• |
ide | kryesore

Goditet banda në Vlorë, sekuestrohen uniforma policie dhe municion luftarak (Emrat)

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Policia e Vlorës, Forcat Operacionale, FNSH dhe Shqiponjat kanë zhvilluar një aksion në qytetin e Vlorës sa i përket personave me rrezikshmëri të lartë kriminale në qytet.

Një grup kriminal është goditur nga Policia e Vlorës, duke arrestuar një person dhe katër të tjerë janë shpallur në kërkim.

Më konkretisht, në pranga është vënë shtetasit Denis Karafili 29 vjeç, ndërsa janë shapllur në kërkim shtetasit: Inez Hajrulla 30 vjeç, Olsi Koçeli 33 vjeç, Erand Hoxha 32 vjeç dhe Klaus Islamaj 31 vjeç.

“Vlorë/Policia, kontrolle të shtuara, bazuar në inteligjencën informative, për kapjen e personave në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo lëndë narkotike.

Gjatë kontrollit, kundërshtuan punonjësit e Policisë, vihet në pranga 1 shtetas, shpallen në kërkim 4 të tjerë, të pestë pjesëtarë të një grupi kriminal me aktivitet në fushën e krimeve kundër personit.

Sekuestrohen municion luftarak, jelek antiplumb, targa automjetesh të vjedhura, një shumë parash, veshje dhe radio si të Policisë, që u gjetën në banesën dhe në biznesin e 2 prej këtyre shtetasve.

Në lagjen “Pavarësia”, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi një automjeti tip “Toyota”, pasi kishin dyshime se me të qarkullonin shtetas me precedent kriminal që mund të mbanin sende të kundërligjshme.

Drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe është larguar me shpejtësi me automjet, bashkë me pasagjerët, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë janë vënë në ndjekje të automjetit tip “Toyota”, me qëllim identifikimin dhe kapjen e shtetasve që qarkullonin me këtë automjet.

Si rezultat i veprimeve hetimore, u bë i mundur identifikimi i këtyre shtetasve dhe me miratim të organit të procedurës u ushtruan kontrolle intensive, në ambiente të ndryshme dhe në banesat e tyre, me qëllim kapjen e këtyre shtetasve dhe sekuestrimin e sendeve të kundërligjshme, nisur dhe nga informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative se këta shtetas ishin pjesëtarë të një grupi kriminal dhe mund të fshihnin sende të kundërligjshme në banesat e tyre.

Në vijim të veprimeve u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi në flagrancë i njërit prej 5 personave që qarkullonin me automjetin tip “Toyota”, konkretisht shtetasi D. K., 29 vjeç, banues në Vlorë.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit I. H., 30 vjeç, O. K., 33 vjeç, E. H., 32 vjeç dhe K. I., 31 vjeç, banues në Vlorë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit O. K. dhe në biznesin (servis automjetesh) e shtetasit D. K., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan veshje (uniforma) dhe radio si të Policisë, 1 jelek antipulmb, targa automjetesh të dyshuara të vjedhura, një shumë parash, municion luftarak, dhe sende të tjera, që dyshohet se i shërbenin veprimtarisë së grupit kriminal në të cilin bënin pjesë këta shtetas.

Vijojnë kontrollet intensive nga strukturat e DVP Vlorë, në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Tiranë dhe Fier, për lokalizimin dhe kapjen e 4 shtetasve të shpallur në kërkim.

Gjithashtu, nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”- thuhet në njoftimin e policisë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *