• |
ide | kryesore

Mbyllen hetimet/ Pikëpyetjet që la pas historia e Lear Kurtit

Arkiva, Kryesore, Lajme



Prokuroria i vuri kapak historisë së Lear Kurtit, të riut që humbi jetën në rrethana të dyshimta, mbrëmjen e 19 tetorit të kaluar në Tiranë. Sipas prokurorëve vdekja e Kurtit erdhi nga një sasi kokaine e mbështjellë në një qese, që mendohet se ai e gëlltiti ndërsa vraponte për t’i shpëtuar policisë. Rezultati i ekspertizës së mjekësisë ligjore rrëzoi versionin e familjarëve të Kurtit që fajësuan dhunën policore për vdekjen e tij.

Ajo që ndodhi atë natë është pak a shumë kjo: Kurti po kalonte në një rrugë dytësore të zonës së Don Boskos me emrin Riza Cuka, kur u përball rreth orës 23:07 me një patrullë të uniformave blu. Sipas dëshmive të këtyre të fundit ai refuzoi kërkesën për të ndaluar dhe për t’u identifikuar dhe u largua me vrap. Pas këtij veprimi, forcat blu iu vunë në ndjekje për rreth 300 metra, derisa arritën ta ndalonin në rrugën “Don Bosko”, duke kryer më pas edhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.

Por familjarët dhe një shok i Learit, dëshmitar okular akuzuan policinë për dhunë. Policët këmbëngulën se humbja e jetës nuk ndodhi për shkak të veprimeve të tyre, por për arsye të tjera.

Gjithsesi vdekja e Lear Kurtit u shoqërua me dyshime të forta për shkak të të dhënave kontradiktore që e shoqëruan atë. Informacionet tregonin se historia u tentua të manipulohej dhe policia ngulmoi për versionin e vdekjes nga qesja me kokainë edhe pse disa të dhëna ishin dashakeqe dhe të rreme.

1. Gënjeshtra për vendin ku ndërroi jetë Kurti

Agjencia e Mbikqyrjes Policore e drejtuar nga Ardi Veliu tentoi ta manipulojë vdekjen e Lear Kurtit, kur nxorri në media deklaratën që shprehej se ai ndërroi jetë në spital dhe jo në komisariat.

“Për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë” u tha në njoftimin e parë të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore.

Por në media nisi të qarkullojnë një version tjetër, i dokumentuar nga mjekët e Spitalit të Traumës. Sipas tyre Lear Kurti ndërroi jetë në komisariat, jo në spital. Atëherë policia e modifikoi qëndrimin duke thënë se “shtetasi është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 ku ka shfaqur probleme shëndetësore, gjë e cila ka diktuar dërgimin në Spitalin e Traumës, ku është konstatuar humbja e jetës”.

6 mjekët e turnit të natës në Spitalin e Traumës i thanë prokurorëve se policët e sollën Lear Kurtin të pajetë. Mjekët thanë se u përpoqën ta rikthejnë në jetë 32-vjeçarin, por nuk ia arritën, pasi ishte tepër vonë.

Të njëjtën gjë, bluzat e bardha e kishin shënuar edhe në kartelat mjekësore të spitalit dhe ishte ky dokument që nxorri bllof versionin e Agjensisë së Mbikqyrjes Policore.

Lexo edhe: Del VIDEO/ Si u ndoq dhe u ndalua nga policia Lear Kurti

Lexo edhe: E ëma e Lear Kurtit akuzon policinë: Hematoma në trup nga dhuna

Lexo edhe: Shoku i Lear Kurtit zbuloi çfarë i tha Ardi Veliu në polici

Sipas dëshmisë së shokut të Lear Kurtit, ai ndërroi jetë në ambjentet e komisariatit, por për të shmangur hetimet policët nuk e shënuan hyrjen e tij në regjistra dhe nuk e pritën ambulancën, megjithëse e kishin telefonuar për ndihmë. I gjithë versioni i policisë pas kësaj gënjeshtre u vu në dyshim.

2) Dëshmia e shokut të Lear Kurtit për dhunën policore

Pamjet e kamerave të sigurisë zbuluan se Lear Kurti humbi ndjenjat që në momentin e parë kur u ndalua nga policët. Në filmime trupi i tij duket krejtësisht i këputur me krahët që i lëvizin pa fuqi, ndërsa policët, në vend se t’i ofronin ndihmën e pare e “shkundin” fizikisht për ta përmendur.
Shoku i Kurtit, Zyhdi Spahiu tha se pasi u përmend viktima është rrahur nga policët, që donin ta dërgonin në komisariatin Nr.3.

“Pashë që ishin 3-4 patrulla. Dhe pashë që po rrihej Leari barbarisht brenda makinës” tha ai në 22 Tetor për emisionin “Piranjat”.

“Unë isha me Learin atë natë. E kam takuar dy orë para ngjarjes dhe e lash tek ish-Filanto. Unë do të ikja për punët e mia dhe ai do ikte në punët e tij. Pastaj do të shkoja ta merrja prapë, se Leari ka ndenjur gjithmonë me mua. Dhe në momentin që po kaloja aty përball me spitalin në Laprakë, pashë që ishin 3-4 patrulla po rrihej Leari barbarisht brenda makinës. Tha: O noku lajmëro dikë se po na mbysin. Aty ka pasur kamera por nuk e di kush mund t’i ketë. Filmimet janë aty 100% e sigurt. Çfarë po bëni se është me sëmundje toke u thash. Edhe më thanë “kush je ti”. “Shoku i vet” u thash unë. Një nga policët tha “pse e lini të flasë ky? Ça ju dhimbset? “Shoqërojeni dhe këtë” tregoi ai në dëshminë e tij.

“Dëgjova, fjalët “shpejt, shpejt se iku”. E kanë shoqëruar vetë në spital. Leari ka mbaruar brenda në Komisariat. Në spital ka shkuar i vdekur” tha Spahiu pas vdekjes së shokut të tij.

Ndërkohë policët e mohojnë dhunën dhe nuk pranojnë se Kurti humbi ndjenjat në momentin që u kap, siç duket nga pamjet filmike.

“Rreth orës 23:07 bashkë me dy kolegët ishim në patrullim me makinë në rrugën “Riza Çuka” dhe në një moment konstatuam një të ri, i cili po ecte dhe kreu disa veprime të dyshimta. Në bazë të kësaj i kërkova verifikim. I kërkova mjet identifikimi, por ai nuk kishte. Më pas e pyeta nëse kishte sende të kundërligjshme me vete dhe më pas sa dola nga automjeti, i riu u largua me vrap. Pasi e ndoqa pas 2 minutash arrita ta ndaloj përballë një marketi. Pasi e ndalova, si unë ashtu edhe i riu u rrëzuam përtokë dhe në këtë moment u afruan edhe dy kolegët e mi. E ngritëm në këmbë të riun dhe kërkuam ndihmën e patrullave.

E ulëm në trotuar dhe pamë që i riu kishte vështirësi në frymëmarrje. Menjëherë kontaktova me drejtorinë vendore dhe kërkova një autoambulancë dhe që i riu të ndjehej më mirë e futëm në makinë, jo në makinën që kisha në shërbim, por në makinën tjetër. Filloi të ndihej më mirë dhe i thamë të qetësohej, ndërkohë që aty erdhën patrullat me kod 20 dhe 22. Në këtë moment kolegu tjetër i vendosi prangat dhe më pas u kthyem për të kontrolluar rrugën nëse kishte hedhur apo jo sende të kundërligjshme, por nuk gjetëm, kurse patrulla tjetër e dërgoi të riun në komisariat.”, thuhet në një nga dëshmitë.

Më pas vijon dëshmia e efektivit tjetër që thotë: “I riu fërkonte gjoksin dhe ulte kokën poshtë. Kur arritëm në komisariat i riu u kap te sedilja e makinës dhe nuk donte që të dilte, më pas e nxorëm nga makina me vështirësi dhe sapo doli prej aty filloi të dridhej, të shtrëngonte dhëmbët dhe bënte lëvizje të pakontrolluara. Menjëherë tentuam t’i jepnim ndihmë duke u munduar t’i hapnim gojën dhe i mbajtëm kokën mbrapa që të mos godiste pllakat, pasi po bënte lëvizje të pakontrolluara, i vendosëm një shkop hekuri në dorë pasi menduam për shenja epilepsie. Kolegët e mi njoftuan autoambulancën dhe duke parë gjendjen e tij, e futëm në automjet policie dhe e dërguam në spitalin e traumës pasi ambulanca po vonohej”.

3) Kriminalizimi i Lear Kurtit

Ka një traditë të kriminalizimit të viktimave të policisë në media, sa herë duhet të fshihet një padrejtësi. Rasti më flagrant ishte ai i Klodian Rashës, pranë trupit të të cilit u hodh një pistoletë me qëllim për të kriminalizuar të riun që humbi jetën.

Në rastin e Lear Kurtit, ky u përshkrua nga “burime të policisë” në media si mik me persona të përfolur për lidhje me grupin e Shullazit. “Lear Kurti rezulton me 3 precedentë penale, vjedhje dhe droge. Ai njihet si shok i grupit të Pajtim Serjanit” raportua gazetarët, megjithëse ky përshkrim nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen konkrete.

Informacionet kompromentuese për viktimën nuk janë të rastësishme. Ato shpërndahen qëllimisht në media për ta kriminalizuar një person, në mënyrë që të ketë sa më pak reagim në opinionin publik.

Lexo edhe: Mjekët kundër policëve për vdekjen e Lear Kurtit

Lexo edhe: Vdekja e Lear Kurtit/ Eksperti mjeko-ligjor: E pamundur të gëlltisësh një qese 5×5 cm

Lexo edhe: Vdekja e Lear Kurtit, Rama: Nuk bëhet fjalë për dhunë policore

Gjithsesi tani që prokuroria e ka mbyllur dosjen e Lear Kurtit, mund të thuhet se ka një version zyrtar për shkakun e vdekjes së të riut, por ende nuk ka një përgjigje se përse duhej të gënjente policia për ngjarjen./Lapsi.al



8 Comments

  1. VIDEO/ Momenti kur u çnderua 28 nëntori: Festa e turpshme e Berishës me tortën gjigande për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.shellkare e maloke nxitoni me kova e legene te merrni torten e salihut

    1. popull i uritur dhe i rrotkarizuar nga leadershipet e ndyra qe zghedh vazhdimisht ne rreth vicioz

      kushdo te nxjerri ushqim pa lek ne shesh ashtu do turren

  2. Gjynah cun i ri.

    Policëve u ka ngel në dorë.

    Janë të patrajnuar dhe të papërshtstshëm për policë, dhe nuk behesh polic me 6 muaj. Pastaj u del situata nga duart dhe u ngel tjetri në dorë

  3. Berisha bën thirrje për mosbindje civile, i jep porosi kryetarëve: Futeni rininë në betejë pa kthim! Shpellkare maloke skiftere cecene merrni kosa kazma e lopata e dilni ti mbroni bythen e pasurine familjes se serbit salih karaxhic.

  4. Keni shumë të drejtë që përpiqeni të mbroni jetën e kujtdo në këtë Botë por si shpjegohet që kjo gazetë nuk analizon asnjë vdekje si p.sh.: Kosta Trebickën, mijra të vrarët të 97-ës, 21 Janarit, ata që mbasi i torturoheshin në hetuesi i zhduknin pa gjurmë duke i hedhur në det apo mbuluar diku gjetkë, etj. etj.
    Mos vallë këtu ka influencë trashëgimia Kapo apo e krushqive me sigurimsa të Enverit!?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *