• |
ide | kryesore

Maguette e shifra rekord te Villareal: Partizani do të shesë në verë edhe Rrapajn

Sport
Maguette


“Do të bëjmë një shitje rekord këtë verë”. Kjo është fjalia që Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit Olsi Rama ka thënë në daljen e tij të fundit e që ka entuziazmuar këdo në klubin kryeqytetas, përvec tifozëve. Gueye Maguette është i destinuar të transferohet te Villareal në Spanjë, për një shifër që do të kalojë atë të Xhuljano Skukës te Metz. Një klub i La Liga natyrisht që kur shënjestron një lojtar e bën me një studim të caktuar, duke parashikuar edhe marzhin e zhvillimit. E megjithatë, Tifozët e të kuqve nuk kanë si të jenë të kënaqur nga humbja e një mesfushori fondamental për skuadrën, e që për më tepër nuk do të jetë i vetmi.

Kampionë e nënkampionë në dy edicionet e fundit, por fakti që nuk arritën dot të mbronin titullin nuk do të shkaktojë një revolucion te të kuqtë, pavarësisht se ndryshime të forta do të ketë. E para sepse do të ketë largime me peshë dhe e dyta sepse tekniku Orges Shehi për herë të parë që kur ka mbërritur do të përfshihet në merkato me kërkesa sipas nevojave modulare e skematike. Ndeshja titull me Egnatian shfaqi limitet e një skuadre që në gjysëm të sezonit e pa veten të ndryshojë mënyrën e lojës, por pa lojtarët e përshtatshëm për ta bërë.

SITUATA E MAGUETTE E RRAPAJ

E atëherë, në merkato janë kërkuar katër lojtarë: dy krahu e dy qendre, por gjërat mund të ndryshojnë në varësi të daljeve. Pikërisht kështu sepse Gueye Maguette dhe Arinaldo Rrapaj janë të destinuar ti thonë lamtumirë Partizanit. Shkatërruesi është një hap larg transferimit te Villareal, ndërsa fantazisti sezonin e ardhshëm do të luajë në Belgjikë, edhe pse nuk specifikohet ende klubi i tij i ri. Nikulic është jashtë planeve të Shehit dhe është lënë i lirë, ndërsa me të ardhurat e inkasuara, që nuk do të jenë të vogla, nga Maguette dhe Rrapaj, do të ndërhyhet në merkato.

Lexo më tej: Video/ Egnatia kampione e Shqipërisë: Ibrahimoglu mposhti Partizanin dhe e zhveshi nga titulli

TË TJERËT

Ndërkohë Xhuliano Skuka do të rikthehet te Metz pas huazimit, por klubi ka ndërmend të tentojë një tjetër sezon, këtë herë të plotë për të qendërsulmuesin, që e mbylli kampionatin në rritje. Në skadencë kontrate janë tre lojtarë, qendërmbrojtësi Sota, mbrojtësi i majtë Atanaskoski dhe xholi Zekolli: nuk duhet të ketë probleme për të parin, ndërsa me dy të tjerët do të vendoset pas takimit kokë më kokë.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *