundit e beri ajo qe vrau vjehrrin dhe vjehrren, i copetoi e i futi ne valixhe.
    Tani te thuash qe vrasja e grave vjen nga urrjetja ndaj grave eshte si te thuash qe vrasja e prinderve vjen nga urrejta ndaj pleqve. Cdo vrasje ka rrethana specifike, njerez specifike dhe nese do bejme diskutim serioz do te na duhet te shkojme pertej kategorizemeve e klisheve idiote te sponzorizuara nga OJF-te me axhende dhe dashamiresit apo rrogetaret e tyre ne media. Viktimat jane individe, fajtoret jane individe, kaq. Sigurisht nese ka masa te arsyeshme per te ndaluar kete lloj krimi si cdo lloj krimi duhen ndermarre. Them te arsyeshme, sepse para ca muajsh nje nga keto OJF-te ne menopauze ne Angli propozoi qe te vendoset ndalim qarkullimi per te gjithe burrat pas ore 6 pasdite. Duke pas parasysh se ke ftojne ne debat ngjarje te tilla histeria eshte e pashmangshme.

  3. Pse as njeri, as tjetri nuk zbulojne permbajtjen e dosjes per demokratet qe ata te gjykojne vete mbi te?!

    Pse nuk u japin mundesine demokrateve qe te krahasojne permbajtjen e dosjes me ate qe ata kane degjuar, lexuar, dine dhe perjetuar vete si bashkudhetar te doktorit?!

    Keshtu eshte me mire per te gjithe, se zbulohet shpejt e verteta.

  4. Nuk përmbahet dot/ I moshuari “betohet” para Berishës: Mos vdeksha pa të parë edhe njëherë në krye të PD-së,të lumte o salibani salih se i kujtove ketyre shpellkareve sa shume e ke dashur enverin o Qen serb

  5. Diplomatët e SHBA nisën të diferenconin Bashës nga Berisha që në vitin 2011. Në 2013 e krahasuan rrëzimin e Berishës nga pushteti me përmbysjen e Ramiz Alisë. Beteja kulmoi me shpalljen non grata në 19 maj 2021 dhe me kërkesën e Rekeer ndaj Bashës për ta dëbuar Berishën nga PD-ja.

  6. Kemi humbur fabrikat, fermat, parqet dhe shkollat…, që u ndërtuan për gjysmë shekulli por i rrënuam në një minutë. Kemi humbur pronat dhe pronësinë. Kemi humbur kursimet dhe mendjet në skemat piramidale. Kemi humbur qetësinë e fëmijëve dhe butësinë e njeriut familjar nëpër kallashë e molotovë… Të gjitha në tre dekadat e fundit.

  7. Shkaku i te gjitha vrasjeve eshte varferia e tejskajshme qe ka pllakosur shume familje. Dihet qe kur skamja hyn nga dera, dashuria arratiset nga penxherja.
    Faji e ka vetem mungesa e shtetit.
    Ne skemi shtet dhe per rrjelloje as polici.
    Te gjitha te tjerat qe mund te thuhen, per shumicen e rasteve jane fjale boshe…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu