• |
ide | kryesore

Zyrtare/ Nga Arminia Hannover te Laçi: Bejzade merr drejtimin e kurbinasve, para ndeshjes “nostalgjike”

-Instant, Sport
Bejzade



Skerdi Bejzade është trajneri i ri i Laçit. Lajmi është zyrtar dhe ish-sulmuesi i Dinamos, Vllaznisë, Partizanit e Elbasanit do të debutojë tashmë në futbollin shqiptar si trajner. Lëvizja e drejtuesve kurbinas u kuptua, në fakt, kur 48 vjeçari u shfaq duke ndjekur seancat e fundit stërvitore të Laçit dhe do të zyrtarizohet përpara përballjes me të kuqtë. Bejzade ka kryer sot edhe seancën e parë stërvitore me bardhezinjtë, që pasoi një prezantim të thjeshtë para skuadrës.

“Arusha”, si e thërrasin tifozët, do të bëjë debutimin pikërisht kundër ish-Partizanit të tij. Një ndeshje nostalgjike për ish-sulmuesin e kapitenin e të kuqve që mbajti veshur fanellën në dy periudha të ndryshme: e para në 2003-05 dhe e dytë në 2010 kur hoqi dorë edhe nga futbolli i luajtur. Një rikthim interesant për herë të parë si trajner, edhe pse në pankinë Bejzade ka punuar në nivelet inferior në Gjermani me Arminia Hannover. 48 vjecari do të mundohet tashmë të lërë gjurmë me Laçin, në një kampionat që u komplikua ende pa nisur mirë.

Laçi u detyrua të ndryshojë drejtimin teknik, ende pa nisur mirë kampionati. Pas barazimit rokambolesk me Erzenin në debutimin në Superiore, Stavri Nica u largua papritur nga pankina kurbinase, të cilën e udhëhoqi në muajt e fundit të kampionatit të kaluar.

Detyra e Skerdi Bejzade në Laç komplikohet nga Alban Bushi, që për grumbullimin me U21 ka thirrur tre lojtarë bardhezinj për ndeshjet me Armeninë e Rumaninë. Ajdi Dajko, Stiven Bibo dhe Agan Mjaki janë preferuar nga Bushi e do t’i mungojnë Bejzades. Madje, Mjaki nuk mundi të aktivizohet në javën e parë, në 3-3 ndaj Ereznit, pasi lojtari duket se ka ende probleme dokumentacioni me holandezë e Groningen.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *