• |
ide | kryesore

Lufta në Sudan, kryeqyteti goditet nga sulme ajrore

-Instant, Lajme, Planet



Sulmet ajrore kanë goditur kryeqytetin e Sudanit, Khartoum, pavarësisht një armëpushimi për të cilin palët u pajtuan të dielën, më 30 prill, në mënyrë që civilët të mund të largoheshin nga aty.

Ushtria tha se po sulmonte qytetin në mënyrë që t’i largonte rivalët e saj paraushtarakë, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF). Luftimet u intensifikuan edhe pse palët ndërluftuese thanë se do ta zgjasin armëpushimin edhe për tre ditë të tjera.

Deri më tani është raportuar për mbi 500 njerëz të vrarë, por numri i vërtetë i viktimave besohet të jetë shumë më i lartë. Ndërkohë, miliona njerëz kanë mbetur të bllokuar në kryeqytetin e Sudanit.

Komandanti i ushtrisë, gjenerali Abdel Fattah al-Burhan dhe shefi i RSF-së, gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, po luftojnë për pushtet. Mospajtimet nisën veçanërisht në lidhje me planet për ta përfshirë RSF-në në ushtri.

Gjeneralët ranë dakord për një armëpushim humanitar pas përpjekjeve intensive diplomatike nga vendet fqinje, SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe OKB-ja. Armëpushimi u zgjat, por ai nuk po respektohet.

“Kur ka bombardime shumë të forta dhe afër, ne strehohemi në shtëpi, përpiqemi të bashkohemi të gjithë në një dhomë qendrore, larg dritareve, larg mureve, e kështu me radhë, thjesht shtrihemi në dysheme derisa të kalojë. Kur sulmet janë pak më larg, ne përpiqemi t’i shfrytëzojmë orët e qetësisë që na jepen – disa orë në ditë – për të dalë shpejt dhe për t’i marrë ato që na nevojiten, që është gjithashtu shumë e rrezikshme, por ne duhet ta bëjmë”, tha ai.

Të shtunën, ish-kryeministri sudanez, Abdalla Hamdok, paralajmëroi se konflikti mund të përshkallëzojë më keq se ai në Siri dhe Libi. Këto luftëra kanë lënë qindra mijëra njerëz të vdekur dhe kanë shkaktuar destabilitet në rajon.

“Unë mendoj se do të jetë një makth për botën. Kjo nuk është një luftë midis një ushtrie dhe një rebelimi të vogël. Është pothuajse si dy ushtri”, u shpreh ish-kryeministri. /REL



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *