• |
ide | kryesore

Arrestohet një person në Beograd lidhur me sulmin pranë ambasadës izraelite

Lajme, Të fundit
Qëllohet me shigjetë polici në ambasadën e Izraelit në Beograd, Daçiç Akt terrorist


Një person është arrestuar dhe një sulmues është vrarë pasi ka sulmuar një pjesëtar të Xhandarmërisë pranë Ambasadës së Izraelit në Beograd.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, e karakterizoi sulmin si “akt terrorist të drejtuar kundër shtetit të Serbisë dhe anëtarëve të Xhandarmërisë”. Pas sulmit, autoritetet rritën nivelin e kërcënimeve nga terrorizmi, që nënkupton se prania policore do të rritet.

Sulmuesi, që më vonë u identifikua si Millosh Zhujoviq, u vra pasi ai plagosi me hark me shigjeta pjesëtarin e Xhandarmërisë. Sipas Daçiqit, personi i arrestuar dyshohet për “lidhje me terrorizëm”.

“Bëhet fjalë për Igor Despotoviq nga Beogradi, i lindur në vitin 1999, i cili ishte arrestuar dy vjet më parë për shkak se ishte administrator i disa grupeve militante në internet që bënin thirrje për xhihad”, tha Daçiq. Ai shtoi se i arrestuari ka komunikuar çdo ditë me sulmuesin e vrarë dhe se për këtë arsye dyshohet se ka marrë pjesë “në mbështetjen logjistike dhe organizimin e këtij akti terrorist”.

Më herët, Daçiq po ashtu tha se autoritetet janë duke hetuar nëse sulmues veproi i vetëm apo nëse kishte ndonjë grup dhe se disa persona janë arrestuar “si masë parandaluese, pasi ata ishin afër ndërtesave policore”. Autoritetet thanë se sulmuesi i vrarë ishte nga qyteti Mlladenovac.

“Është konstatuar se personi që ka kryer sulmin terrorist është Millosh Zhujoviq [1999], emri fetar Salahudin, i konvertuar, nga Mlladenovaci, i cili është shpërngulur për të jetuar në Novi Pazar”, thuhet në deklaratën e MPB-së së Serbisë.

Autoritetet thanë se sulmi ndodhi rreth orës 11:00 të 29 qershorit, një person qëlloi me hark me shigjeta një anëtar të Xhandarmërisë i cili po ruante Ambasadën e Izraelit, duke e goditur në qafë. Autoritetet thanë se pjesëtari i Xhandarmërisë ka përdorur armën në vetëmbrojtje, duke qëlluar sulmuesin, i cili vdiq si pasojë e plagëve të marra.

Gjatë adresimit para mediave më herët gjatë ditës, Daçiq tha se pjesëtarët e Xhandarmërisë serbe rregullisht ruajnë ambasadat, ndërkaq ambasadorëve iu ofrohet një njësi e posaçme e Ministrisë së Mbrojtjes. Duke dhënë detaje për sulmin, ai tha se sulmuesi iu afrua policit në disa raste, duke e pyetur për një muze dhe gjëra të tjera dhe xhandari i ishte përgjigjur se nuk kishte muze në atë zonë.

“Dhe më pas ky person i panjohur u kthye, hapi derën e ambasadës, duke bartur një çantë nga e cila nxori harkun dhe e qëlloi xhandarin me shigjetë në qafë”, tha Daçiq.

Ai shtoi se sipas informacioneve që ka, polici reagoi menjëherë, nxori armën dhe e qëlloi sulmuesin.

“Ai e qëlloi sulmuesin disa herë dhe pas gjysmë ore ai vdiq”, tha Daçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paraprakisht deklaroi se edhe disa persona janë në kërkim pas sulmit.

Vuçiq ka shtuar se “një person nuk është kapur”, por se dihet se ai ndodhet në territorin e Serbisë.

“Ai udhëhiqej nga të njëjtat parime si Salahudini. Ata janë përcjellur dhe pas shtatë apo tetë ditësh do të arrestoheshin, kaq i është dashur prokurorit për të mbledhur të gjitha provat, por është e qartë se ata filluan më herët”, tha Vuçiq pasi kishte vizituar xhandarin e lënduar në Qendrën Emergjente.

Ai theksoi se secili ka të drejtë të zgjedhë fenë e tij, por se autorët e këtij sulmi iu bashkuan qarqeve ekstremiste.

Vuçiq tha gjithashtu se operacioni i xhandarit të sulmuar Millosh Jevremoviq ishte i suksesshëm dhe se ai është në “gjendje shumë të mirë”.

Autoritetet serbe kanë njoftuar se aksion policor është duke u kryer edhe në Novi Pazar, ku po kryhen kontrolle në lokacione që besohet se kanë lidhje me sulmin.

Novi Pazari është komunë në Serbi, e banuar me shumë boshnjake.

Policia serbe afër Ambasadës izraelite në Beograd.
Policia serbe afër Ambasadës izraelite në Beograd.
Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se prokurori i rastit ka urdhëruar kryerjen e autopsisë për trupin e sulmuesit. Kjo zyrë tha po ashtu se polici ka gjuajtur në vetëmbrojtje.

Daçiq ka diskutuar lidhur me sulmin me ambasadorin e Izraelit në Serbi, Jahel Vilan.

“Në një bisedë telefonike me ambasadorin Vilan, ministri Daçiq ka thënë se sipas informacioneve fillestare, me shumë gjasa sulmuesi është shtetas i Serbisë, pjesëtar i lëvizjes vehabiste”, thuhet në njoftimin e MPB-së së Serbisë.

Serbia ka mbajtur raporte të ngushta me Izraelin, shtet që po vazhdon operacionet ushtarake në Gazë, kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *