• |
ide | kryesore

Ndërtimet në Tiranë arritën rekord në 2022, por shtesa e popullsisë ishte në minimum historik

Lajme, Të fundit
Shqipëria



Kryeqyteti është kthyer në një kantier ndërtimi vitet e fundit. Që nga viti 2017, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit është rritur ndjeshëm, duke kulmuar në 2022, në 1.8 milionë metra katrorë, që është niveli më i lartë historik i pas viteve ’90. Krahas kërkesës së shtuar nga të huajt dhe emigrantët, blerjes për arsye investimi, interesit nga çiftet e reja, një nga potencialet më të mëdha ishte shtesa e popullsisë çdo vit në Tiranë. Nga viti 2012 deri në 2018-n, të dhënat e INSTAT tregojnë se popullsia e Tiranës shtohej mesatarisht me 20 mijë persona në vit.

Por, që nga viti 2019, shtesa e popullsisë në Tiranë është zvogëluar ndjeshëm, teksa dhe kryeqyteti nuk i ka shpëtuar tendencës së emigracionit dhe plakjes graduale të popullsisë. Në 2019-2020, kryeqyteti kishte 11 mijë banorë më shumë, shifër që u përgjysmua në vitet në vijim.

Në 2022, (sipas shifrave më të fundit të INSTAT, që raportoi popullsinë e janarit 2023) , popullsia në kryeqytet u shtua me vetëm 5.75 mijë persona, që është shtesa më e ulët historike, të paktën që nga viti 2011, kur INSTAT raporton të dhënat. INSTAT raportoi se popullsia e Shqipërisë në vitin 2022 ka shënuar rënien më të lartë në tre vjet, që nga periudha e pandemisë, duke u tkurrur me 1.1%, ose 31.8 mijë persona më pak.

Më 1 janar 2023 Tirana zë rreth 33,5% të popullsisë gjithsej, duke vazhduar të jetë një nga qarqet më të populluara të vendit, ndjekur nga Durrësi dhe Fieri me nga 10,5% dhe 9,8% përkatësisht.

Pavarësisht ngadalësimit kryeqyteti mbetet i vetmi që po sheh rritje vjetore të popullsisë. Sipas INSTAT, llogaritjet e popullsisë më 1 janar 2023 tregojnë se vetëm një qark i vendit shënojë rritje të popullsisë, krahasuar me një vit më parë, ndërsa njëmbëdhjetë qarqet e tjerë shënuan rënie të popullsisë. Rritja u shënua në Tiranë (+ 0,6%).

Vrulli i ndërtimeve pritet të vijojë në Tiranë

Pavarësisht rënies së popullsisë, ndërtimet në kryeqytet pritet të vijojnë. Vitet e fundit, zëri kryesor i të ardhurave të Bashkisë është “Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja”, të cilës i nënshtrohen të gjitha subjektet, që kërkojnë të pajisen me leje zhvillimore dhe leje ndërtimi për objekte banimi, administrative, prodhimi, shërbimi e tjera.

Nga dhënia e lejeve të ndërtimit bashkia arkëton rreth një të tretën e të ardhurave që ajo mbledh në total nga taksat dhe tarifat. Bazuar në projektbuxhetin e bashkisë për vitin 2013, ky vrull pritet të vijojë. Në vitin 2023, nga ky zë Bashkia parashikon të arkëtojë 5.6 miliardë lekë të ardhura, që përbën 34% të totalit të të ardhurave të veta të Bashkisë, duke e bërë institucionin menaxhues të kryeqytetit tepër të varur nga lejet e ndërtimit, për sigurimin e të ardhurave të veta.

Në krahasim me parashikimin e 2022-it, (që ishte 4.8 miliardë lekë) nga ky zë pritet të arkëtohen rreth 16% të ardhura më shumë, ndërkohë që pritshmëria faktike e 2022-t është 6.5 miliardë lekë, një tregues se këtë vit Bashkia ka dhënë leje përtej parashikimeve. Edhe në 2024 dhe 2025, vrulli i ndërtimeve pritet të vazhdojë, teksa Bashkia parashikon rreth 6.2 miliardë lekë të ardhura për secilin vit./ MONITOR 



2 Comments

  1. Sa katnar duhet te jesh qe te lidhesh rritjen e ndertimeve me rritjen e popullesise.

    Ndertimi eshte aset. O debila. Eshte depozite bankare.

    Eshte si te kerkosh te rritet popullesia sepse jane rritur depozitat bankare.

    Debila!

    1. Uau budallalliku dhe servilizmi nuk kane kufij. Ndertimet kane vlere per aq koh sa njerezit duan ti blejne ato dhe te jetojne aty, ne te kundert vlera e tyre eshte zero. Te njejtin gabim po ben dhe Kina po ndertojne banesa vete per ti pasur si aset dhe ka miliona shtepi qe po shkojne drejt rrenimit dhe jane bosh.
      Per ta permbyllur. Nga llogarite bankare mer interesat ne fund te vitit ndersa nga kur kr banesa vetem shpenzime ke, do paguash taksat qe shkojne nga 0.05-0.2% te vleres se saj.
      Japonia eshts i vetmi ven i zhvilluar ku popullsia po zvogelohet,shikoni pak se ca behet atje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *