• |
ide | kryesore

VIDEO/ Filmi maqedonas që nxjerr UÇK-në terroriste shkakton debate në Shkup

Lajme, Të fundit



Filmi maqedonas “Tallja me Krishtin”, i financuar me para të buxhetit të shtetit ka nxitur reagime të ashpra tek shqiptarët në Maqedoni. Në këtë film ushtarët e UÇK-së paraqiten si vrasës të civilëve dhe që ka kryer masakra dhe përdhunime të njerëzve të pafajshëm gjatë konfliktit në këtë vend në vitin 2001. (shiko trailer-in më poshtë). Në një prej skenave shihen ushtarë të UÇK-së që hyjnë në autobus duke i quajtur maqedonasit “kaurë” dhe “kafshë”. Më pas shihen në një fshat ku vrasin dhe përdhunojnë vajza të reja.

Avdij Jakupi i njohur si komandant “Cakalla” i tha agjencisë së lajmeve INA se ekzistojnë miliona fakte se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe janë respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e civilëve.

Përmes një statusi në Facebook, edhe ish-luftëtari i UÇK-së, Shaq Tërshana tha se filmin e ka financuar Ministria e Kulturës pavarësisht se poshtërohet dinjiteti i luftëtarëve shqiptare.

Pas skandalit ka reaguar edhe kryeministri Zoran Zaev. Ai e dënoi filmin duke shpjeguar se filmi i ishte financuar në mënyrë të fshehtë nga Agjencia Shtetërore e Filmit në vitin 2015 dhe kishte si qëllim përçarjen ndëretnike.

“E di që ai (film) që është e financuar nga fondi i Filmit në vitin 2015 është absolutisht me prapavijë politike. Gjithçka që është financuar nga qeveria e kaluar në frymën e asaj politike dhe dhënien e një ambienti të panevojshëm për Maqedoninë për të shpërndarë urrejtje. I dhashë detyrë ministrit të Kulturës të bisedojë me drejtorin e Fondit të Filmit që t’i pengojnë dhe t’i ndalojnë në mënyrë ligjore të gjitha aktivitetet e tilla që promovojnë veprime të tilla – tha Zaev.

Ish-sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudun Shehapi shkruan në Facebook se nuk ka qenë në dijeni të këtij keqpërdorimi, duke insistuar se filmi ka kaluar në mënyrë të fshehtë në filtrat përzgjedhës.

“Personalisht, për herë të parë dëgjoj për këtë film, ku ofendohen shqiptarët dhe vlerat e UÇK-së. Por dihet se si ka funksionuar ai sistem. Ka qenë një periudhë, kur shumë projekte janë fshehur nga shqiptarët dhe kjo ka qenë e mundur veçanërisht në subjektet e mëvetësishme, siç është Agjencia e Filmit, e cila është e pavarur, ku nuk kemi pasur qasje se çfarë dhe si punohet atje” – thotë Shehapi.

Filmi nuk ishte mbështetur nga recensentët fillimisht, por mbetet e paqartë mënyra se si kaloi filtrin final për t’u realizuar. Ofendimet në film janë dënuar edhe nga aktori dhe producenti Refet Abazi, I cili thotë se edhe aktorët duhet të mbajnë përgjegjësi, veçanërisht për një projekt të tillë I financuar me para nga buxheti i shtetit.

Mësohet se filmi ka kushtuar 300 mijë euro të cilat janë dhënë nga buxheti i shtetit. Regjisori i filmit Jani Bojadzi tha se nuk kishte për qëllim të denigronte shqiptarët pasi gjithçka është një triller, por mediat shqiptare në Maqedoni kanë postuar komente të tij antishqiptare të bëra më herët në rrjetet sociale. ©LAPSI.al

https://www.youtube.com/watch?v=H34Hvyv6hcA



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *