• |
ide | kryesore

Zelenskyy: Rusia ka pushtuar 20% të territorit të Ukrainës

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të enjten se forcat ruse kanë pushtuar rreth 20% të territorit ukrainas. Zoti Zelenskyy tha se ndërsa vendi i tij është mirënjohës për të gjithë ndihmën që ka marrë, aleatët duhet të rrisin furnizimet me armë në Ukrainë. Ndërkohë në një një lëvizje të koordinuar me Shtetet e Bashkuara, Britania bëri të ditur se do të dërgojë sisteme të sofistikuara raketash me rreze të mesme veprimi në Ukrainë.

Sekretari i Mbrojtjes Ben Wallace tha se Britania e Madhe do të dërgojë një numër të paspecifikuar raketa-hedhësish M270, të cilët mund të dërgojnë raketa të drejtuara me saktësi deri në 80 kilometra. 

Britania thotë se vendimi është koordinuar ngushtë me një vendim të SHBA-së për dërgimin e sistemeve raketore të artilerisë me lëvizshmëri të lartë në Ukrainë. Të dy sistemet e raketave janë të ngjashme, megjithëse ai amerikan është i lëvizshëm me rrota, ndërsa ai britanik – gjithashtu i ndërtuar në SHBA – funksionon në shina.

Britania thotë se trupat ukrainase do të stërviten në Mbretërinë e Bashkuar për të përdorur pajisjet.

Ukraina u ka kërkuar aleatëve të saj perëndimorë që të dërgojnë raketa me rreze më të gjatë veprimi për ta ndihmuar atë të kundërshtojë sulmet e artilerisë ruse në rajonin lindor të Donbasit, në qendër të ofensivës së Moskës.

SHBA tha se Ukraina ka premtuar të mos lëshojnë raketa në Rusi. Por Rusia akuzoi Uashingtonin se “i hodhi benzinë zjarrit” në konflikt./ VOA



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *