• |
ide | kryesore

Skënder Haluci rrudh bilancin negativ në KPA, por shkarkimi mbetet në fuqi

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Nga Edmond Hoxhaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i ka gjetur të drejta një pjesë të shkaqeve të ankimit të ish-kryetarit të Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluci kundër shkarkimit të tij, por bilanci negativ i mbetur pas rishikimit të analizës financiare ka qenë sërish i madh.

Bashkë me konstatimin për deklarime të pasakta, bilanci negativ e ka bindur trupin gjykues se vendimarrja e shkallës së parë duhej lënë në fuqi.

Skënder Haluci u shkarkua prej KPK-së më 5 mars 2020, pasi u konstatuan probleme të shumta për pasurinë, si dhe një balancë negative në vlerën e 69 milionë lekëve. Ai e kundërshtoi vendimin si të padrejtë e të pabazuar në provat e administruara.

Po ashtu, Haluci ngriti shkaqe që lidhen me aspektet procedurale të procesit të rivlerësimit të kryera në Komision, por ato u rrëzuan si të pabazuara. Një prej këtyre shkaqeve ku janë ngritur pretendime se vendimi Komisionit është marrë bazuar në fakte të pavërteta që nuk i përgjigjen realitetit dhe provave që janë paraqitur, është vendosur prej Kolegjit që të trajtohet në analizën e shkaqeve të ngritura në lidhje m vlerësimin e pasurisë.

Shkaqet për pasurinë

Sipas vendimit të arsyetuar të KPA-së, Haluci ka kundërshtuar konkluzionin e Komisionit për një apartament papafingo me sipërfaqe 242 m2 në katin e tretë të një ndërtese në Tiranë, në process legalizimi. Komisioni ka konkluduar për këtë pasuri se investimi ishte kryer nga subjekti dhe dy vëllezërit e tij dhe e ka llogaritur shumën e shpenzuar prej Halucit sa 1/3-ta e gjithë vlerës ndërtimore. Sipas KPK, subjekti nuk ka deklaruar dhe provuar vlerën e saktë të ndërtimit të këtij objekti ndërtimor dhe në veçanti të pjesës së tij takuese.

E përllogaritur bazuar në çmimin mesatar të kostos të ndërtimit për vitet 1997 – 2005, ashtu si ka deklaruar subjekti dhe duke konsideruar 1/3-ën e sipërfaqes, investimi është konsideruar në vlerën 6.9 milionë lekë. Nga analiza financiare është konkluduar pamundësi financiare e subjektit për pjesën e tij. Po ashtu, është arritur në konkluzionin se as dy vëllezërit e tij nuk kanë pasur mundësi për të investuar pjesën tjetër të objektit ndërtimor.

Haluci ka pretenduar në ankim se konkluzioni i KPK ka qenë i njëanshëm dhe në tejkalim të kompetencave që i jep ligji. Sipas subjektit, komisionerët dhe këshilltarët ligjorë apo ekonomikë të Komisionit nuk janë ekspertë të licencuar në fushën e vlerësimit të pasurive të paluajtshme dhe në bazë të legjislacionit shqiptar, përcaktimi i vlerës së pasurive të paluajtshme kryhet nga ekspertë të licencuar të fushës.

Ai ka këmbëngulur se ka deklaruar vlerën reale të investimit në shumën 2 milionë lekë dhe se një pjesë e mirë e punimeve janë kryer nga vëllezërit, ndërsa shpenzimet e tij kanë qenë për blerjen e materialeve të ndërtimit. Subjekti ka paraqitur një akt vlerësimi të objektit të hartuar nga një ekspert i licencuar në fushën e vlerësimit të pasurive të paluajtshme, sipas të cilit vlera e investuar për pjesën takuese, është përllogaritur po në shumën 2 milionë lekë.

KPA e konsideron të pabazuar pretendimin se komisionerët dhe këshilltarët ligjorë apo ekonomikë nuk janë ekspertë të licensuar në fushën e vlerësimit të pasurive të paluajtshme.

“…Detyra kryesore e këshilltarëve ekonomikë të Njësisë së Shërbimit Ligjor të institucioneve të rivlerësimit është përgatitja e relacionit të çështjes, veçanërisht për vlerësimin e pasurisë së subjektit të rivlerësimit…,” konstaton Kolegji dhe e gjen të drejtë konstatimin e Komisionit se përcaktimi i vlerës së investimit nga ekspertja e zgjedhur prej subjektit nuk përkonte me kostot e Entit Kombëtar të Banesave, EKB.

Kolegji vëren se vlera e aplikuar nga ekspertja për një metër katror ndërtim, është rezultat i pjesëtimit të vlerës së deklaruar nga subjekti në shumën 2 milionë lekë, me sipërfaqen e papafingos 242 m2.

Bazuar në këto konstatime, Kolegji e ka gjetur të drejtë konkluzionin e Komisionit për mosmarrjen në konsideratë të aktit të vlerësimit nga ana e ekspertes private dhe përllogaritjen e vlerës së objektit sipas çmimeve përkatëse të kostos, të miratuara prej EKB-së.

Po ashtu, është vlerësuar i pabazuar pretendimi për uljen e kostove për shkak të ndërtimit informal, pasi nuk ka arritur të provohet që kostoja e punëtorisë në ndërtimin e kësaj pasurie ka qenë zero lekë ashtu si është deklaruar.

Kolegji ka gjetur të pabështetur edhe pretendimin tjetër të subjektit se, Komisioni i ka ngarkuar në mënyrë të padrejtë 100% të vlerës së objektit. Kjo, pasi është konstatuar se kotributi i Halucit është llogaritur në 1/3-ën e vlerës.

Ndërkohë, KPA i ka dhënë të drejtë Halucit lidhur me pretendimin e tejkalimit të kompetencave nga ana e Komisionit në konkluzionin se subjekti nuk ka arritur të provojë ligjshmërinë e burimeve të vëllezërve të tij në këtë investim.

“…Sa kohë nuk rezultoi që Komisioni të kishte gjetje në drejtim të deklarimeve fiktive për posedim të dy kateve të poshtme nga vëllezërit e subjektit të rivlerësimit, çka do të orientonte analizën në drejtim të dyshimeve për fshehje të pasurisë, atribuimi i pasojave të mospërmbushjes së detyrimit ligjor sipas parashikimit të nenit 32, pika 4 e ligjit nr. 84/2016, vetëm në kuadër të një marrëdhënieje bashkinvestimi, çmohet nga trupi gjykues jo në përputhje me kërkesat e dispozitës së sipërcituar ligjore dhe praktikës së deritanishme të Kolegjit në interpretimin dhe zbatimin e saj”, vlerëson KPA dhe shton se konkluzioni për pamundësinë e vërtetimit të burimeve të vëllezërve nuk mund të sjellë pasoja juridike në vlerësimin e pasurisë dhe për rrjedhojë, nuk mund të shërbejë si shkak për vlerësimin e kësaj pasurie në kuadër të procesit të rivlerësimit.

Në përfundim lidhur me këtë pasuri, Kolegji çmon se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë dhe ka rezultuar në pamundësi financiare për investimin e pjesës së tij takuese, e për rrjedhojë gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm, ashtu si ka konkluduar edhe KPK.

KPK ka konkluduar se subjekti ka kryer deklarim të rremë në deklaratën “veting” lidhur me vlerën e blerjes së një sipërfaqe toke 1400 m2 kundrejt shumës 140 mijë lekë. Po ashtu, ka konstatuar se Haluci ka kryer deklarime të pasakta ndër vite dhe në deklaratën “vetting”, lidhur me vitin e blerjes dhe vlerën e blerjes së pasurisë tokë arë.

Haluci ka kundërshtuar konkluzionin e KPK-së lidhur me krijimin e kësaj pasurie, duke pretenduar se është arritur në shtrembërim të fakteve dhe provave të vëna në dispozicion nga ana e tij. Ai ka ripërsëritur në ankim edhe një herë të gjitha shpjegimet e dhëna në Komision në kuadër të barrës së provës, po Kolegji e ka gjetur të drejtë konkluzionin e KPK-së lidhur deklarimet kontradiktore të subjektit për vitin dhe vlerën e blerjes së pasurisë. “Rezultoi e konfirmuar edhe nga vetë subjekti i rivlerësimit, i cili këtë mospërputhje deklarimesh e pretendoi si rrjedhojë të marrëdhënies së kaparit, të pareflektuar në dokumentacionin ligjor të shitblerjes së tokës në vitin 2015”, vëren Kolegji.

Në vijim, është rrëzuar edhe pretendimi i sbujektit për ekzistencën e një marrëdhënie kapari lidhur me blerjen e kësaj pasurie. Trupi gjykues çmon se ekzistenca e një marrëdhënie të tillë nga ana e subjektit, duhej të ishte deklaruar në deklaratën periodike përkatëse të vitit 2004, minimalisht në rubrikën e detyrimeve financiare, nëpërmjet deklarimit të pjesës së mbetur për t’u paguar.

Ndërkohë, KPA kundërshton përfundimet e Komisionit se subjekti ka kryer deklarim të rremë dhe të pasaktë lidhur me këtë pasuri. “…Nuk mund të vlerësohet në të njëjtën kohë edhe si deklarim i pasaktë, edhe si deklarim i rremë”, shprehet Kolegji dhe konstaton se nga hetimi administrativ, nuk ka rezultuar që Komisioni të ketë arritur në një përfundim sa i takon momentit kohor të shitblerjes së pasurisë dhe vlerës specifike të paguar në formën e çmimit të shitblerjes.

KPA e cilëson të gabuar linjën e arsyetimit të Komisionit, që për efekt të analizës së kryer për vlerësimin e mjaftueshmërisë së burimeve të ligjshme për krijimin e kësaj pasurie, e ka vendosur kohën e transaksionit në vitin 2015 kur është lidhur kontrata noteriale e shitjes mes palëve dhe si vlerë të blerjes nuk ka marrë në konsideratë atë të përcaktuar në kontratë, por ka bërë një përllogaritje të tijën mbi bazën e një çmimi reference.

Për shkak se subjekti nuk ka provuar vitin e saktë të blerjes së kësaj pasurie, Kolegji ka vlerësuar si vit të krijimit atë të deklarimit në 2004-ën. Megjithatë, edhe nga analiza e kryer në Kolegj për vitin 2004, ka rezultuar mungesë burimesh financiare.

Në përfundim, lidhur me tokën ku është ndërtuar godina trekatëshe, Kolegji vlerëson se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë dhe të paplotë të kësaj pasurie në deklaratën “veting”, si dhe ka rezultuar me pamjaftueshmëri të burimeve të ligjshme për financimin e blerjes së saj

Subjekti ka kundërshtuar si të pabazuar konkluzionin e Komisionit lidhur me mospasqyrimin në delaratën para fillimit të detyrës në vitin 2003 të një ngastre tokë arë me sipërfaqe 890 m2 të blerë nga bashkëshortja në vitin 1999 për shumën 1 milionë lekë, si dhe as shitjen dhe të ardhurat e krijuara nga ky transaksion, në deklaratën e vitit 2004.

Haluci ka pretenduar në ankim se kjo është një pasuri e bashkëshortes e krijuar para lidhjes së martesës dhe se ai nuk ka pasur të drejta pronësie; nuk ka investuar për blerjen dhe as ka krijuar të ardhura prej shitjes së saj. Sipas subjektit, në momentin kur ai ka plotësuar deklarimin e parë në shkurt të 2004-ës, kjo pasuri nuk ishte më në pronësi të tij apo të bashkëshortes. Po ashtu, ai ka kundërshtuar si të gabuar edhe analizën financiare të kryer nga Komisioni për vitin 1999.

Duke ju referuar legjislacionit përkatës, Kolegji vlerëson se në deklaratën për herë të parë, Haluci nuk kishte detyrim të deklaronte në rubrikën e pasurive pronësinë e bashkëshortes mbi ngastrën e tokës, pasi nuk ishte më në pronësi të saj. Por, sipas KPA subjekti do të duhet të kishte deklaruar në vitin 2004 nëpërmjet bashkëshortes së tij, në deklaratën periodike të vitit 2004 dhe në atë “veting”, të ardhurën e krijuar nga shitja e kësaj pasurie.

Kolegji ka konfirmuar pamundësinë financiare të bashkëshortes së subjektit për blerjen e kësaj pasurie në vitin 1999, por nisur nga fakti se është shitur në 2004-ën dhe të ardhurat e realizuara nga shitja nuk kanë shërbyer si burim për krijimin e ndonjë pasurie tjetër, çmohet se konkluzioni i KPK-së lidhur me krijimin e kësaj pasurie nuk sjell pasoja juridike në vlerësimin e kriterit të pasurisë për subjektin.

Haluci ka kundërshtuar konkluzionin e Komisionit për çmim favorizues në blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 106 m2 në Tiranë, me pretendimin se kjo gjë ka ndodhur si pasojë e faktit që shitësi i kësaj pasurie është njëkohësisht edhe blerësi i një dyqani në pronësi të subjektit. Po ashtu, Haluci ka kundërshtuar edhe balancën negative të konstatuar nga KPK me pretendimin se në analizën financiare janë përfshirë gabimisht shpenzime që nuk i takojnë, si dhe nuk janë përfshirë disa zëra të ardhurash.

Kolegji e gjen të paqartë konkluzionin e Komisionit për këtë pasuri. “Komisioni lidhur me këtë pasuri, ka trajtuar fillimisht momentin e shitjes së saj në vitin 2003, duke evidentuar problematikat në drejtim të marrëdhënies së krijuar mes subjektit të rivlerësimit dhe z. V. dhe në vazhdim është shprehur edhe në lidhje me pamjaftueshmërinë e burimeve të ligjshme të subjektit të rivlerësimit për krijimin e kësaj pasurie në vitin 1998, ndërkohë që në vlerësim të trupit gjykues, analiza dhe arsyetimi i Komisionit në drejtim të kontrollit të ushtruar ndaj kësaj pasurie, duhet të niste me verifikimin e ligjshmërisë së krijimit të saj në vitin 1998 dhe, në vijim, të vlerësohej mënyra e shitjes së saj dhe të ardhurat e krijuara nga tjetërsimi i kësaj pasurie, të cilat vlerësimin e ligjshmërisë së tyre e kanë të lidhur në mënyrë të pashmangshme me vlerësimin mbi ligjshmërinë e krijimit të pasurisë në vitin 1998”, arsyeton KPA.

Megjithatë, është gjtur i drejtë konkluzioni tjetër i Komisionit për pamundësi fianciare.

Haluci ka kundërshtuar analizën financiare të kryer nga Komisioni për burimet që kanë shërbyer për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 65 m2 në Tiranë, të porositur në vitin 2000. Nga analiza financiare e kryer në KPK gjatë viteve 2000, 2001, 2003 dhe 2004 kur janë kryer investime për këtë pasurie, ka rezultuar një bilanc negativ total në vlerën prej 9.7 milionë lekë. Subjekti ka pretenduar se përllogaritjet e Komisionit nuk janë bërë në mënyrë korrekte, pasi nuk janë përllogaritur të ardhurat, nuk janë marrë në konsideratë kreditë, si dhe dokumentacioni i paraqitur nga bankat dhe firmat ndërtuese. Ai ka kundërshtuar edhe vlerën e përllogaritur si shpenzime për shkollimin e vajzës me të njëjtin argument, se bursa ka përfshirë edhe kostot e jetesës, edhe ato të akomodimit.

Megjithatë, nga rishikimi i analizës financiare në Kolegj bazuar në shpjegimet dhe provat e subjektit, ka rezultuar sërish bilanc negativ në vlerë të madhe, në shumën totale 7 milionë lekë.

Haluci ka rezultuar edhe në Kolegj me balanca negative për blerjen e do automjeteve tip Benz në vitet 2012 dhe 2013, ndërsa ka arritur që me shpjegimet dhe provat e tij të bindë trupin gjykues se ka pasur burime për blerjen e një mjeti tjetër tip JaguarX Type në vitin 2015.

Kolegji ka vlerësuar pa lidhje me saktësinë e deklarimit të subjektit dhe të personave të lidhur parregullistë në deklarimet periodike për gjendjen e llogarive bankare të bashkëshortes dhe ndryshimet, shtesat apo pakësimet në fund të secilit vit përkatës. KPA ka çmuar që efektet e këtyre parregullsive t’i mbajë në konsideratë në kuadër të analizës financiare të viteve gjatë të cilave mund të kenë rezultuar me shttim të pajustifikuar të likuiditeteve bankare.

Nga rishikimi i analizës financiare të Komisionit për periudhën 1997 -2016 kur është konstauar balancë negative në vlerën 69 milionë lekë, megjithëse është ulur ndjeshëm bilanci negativ, ka mbetur sërish në vlerë të madhe, në shumën totale 27.9 milionë lekë. Për rrjedhojë KPA ka vendosur lënien në fuqi të shkarkimit nga detyra të këtij subjekti rivlerësimi./BIRN



1 Comment

  1. Je nga veriu more djale. Ky eshte korrupsioni yt me i madh. Dboranit i kapen 100 milione e deshen ta cojne ne kushtetuese

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *