• |
ide | kryesore

Kris Hill, trajektorja e bombarduesit të Millosheviçit, sot mik i Vuçiçit

Arkiva, Kryesore, Lajme
christopher Hill Milosevic



Diplomacia ka tekat e saj që varen nga interesat shtetërore dhe shpesh i bën njërëz të veçantë të shndërrohen nga heroj, në të dyshimtë për qytetarët e vendeve që i kanë njohur. Kështu ka ndodhur pak a shumë edhe me diplomatin e sprovuar amerikan, Christopher Hill. Kur në tetor të 2021 presidenti Biden e emëroi atë ambasador të vendit të tij në Beograd, shumë serbë u trishtuan dhe ndoshta shumë shqiptarë janë gëzuar. Për të parët, ai simbolizonte njeriun që kontribuoi për të nisur sulmet e NATO-s ndaj Serbisë në vitin ’99. Për të dytët, ai qe diplomati i parë që hapi ambasadën amerikane në Tiranë, i derguari special i SHBA për ndërmjetësimet mes Prishtinës dhe Beogardit para luftës dhe një nga negociatorët e stafit të sekretares Ollbrajt në marrëveshjen e Rambouillet, që solli më pas çlirimin e Kosovës. Por që nga ajo kohë ka rjedhur shumë ujë, që Lapsi.al e ka qëmtuar me lupë.

Botim i UET Press/ Kujtimet e Chris Hill: Takimet në shtëpinë e Pashkos me whiskey dhe “Dire Straits” - Liberale

Ne hapjen e ambasades ne Tirane

Kthimi i Christopher Hill në rajon, në fillim u komentua si një përpjekje e diplomacisë amerikane për të rritur dominimin e saj në një zonë të nxehtë dhe për të frenuar njëkohësisht depërtimin e Pekinit dhe Moskës. “Christopher Hill, i nominuari i presidentit amerikan, Joe Biden, për ambasador në Serbi, është njeri me përvojë të jashtëzakonshme në Ballkan dhe nam të madh në Uashington, si dhe me shumë peshë në qarqet diplomatike”, deklaroi në atë kohë Charles Kupchan, ekspert i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në Shtetet e Bashkuara. Sipas tij, ai do ti shërbente bashkimit të forcave mes SHBA dhe BE, “për zgjidhje të mosmarrëveshjeve në rajonin e Ballkanit, në mënyrë që të mbajnë larg ndikimin e Rusisë dhe Kinës”.

Lufta në Ukrainë. Çfarë ndryshoi?

Por, në këtë konfiguracion ndodhi diçka “e papritur”. Putini vendosi sulmin ndaj Ukrainës dhe Serbia, tradicionalisht pro Moskës, ndonëse e dënoi cënimin e territorit të një vendi të pavarur, nuk pranoi t’i bashkohet vendeve perendimore në vënien e sanksioneve ndaj Rusisë. Që nga ky moment politika e SHBA me Beogradin u bë ajo e moslejimit të rrëshqitjes në drejtim të Rusisë. E vetmja vërejtje që ambasadori Hill i ka bërë regjimit të Vuçiçit prej kësaj kohe, është ajo për t’i dhënë fund asnjëanësisë. “Serbia duhet të mendojë se ku qëndron e ardhmja e saj dhe nëse “ky pozicion neutral” i Beogradit zyrtar është i qëndrueshëm” i tha ai gazetarëve në qershor 2022. Në një dalje tjetër publike, ai tha në televizionin shtetëror të Beogradit se serbët duhet ta kuptojnë se kjo nuk është “nëna Rusi”.

“Nëse e shikoni Evropën, vetëm pak shtete, më duket vetëm Bjellorusia dhe Serbia nuk kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë. Pyetja është nëse Serbia dëshiron të qëndrojë në këtë grup. Shumë shtete kanë vendosur sanksione dhe ata po kanë pasoja nga kjo. Pyetja është nëse sanksionet mund të kenë ndikim në sjelljen e Rusisë, por ata gjithsesi i vendosën sanksionet sepse e kuptojnë se duhet të jenë të bashkuar dhe të kundërshtojnë atë që po bën Rusia”, paralajmëroi Hill.

Kush është Christopher Hill, ambasadori i ri i ShBA-së në Beograd - Gazeta Express

Gjate firmosjes se Rambujese

Por, ky merak i Uashingtonit për të mos i lejuar Rusisë terren në rajon, po zëvendësohet nga një politike e kompensimit të Serbisë ndaj fqinjëve të saj ballkanikë. Duket sikur që prej shpërthimit të luftës në Ukrainë, dimrin e kaluar, ka ndryshuar edhe politika ndaj regjimit të Vuçiçit dhe favorizimit të tij në raport me shtetet e tjera.

Nëse SHBA është bërë më e vëmendshme ndaj kërkesave të presidentit serb për të krijuar Asocacionin, para se të arrinte një marrëveshje me Albin Kurtin, apo për të mos frenuar marrjen e pushtetin nga forcat pro serbe në Mal të Zi, edhe ambasadori në Beograd është afishuar në këtë linjë. Christopher Hill nuk ka ngruruar ta përshëndesë publikisht nismën e Vuçiçit për “Open Balkan”, ndonëse shtetet e BE kanë shfaqur rezerva për atë. Ai është parë të marrë pjesë në takimet mes tre liderëve edhe jashtë Serbisë, ndonëse Brukseli këmbëngul në Procesin e Berlinit.

Edhe karshi Kosovës, që dikur lobonte për ta çliruar përmes bombave, ai shpesh herë ka marrë anën e kundërt. Kur Albin Kurti dhe Vuçiç u përplasën në fund të vitit që shkoi për problemin vendosjes së reciprocitetit dhe zhdukjen e targave ilegale të serbëve lokalë, Hill lavdëroi publikisht “rolin konstruktiv” të presidentit serb. Edhe disa muaj më parë në gusht të 2022, gjatë një interviste për median, N1, në Beograd, Hill nuk pati gajle të thotë se në dialogin mes Kosovës dhe Serbisë kjo e fundit shfaqi frymë konstruktive: “shkoi e përgatitur në Bruksel” më 18 gusht, ndërsa, palët e tjera, siç tha ai, nuk ishin të përgatitura.

Larg “Nënës Rusi” me çdo çmim

Kjo marrje ane në favor të Beogradit është shoqëruar paralelisht me heqjen e vërejtjes për të mos kthyer sytë nga Rusia. Kur ministrat e Jashtëm të Serbisë dhe Rusisë, Nikolla Sellakoviç, dhe Sergei Lavrov, më 23 shtator nënshkruan në OKB Planin e Konsultimeve mes dy ministrive, për dy vjetët e ardhshme, diplomati amerikan ragoi ashpër.

Gjatë një konference për media në hapjen e një forumi rajonal për qeverisje të mirë, Hill tha se “në këtë moment askush nuk do të duhej të nënshkruante diçka me Rusinë”.“Askush nuk është duke nënshkruar diçka me Rusinë. E kemi të vështirë ta kuptojmë, por presim shpjegim”, tha Hill.

Pra, vijësjellja e tij duket e qartë: Beogradit mund t’i tolerohet diçka në rajon si kompensim për ta shkëputur nga “Nëna Rusi”. Kjo u pa edhe menjëherë pas pranimit të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit mes Kurtit dhe Vuçiçit. Ndonëse në tekstet e dakordësuara nuk përmendjej asnjëherë fjala asocacion e cila ishte zëvendësuar me “vetmenaxhim”, ambasadori amerikan në Beograd nxitoi që të nesërmen, me të njëjtën gjuhë si Vuçiçi, të kërkonte themelimin menjëherë të acicacionit të komunave me shumicë serbe. “Marrëveshja është padyshim e mirë për Serbinë. Një nga çështjet më të rëndësishme është nevoja për themelimin sa më të shpejtë të Asociacionit të Komunave Serbe”, tha Hill për Euronews Serbia.

Ish diplomati që nxiti bombardimet

Por kapërcimi i tij më i madh, madje më i pakapërcyeshëm edhe për një diplomat që duhet të zbatojë politikat e shtetit të vet, është ndryshimi i qëndrimit lidhur me bombardimin e Serbisë nga NATO në 24 mars 1999. Në përvjetorin e së parës luftë humanitare në botë, ambasadori amerikan bëri një piruetë të fuqishme duke hedhur poshtë trashëgiminë e eprores së tij Madlen Ollbrajt dhe “mësuesit” të tij Richard Hollbruk. Ai u kërkoi falje serbëve që patën humbur të afërmit e tyre gjatë bombardimeve. “U shpreh ngushëllimet e mia personale familjeve të atyre që e humbën jetën gjatë luftërave të viteve të nëntëdhjetë, përfshirë ato si rezultat i fushatës ajrore të NATO-s. E di se populli serb nuk do ta harrojë kurrë atë kohë të tmerrshme dhe as që duhet (ta harrojë)”- shkroi në Twitter ambasadori amerikan në Beograd.

Këtë qëndrim mund ta mbante edhe dikush tjetër, por kur ai vjen nga goja e një diplomati si Christopher Hill, që qe pjesë e një ekipi që bëri gjithçka për të bindur përfaqësuesit e UÇK-së në Rambouillet për të firmosur draftin në mënyrë që të bëhej e mundur ndërhyrja e NATO-s, kjo ngjan më shumë se paradoksale. Lapsi.al i është rikthyer autobiografisë së Hill, “Pararojë”, të botuar edhe në shqip, për të parë pjesën ku ai tregon vetë se si qëllimi ishte, që shqiptarët ta nshkruanin marrëveshjen në mënyre që bombardimi të fillonte.

Botim i UET Press/ Kujtimet e Chris Hill: Takimet në shtëpinë e Pashkos me whiskey dhe “Dire Straits” - Liberale

Libri i Kris Hill

“Ndërkohë që ishim nisur (për në Beograd/shënim i Lapsi.al), mendoja se kishte pak shanse që kompromisi me Millosheviçin të funksiononte dhe vendosa se ajo për të cilën kishim nevojë, ishte aprovim i dokumentit nga ana e Shqiptarëve qoftë dhe me refuzimin e Serbëve. Nëse të dyja palët refuzonin, nuk do të kishte më ndërhyrje nga ana e NATO-s apo ndonjë organizate tjetër, në atë çështje” shkruan Hill në faqen 185 të librit “Pararojë”.

Disa faqe më poshtë ai shpjegon edhe se përse duhej medoemos të firmoste delegacioni shqiptar. Sepse nëse të dyja palët refuzonin, disa vende europiane do të tërhiqeshin nga vendimi për të ndërhyrë ushtarakisht mbi Serbi. Chris Hill tregon se shkoi vetë bashkë me përfaësuesin e BE-së për të bindur delegacionin shqiptar: “Me kalimin e orëve, ishim në një situatë ku të dyja palët po thoshin jo dhe kjo përbënte një justifikim që disa nga ministrat e Grupit të Kontaktit, të hiqnin dorë nga çështja. Unë dhe Wolfgang Petriç shkuam në dhomën e delegacionit Shqiptar, një sallë në katin e poshtëm plot me zbukurime, bërë me granit dhe dru, e shtruar me tapiceri (Faqe 191 )” rrëfen ai. Dhe aty ai tregon me mburrje kërcënimin që i bëri shqiptarëve në mënyrë që t’i hapej drita jeshile bombardimit: “Kemi ecur së bashku në një rrugë, por ky është fundi i saj. Nëse nuk e pranoni këtë marrëveshje, nuk ka asgjë, që unë apo dikush tjetër të bëjë për ju. Tani është zgjedhja juaj.”

Pak javë më vonë, në 24 mars ‘99 avionët e NATO-s hodhën bombat e para mbi Serbi. 24 vjet më pas, po i njëjti diplomat, tani me një qasje të ndryshuar i kërkoi falje serbëve për viktimat e asaj lufte, për të cilën ai pati bërë gjithçka që të fillonte.

©Lapsi.al



11 Comments

  1. Duke njohur serbet,ku “perca dhe sundo”-n e praktikojne me shume se shpikesit e kesaj strategjie, nuk perjashtohet fare mundesia qe, ambasodorin dikur te nderuar (dhe tashme te paqarte), ta kene blere (me para, prostituta serbe,dekorata etj etj).Por,une me shume dua te besoj dhe besoj en fakt qe, ambasadori Hill po luan nje diplomaci ekstreme, dhe koha do e tregoje qe nuk po e ben ne dem te shqiptareve.Natyrisht me pare se sa per interes shqiptar, do e beje per interes amerikan,se ne fund te fundit eshte amerikan para se te ishte pro-shqiptar, dhe fatkeqesisht tani interesi amerikan eshte ta prish Serbine nga Rusia.Dhe kete po e bejne duke ezauruar mjetet e e diplomacise, pra ne fillim me karrote para se te vije koha e dajakut,sepse amerikanet kane praktike te deshmuar sukseshem, qe gjerat qe duan ne fillim e provojne t’i arrijne me diplomaci,pra fiks sic po ben Hill,e kur kjo nuk funksionon( ne rast te rralla), vjen plani B. Une personalisht nuk dua ta shoh Serbine te ndare nga babai i tyre rus,sepse e di se si do rrjedhin situatat pastaj dhe sa do fuqizohet roli i Serbise “pro euro atlantike” (gjoja, se sbehen perendimor kurre serbet).,por ja qe amerikanet qe si kundershtar kane Rusine dhe jo nje Serbi mikroskopike,duan t’ia heqinnga vetja te gjithe zagaret qe i shkine pas Rusise, qofte dhe nje zagar plak te zi e pa te ardhme si Serbia. Pra une vertete e mendoj qe zotiHill sdo na zhgenjeje, por sidoqofte,sduhet ta barazojme SHBA me nje Hill, Escobar apo Soros(sic e barazon dikush ketu shpesh).Keta te 3 jane thjeshte 3 amerikane dhe jo 332 milion.Ne na takon ta vazhdojem politiken pro perendimore, te forcojme lobin tone ne SHBA, dhe mbi te gjitha te forcojme ushtrine dhe imazhin dhe fuqine e shteteve tona,dhe jo te leme cdo gje ne dore dhe meshire te miqve

    1. Shume e drejt nga parashkruesi. Duhet te forcojme ushtrinë ne te gjitha drejtimet qe te ritet pesha e rendeses se shqiperi se, se tani jemi nji tullumbace e mbushur me hidrogjen qe na mban NATO per mos tu shkeputur nga toka jone. Sikur gjithe ai buxhet i vjedhur me ineciatoret te shkonte per ushtrime, do ishte nji gjo shume e mire. Qe te shkosh mire me komshijte duhet me forcu gardhin

  2. Ambasadori Hill i kerkoi falje civileve serb dhe mendoj se tregon qe Hill eshte nje diplomat i vertete, ne ndryshim nga Kim ne Tirane

  3. Është një vizitë për të treguar se çfarë është pas 27 vjetësh nga vjedhja e parë e zgjedhjeve Sali Berisha. Është një njeri që vazhdon të vuajë atë që ka nisur 27 vjet më parë kundër SHBA, kundër ODIHR dhe mbi të gjitha, kundër sistemit të demokracisë në Shqipëri, si minues i madh i saj.

    Që ta kuptojmë këtë, duhet një vizitë si kjo e zonjës Glover, e cila duket se nuk ka ndërmend të iki nga kjo jetë, pa certifikuar çdo orë të keqe të Sali Berishës në jetën e tij politike. Si kjo e sotmja.

    1. I paymër 20:53.Kam mendimin që vizita tregoi gjënë e kundërt. Nëse Berisha për 96 i akuzua për vjedhje të zgjedhjeve parlamentare e kundërta i vërtetu nga zgjedhjet lokale.Por plani famëkeq grekoamerikan e komunist shqiptar i zbatu për t’i hapur rrugën qeverive famëkeqe të ish komunistëve te97 me ato të ashtuquajturat zgjedhje.Te 2001 me vjedhje kolosale.E për mos flasim për vjedhjet e Ramës të gjithave zgjedhjeve me gjitha mënyrat më të këqijat që egzistojnë.Pra zonja Glover e bindur që vjedhësit tradicional janë veçse specialistët socialistë bëri këtë vizitë pikërisht për të bërë të kundërtën e asaj që ti si patronazhist beson.

  4. Amerika ka miq e armiq.
    Amerika ka interesa ( politike, strategjike e ekonomike).
    Prandaj mos e paragjykoni Ambasadorin Hill….

  5. Amerika nuk ka miq e armiq.
    Amerika ka interesa ( politike, strategjike e ekonomike).
    Prandaj mos e paragjykoni Ambasadorin Hill….

  6. Nuk na duhen fletrrufet, por njerez te zgjuar qe te kuptojne se nga shkon rryma dhe te lundrojne me rrymen se kundra rrymes e provuam 45 vjet dhe e pam ku shkuam, mbetem ne vend… Kurti duhet ta kishte kuptuar me kohe kete pune se cdo USA, dhe te perpiqej ta shfrytezonte ne interes te Kosoves, por fatkeqesisht Kurti filloi te notonte kundra dhe te perpiqej te ndizte nje konflikt te ri me Serbine me shpresen se do nderhynte USA per te, miopi eshte pak te thuash…

    1. Kurti arriti edhe te mos prishet me SHBA,(sic disa opozitare ne Kosove shpresuan, si e vetmja shprese qe neprmjet ndonje Greneli te rikthehen ne pushtet), dhe njekohesisht te mbroje interesin e Kosoves. Ketu eshte forca e nje strategu.Pra e beri pa u prish me SHBA, se po te prishej me SHBA, do quhej fitore gjysmake, bile sdo quhej fitore fare. E kupton ti qe vetem me prishjen e marreveshjes se 4 shtatorit ne Washington,e nisur nga lobisti serb Grenell(se Trump as nuk e dinte qe Kosova ishte ne Ballkan e jo me detaje te tjera),cfare demi riparoi Kurti?Shpetoi gjithe resurset ujore te Ujmanit pa e ndare dysh me Serbine,sic firmosi dulla koti. E kupton ti qe vetem me heqjen e termit ASOSACION nga marreveshja e Ohrit, cfare demi riparoi Kurti?Dhe te gjitha keto pa u bere servil e tradhetar si Dulla koti, e as pa u prishur me SHBA,perkundrazi mardheniet kurre skane qene me te mira.Mos te flasim pastaj merita te tjera si vrasja e Minishengenit,(edhe pse me fitoren e serbit ne Mal te zi,do tentojne prape ta ringjallin), apo per zhbllokimin e “sanksioneve dipomatike” te padeklaruara ndaj Kosoves ku asnje diplomat i larte perendimor nuk vinte ne Kosove, para 14 shkurtit 2021.

  7. Kurti eshte prish me SHBA me kohe. Skisha degjuar ndonieher ndonje perfaqesues te SHBA te deklaronte se Asosacioni do te behet me miratimin e Kurtit apo pa miratimin e Kurtit. Qe hoqi fjalen Asosacion dhe e zevendesoi me vetmenaxhim, ne ketej nga jam une i themi jo Llazi po Llozi. Njesoj e ndjen…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *