• |
ide | kryesore

Dosja 184/ Rrihet në gjykatë ish-shefi i komisariatit të Dibrës

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Ish-shefi i policisë i akuzuar për krim zgjedhor tek “Dosja 184”, Robert Aga u raportua i rrahur për arsye të paqarta paraditen e së enjtes, çka solli një tjetër shtyrje të procesit gjyqësor kundër tij.

Gjyqtarja Nertila Kape e Gjykatës së Dibrës po bëhej gati të shtynte një tjetër seancë të “Dosjes 184” për shkak të mungesës së të pandehurve paraditen e së enjtes, kur në sallë u shfaq Hasan Hoti, njëri prej të pandehurve.

Hoti pretendoi se kishte ardhur me vonesë për shkak se kishte dërguar në spital të pandehurin tjetër të këtij procesi, Robert Agën. Sipas tij, Aga kishte pësuar lëndime. Shkaku? Sipas Hotit, ai ishte goditur nga tre persona përpara gjykatës.

Ish-shefi i policisë, Robert Aga dhe ish-administratori i njësisë së Lurës, Hasan Hoti përballen me akuzat për manipulimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryetar bashkie në Dibër në vitin 2016.

Lexo më tej: Përgjimet e Bild/ Kush është Robert Aga, ushtari i bindur i Saimir Tahirit 

Lajmi për dhunimin e Agës u konfirmua për BIRN edhe nga prokurorja e gatshme, Xhoana Mehmeti. Ajo tha se kishte marrë informacion paraprak nga policia për rrahjen e tij.

“Por ende janë duke u kryer veprimet hetimore dhe nuk mund të flas për rrethanat,” tha ajo.

Procesi gjyqësor ndaj Hotit dhe Agës ka filluar në shkurt të vitit 2021. Por, është bllokuar prej më shumë se gjashtë muajsh për shkak të mungesës së avokatëve. Të njëjtin fat ka pësuar edhe një dosje paralele e derivuar nga Dosja “184”, e cila zvarritet gjithashtu për arsye të ngjashme.

Pas njoftimit për lëndimin e Agës, gjyqtarja Kape deklaroi mbylljen e seancës. Ajo njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohet më 1 dhjetor 2022.

Ish-shefi i Komisariatit të Dibrës në zgjedhjet e pjesshme, Robert Aga është edhe një nga personat me të cilët fliste në telefon Edi Rama, Ulsi Manja dhe Saimir Tahiri.

Këta persona janë kapur në përgjime të prokurorisë në dosjen e famshme 184. Dosje që prokuroria e SPAK shpalli moskompetencën dhe e degdisi dosjen në Dibër. Aty ku edhe po gjykohet.

Nga Hysen Likdisha-BIRN 



5 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *