• |
ide | kryesore

“Njohja e kundërshtarit plus i madh”: Nica vendos gishtin mbi plagën e Laçit, Josa kritikon mendjemadhësinë

-Instant, Sport
Nica



“Sigurisht është kënaqësi kur del me fitore, por loja ishte e tillë. Ishte lojë e fortë, pak me nerva, por shpirti i garës po ndikon te skuadra jonë. Po ndikon edhe orientimi i mirë në të gjithë fazat dhe kjo po na jep hap pas hapi siguri për kundërshtarët sado të fortë të jenë”. Stavri Nica i gëzohet suksesit 1-0 të Kukësit të tij kundër Laçit. Jo vetëm tre pikët, është e kotë të xhirosh, por edhe kënaqësia që mposhti skuadrën që e shkarkoi në javën e dytë të kampionatit.

“Edhe njohja e kundërshtarit është plus i madh – tha me sarkazëm Nica -. Sa më mirë ta njohësh aq më mirë merr masa për çdo individ, taktikë individuale, markimet, zonën, etj. Kjo është një nga zgjidhjet, më e rëndësishme pastaj është që në fushën tonë të krijojmë veprime sulmuese, të jemi më bindës në lojën tonë dhe besoj se jemi në rrugë të mirë”.

Nica pastaj punon mbi psikologjinë e skuadrës. Në këndvështrimin e teknikut, Kukësi nuk ka përse të mos jetë i barabartë me skuadrat pretendente: “Patjetër do futur e forcuar kjo psikologji, por gjithmonë në bazë të aktorëve e nivelit që kemi në skuadër. Duhet të bëjmë disa gjëra shumë më mirë se skuadrat që kanë cilësi të tjera brenda. Edhe me Partizanin, ajo ndeshje tregoi se lojtarët duhet të marrin më shumë përgjegjësi. Duhet të marrin më shumë përsipër për t’u ngjitur në nivel”, e mbylli Nica.

Lexo më tej: Video/ Abdou i jep fitoren Kukësit: Nica hakmerret me Laçin për shkarkimin në javën e dytë

JOSA KRITIKON MENDJEMADHËSINË E LAÇIT

“Duhet të kemi parasysh të respektojmë kundërshtarët. Të them të drejtën në pjesën e parë u duk një lojë ku ne u goditëm me rastet që kishte Kukësi nga topat tonë. Bëmë disa gabime dhe Kukësi fitoi topin e doli para portës. E ekuilibruam në pjesën e dytë, e nisëm mirë sa i përket mënyrës së lojës. Por në momentet më të mira u goditëm nga skuadra e Kukësit”. Mirel Josa pësoi humbjen e parë në ndeshjen e tretë në pankinën e Laçit, pas dy fitoreve radhazi. Tekniku kryeqytetas pranon edhe gabimet e skuadrës së tij: “Bëmë zgjidhje të gabuar sidomos kur zotëronim topin në qendër të fushës. Duhej të futnim më tepër krahët në lojë, të shkonim më shumë në goditje të portës. Duhej të ngulmonim më shumë në zonë”, analizoi Josa.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *