• |
ide | kryesore

F1, Alonso akuzon për arrogancë ish-skuadrën e tij e Leclerc: “Nuk sheh pasqyrat, tipike e Ferrarit”

Sport
Alonso


Fernando Alonso sulmon Charles Leclerc, dhe kjo nuk ndodhi në pistë. Piloti i Aston Martin nuk lë pa fjalë pa thënë për kolegun e Ferrarit dhe kështu polemikat e para lindin në prag të Çmimit të Madh të Kanadasë. “Leclerc është më i ngadaltë nga të gjithë në kthesën e fundit. Ai nuk i sheh pasqyrat”, tha spanjolli në fund të seancës së dytë të provave të lira në cirkuitin e Montrealit gjatë një komunikimi radio me skuderinë.

Një deklaratë që nuk kaloi pa u vënë re. Piloti, pavarësisht se kishte regjistruar kohën më të mirë me Aston Martin, dukej shumë nervoz për sjelljen e Leclerc dhe ka dashur t’i bëjë gjërat të qarta. Një goditje jo vetëm ndaj pilotit të Cavallinos, por edhe ndaj gjithë ekipit italian, duke shtuar: “Kjo është tipike për Ferrarin”, duke nënkuptuar kështu, sipas tij, mungesën e vëmendjes e arrogancën ndaj pilotëve të tjerë.

Lexo më tej: F1/ Leclerc princi i Monakos, në podium me Ferrari edhe Sainz: “Mendova për babain tim, ishte ëndërra jonë”

Një shigjetim drejtuar ish-skuadrës, me të cilën Alonso garoi nga viti 2010 deri në vitin 2014. 42-vjeçari u zemërua pasi Leclerc dyshohet se e mori kthesën e fundit shumë ngadalë, duke mos u kujdesur se kush vinte pas tij në pistë. Një sjellje e cilësuar shumë e rrezikshme nga kampioni spanjoll, në një kohë kur në cirkuit nuk kishte shikueshmëri të mirë për shkak të shiut të dendur. Episodi i përmendur nga Alonso nuk u sanksionua nga komisarët e garës.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *