• |
ide | kryesore

Albin Kurti: 31 korriku mund të shkonte në luftë me Serbinë, në barrikada kishte kriminelë të armatosur

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Kryeministri Albin Kurti ka dhënë një intervistë për mediet në Kosovë, e cila është e para që prej tensioneve të 31 korrikut në veri të vendit. Kreu i ekzekutivit tha se situata në 31 korrik ndryshonte me atë të shtatorit të vitit të kaluar sa u përket barrikadave me mjete të tonazhit të rëndë. 

Grupet kriminale sipas zotit Kurti kishin përgatitur skenarë të dhunshme të cilat mund të përshkallëzoheshin në të shtëna me armë ndaj automjeteve apo qytetarëve.

“Prapaskenat e tensioneve u gatuan në Beograd dhe në Rrashkë. Bëhet fjalë për një organizim dhe një përgatitje që nuk mund të jetë thjesht qytetare, por është shtetërore.

Këto barrikada që janë ngritur më 31 korrik kanë një risi sepse për nga karakteri i tyre nuk janë thjesht barrikada për të penguar qarkullimin por edhe për të qëlluar mbi automjetet që vijnë.

Në to kishte njerëz të armatosur, të cilët i vendosën barrikadat në një pozicion të tillë që është i favorshëm për të qëlluar mbi automjetet ose njerëzit që vijnë,” deklaroi ai. Lideri i Vetëvendosjes tha se direktivat Beogradit ia jep Moska me qëllim destabilizimin e Ballkanit.

Kurti ritheksoi se në Bruksel në 18 gusht në takimin që do të ketë me presidentin Vuçiç, Kosova nuk do të diskutojë për letërnjoftimet dhe targat ilegale në veri të vendit.

I pyetur nëse situata mund të përshkallëzohet sërish në 1 shtator deri kur është parashikuar edhe shtyrja e vendimeve të qeverisë kosovare për dokumentet serbe, kryeministri ua lë në dorë ndërkombëtarëve.

“Ne do të bëjmë gjithçka që tensionet të evitohen, por natyrisht që varet sa faktorët ndërkombëtarë do të arrijnë ta zmbrapsin Beogradin në qasjen e tij destruktive ndaj shtetit tonë, ndaj rendit tonë kushtetues dhe ndaj lirisë dhe sigurisë së qytetarëve tanë,” tha Kurti.

Zoti Kurti u pyet edhe për dëshirën e madhe të Beogradit, të ashtuquajturin asociacioni i komunave me shumicë serbe, për të cilin tha se e kundërshton për sa kohë është në baza etnike.

“Modelet, të cilat janë zhvillimore, janë padyshim të nevojshme. Nëse kemi, ta zëmë, komunat e Maleve të Sharrit, ose të Bjeshkëve të Rugovës, ose komunat e Lumit Lepenc, komuna të cilat kanë të bëjnë me veçantinë gjeografike, ekonomike e zhvillimore të komunave, unë jam i interesuar,” tha ai.

Asociacioni i cili parasheh bashkimin e komunave serbe në veri të Kosovës është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese dhe shumë zyrtarë perëndimorë dyshojnë se përmes asociacionit mund të krijohet një Republika Srpska e dytë si në Bosnje Hercegovinë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *