• |
ide | kryesore

Lufta në Ukrainë/ Pse oligarku Roman Abramovich mund të jetë çelsi për zgjidhjen e krizës

-Instant, Arkiva, F1, Planet



Roman Abramovich është një nga oligarkët më të çuditshëm post-sovjetikë, i cili vështirë se duket i përshtatshëm për të qenë një negociator paqeje në luftën ruso-ukrainase.

Miliarderi 55-vjeçar njihet si një i vetmuar që mezi bën kontakt me sy në bisedë.

Abramovich fitoi pasurinë e tij gjatë tranzicionit të Rusisë në kapitalizëm në vitet 1990 dhe mori një fuqi të madhe pas fronit të Kremlinit të Boris Yeltsin, presidenti i parë post-sovjetik i Rusisë që zgjodhi Vladimir Putinin si kryeministër dhe pasardhës të tij në vitin 2000.

Gjatë mandateve të para të Putinit, Abramovich qeverisi rajonin Chukotka, një rajon siberian i mbuluar nga ngricat e përhershme, popullsia e të cilit prej më pak se 50 mijë personash mund të futej lehtësisht në një nga stadiumet ku luante Chelsea, klubi anglez i futbollit që ai bleu në 2003.

Abramovich vendosi të shesë klubin në fillim të këtij muaji pasi Londra dhe Bashkimi Evropian e sanksionuan atë dhe ngrinë asetet e tij për “qasjen e tij të privilegjuar” te presidenti rus Vladimir Putin, që e ndihmoi atë “të ruante pasurinë e tij të konsiderueshme”.

Të martën, Abramovich u pa duke marrë pjesë në bisedimet e paqes midis Moskës dhe Kievit, më shumë se një muaj pasi Rusia pushtoi Ukrainën, në Stamboll, ku u takua me Presidentin Rexhep Tajip Erdogan.

Ky takim erdhi disa ditë pas pretendimeve të paverifikuara për helmimin e tij. Sipas ëall Street Journal, Abramovich dhe të paktën dy anëtarë të lartë të ekipit negociator ukrainas dyshohet se u helmuan, dhe kishin sy të skuqur, lot të vazhdueshëm dhe të dhimbshëm dhe rënie lëkure në fytyrat dhe duart e tyre. Megjithatë, ky pretendim u hodh poshtë shpejt nga zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës.

Në lidhje me rolin e tij si ndërmjetës, Genadi Gudkov, një lider i opozitës ruse në mërgim, i cili shërbeu tre mandate në Dumën ruse, dhoma e ulët e parlamentit të Rusisë, i tha Al Jazeera: “Ai ka një dhunti fantastike për të parë të ardhmen, ka aftësi të veçantë për ta parashikuar atë.” 

Ukraina gjithashtu thuhet se ka një pikëpamje pozitive për Abramovich.

ëall Street Journal raportoi më 23 mars se Presidenti Zelenski i kërkoi në mënyrë specifike Presidentit amerikan Joe Biden që të mos e shtonte Abramovich në listën e oligarkëve rusë të sanksionuar sepse ai “mund të jetë i rëndësishëm si një ndërmjetës me Rusinë në ndihmën për të negociuar paqen”. 

Gazeta citoi “njerëz me njohuri” për telefonatën Zelenski-Biden që u zhvillua në fillim të marsit.

Shërbimi i shtypit i Zelenskit nuk ishte i disponueshëm për të komentuar pjesëmarrjen e Abramovich në bisedime.

Ndërsa udhëheqësi i Ukrainës mund ta kuptojë rolin e Abramovich, disa janë ende të hutuar nga paraqitja e tij në bisedime.

“Kjo është një surprizë e madhe. Unë as nuk di çfarë të them,” tha një politikan me partinë “Servant of the People” të Zelenskit për Al Jazeera.

Përgjigja mund të qëndrojë në vendimin që ai mori në fund të viteve 2000 kur përfundoi mandati i tij si guvernator i Chukotka.

Abramovich zgjodhi të shkëputej nga Kremlini dhe nga një grusht miliarderësh që mbetën në Rusi dhe u përfshinë në projektet ekonomike të Putinit për të transformuar ekonominë përmes kontrollit më të rreptë të qeverisë.

“Ai nuk është thellësisht i integruar në veprimet politike të Putinit. Ai u distancua nga oligarkët e tjerë rusë, u përpoq të bënte emër dhe imazh jashtë vendit”, tha Gudkov.

Edhe pse përpjekjet nuk i penguan sanksionet, ato e ndihmuan atë të shihej si një figurë e besuar nga të dyja palët.

“Abramoviç është një urë lidhëse midis elitave perëndimore dhe ruse,” tha për Al Jazeera Aleksey Kushch, një analist me bazë në Kiev.

Ai tha se oligarkët e tjerë rusë, përfshirë ata që janë ose të perëndimorizuar ose nacionalistë, “nativistë” konservatorë – nuk kanë besim as nga Rusia, as nga Ukraina.

“Por Abramoviç i përshtatet të gjithëve,” tha Kushch.

Edhe armiqtë e tij politikë prej kohësh e pranojnë aftësinë e tij për t’ia dalë në negociatat më të ndërlikuara.

“Ajo që e bën atë interesant është talenti i tij për të organizuar skema financiare në hije,” i tha këtij gazetari në vitin 2018 Alexander Korzhakov, ish-shefi i sigurisë së Presidentit Yeltsin, i cili kishte konflikt me Abramovich në fund të viteve 1990.

“Por midis biznesmenëve, Abramovich ka qenë gjithmonë i respektuar, ai e ke mbajtur gjithmonë fjalën e tij dhe kurrë nuk grabiti askënd,” tha Korzhakov.

Ndërsa i njohur për aftësitë e tij ndërmjetësuese, historia e tij personale është një tragjedi dhe sukses i madh. Gjyshërit e tij nga nëna ishin hebrenj që u larguan nga Ukraina Sovjetike drejt Rusisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, por të dy vdiqën kur ai ishte tre vjeç.

Si adoleshent, ai ishte një shitës ambulant i lodrave plastike në Moskë dhe vazhdoi të bëhej një nga njerëzit më të pasur të Rusisë me interesa në naftë.

Ai mbajti lidhje me biznesmenë hebrenj ukrainas, dhe mund të lidhet me presidentin Volodimir Zelenski, i cili rrjedh nga një familje hebreje rusisht-folëse.

Megjithatë, të paktën një nga marrëveshjet e tij me biznesmenët ukrainas shkoi tmerrësisht keq, aq keq sa askush tjetër përveç Putinit nuk e përmendi atë.

Presidenti rus pretendoi në vitin 2014 se oligarku ukrainas Ihor Kolomoisky “mashtroi” Abramovich “dy ose tre vjet më parë”. 

“Ata nënshkruan një marrëveshje, Abramovich transferoi disa miliardë dollarë, ndërsa ky djalë kurrë nuk iu përmbajt marrëveshjes dhe nuk i futi në xhep paratë,” tha Putin në një konferencë shtypi. “Unë nuk e di, meqë ra fjala, nëse ai i ka marrë ndonjëherë paratë e tij dhe nëse marrëveshja është mbyllur.” 

Publikimi ukrainas Anticor, që specializohet në raportimin e korrupsionit, pretendoi se marrëveshja të cilës i referohej Putin ishte përpjekja e Abramovich për të blerë pesë fabrika nga Kolomoisky në 2007.

Zelenski, i cili ishte një nga komedianët dhe producentët televizivë më të suksesshëm të Ukrainës përpara ngritjes së tij meteorike në sallat e pushtetit, ishte gjithashtu i lidhur ngushtë me Kolomoisky.

Për vite me radhë, trupa e tij komike e “District 95” drejtoi një shfaqje televizive në një kanal televiziv të kontrolluar nga Kolomoisky dhe fushata presidenciale e Zelenskyy u mbështet gjerësisht nga të gjitha mediat miqësore me Kolomoisky.

Të dy, megjithatë, patën një mosmarrëveshje graduale, diçka që e ndihmoi Zelenskyin të rriste vlerësimin e tij si një kampion kundër korrupsionit.

/Al Jazeera, përshtati në shqip për ©LAPSI.AL, Arbër Kaceli 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *