• |
ide | kryesore

Rekomandimi i FMN: Bordi i Transparencës të zëvendësohet me mbështetje për të varfrit dhe shtresat e ekspozuara

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar nga qeveria që të zëvendësojë Bordin e Transparencës që monitoron çmimet e disa artikujve ushqimorë bazë me mbështetje për të varfrit dhe shtresat e ekspozuara.

Në deklaratën e djeshme FMN theksoi se përpjekjet për përmirësimin e sistemit të mbrojtjes sociale në vend duhet të vazhdojnë.

“Duke marrë parasysh sfidat e bordit të transparencës që monitoron çmimet e disa artikujve ushqimorë bazë, ne e shohim me vend zëvendësimin e tij me mbështetje të mirëorientuar për të varfrit dhe shtresat e ekspozuara me qëllim mbrojtjen e tyre nga efektet e rritjes së ҫmimeve. Për këtë arsye, përpjekjet për përmirësimin e sistemit të mbrojtjes sociale në vend duhet të vazhdojnë, duke përfshirë dhe zgjerimin e mbulimit të shtresës së varfër dhe në nevojë në sektorin informal”, deklaroi FMN.

Sipas FMN, ekonomia e Shqipërisë po përballet me presionet që vijnë si pasojë e luftës në Ukrainë, përmes rritjes së menjëhershme të çmimeve dhe shtrëngimit të mëtejshëm të kushteve financiare globale.

Me gjasë, sektori publik do të përballet me kosto më të larta të financimit të huaj për një kohë të gjatë. Ky është një nga mesazhet kryesore të Fondit Monetar Ndërkombëtar, në përmbyllje të vizitës në Shqipëri.

Fondi tha se është e nevojshme të jepet më shumë mbështetje e drejtuar për shtresat në nevojë dhe për ata që janë më të ekspozuar për t’i mbrojtur nga inflacioni. Kjo duhet mundësuar brenda nivelit të shpenzimeve ekzistuese të buxhetit për vitin 2022, përmes rishpërndarjes.

Kursimi i të ardhurave të mundshme të mbledhura mbi planin, si dhe konsolidimi i besueshëm nga kahu i të ardhurave në periudhën afatmesme, janë thelbësore për rikrijimin e hapësirave të nevojshme për politikën fiskale.

Fondi sugjeroi se politika monetare duhet të shtrëngohet më shumë dhe në kohë, për të frenuar trysnitë inflacioniste dhe për të orientuar sërish pritshmëritë për inflacionin brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë.



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *