• |
ide | kryesore

E habitshme, FSHF ndryshon skemën me kampionatin në vazhdim: “Final 4” futet edhe për femrat

Sport
Final 4



Mund të tregohet si skuadrat janë në lojë, apo sa skuadrat janë të përfshira dhe në rivalitet, por fakt është se edhe Egnatia kryesuese ka 6 humbje, ndërsa e katërta 11, tregues i qartë se rezultatet e 36 javëve nuk janë më aq të rëndësishme. E megjithatë formula “Final 4”, risia e FSHF-së në këtë edicion futbollistik, nuk do të aplikohet vetëm në Superiore për djem, por edhe në kampionatin e vajzave. E madje, duke ndryshuar rregullat e lojës me kampionatin në fund. Kur kanë mbetur edhe dy javë nga epilogu i këtij sezoni futbollistik në kampionatin e vajzave, katër skuadrat që do të jenë pjesë e “Final 4” janë shpallur tashmë, falë renditjes.

Vllaznia, Apolonia, Partizani e Tirana janë katër ekipet që do të luajnë në “Final 4”, nga ku do të shpallet edhe skuadra kampione e sezonit futbollistik 2023-2024.

Lexo më tej: Në fillim Finalja e Kupës së Shqipërisë, pastaj garat e Final 4: akti i fundit në 14 maj në Tiranë

Si do të funksionojë skema?

Pasi të përfundojnë edhe ndeshjet e mbetura të këtij edicioni, skuadrat e renditura nё vendin e parё, dytё, tretë dhe të katërt, do të zhvillojnë ndeshje play off sipas shortit më poshtë, që do të hidhet pas përfundimit të fazës së dytë:

Në vazon e parë do të jenë ekipet e renditura në vendin e 1-rë dhe të 2-të ;
Në vazon e dytë do të jenë ekipet e renditura në vendin e 3-të dhe të 4-të.
Ndeshjet do të zhvillohen me takime vajtje-ardhje, teksa sfidat e para do të zhvillohen në fushën e ekipeve të renditura më poshtë në renditje. Në rast barazimi tё pikёve pas dy takimeve tё lojës sё rregullt, skuadra e renditur mё mirё nё klasifikim kualifikohet pёr nё ndeshjen finale.

Finalja e madhe që do të përcaktojë edhe kampionen e këtij edicioni do të luhet më 11 maj në “Shtëpinë e Futbollit”. Sakaq, dy ekipet që nuk kalojnë në finale do të zhvillojnë një ndeshje me një takim, për të përcaktuar vendin e tretë dhe të katërt, me ndeshjen që do të luhet po në “Shtëpinë e Futbollit”.

Ekipi kampion i “Abissnet Superiore” për vajza do të përfaqësojë Shqipërinë në raundin para-eliminator në UEFA Champions League.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *