• |
ide | kryesore

Kosovë/ Vazhdon dita e dytë e grevës në arsim

-Instant, Lajme, Të fundit



Shkollat publike në Kosovë kanë vazhduar grevën e nisur ditë më parë për shkak se institucionet shtetërore nuk i plotësuan kërkesat e tyre për shtesa në paga deri në miratimin e Ligjit të Pagave në Kuvend. Megjithëse ishin bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, dje më 1 shtator vetëm disa shkolla zhvilluan mësim.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit së Kosovës dje përmes një njoftimi për media ka bërë me dije se përkundër se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, nga informatat jo të plota që kanë marr kryesisht nga komunikimi i zyrtarëve të MASHTI-t me zyrtarë komunal janë informuar që shumica e shkollave në Kosovë nuk kanë mbajtur mësim për shkak të grevës së shpallur nga BSPK-ja, njofton RTK Live.

“Sipas të dhënave të Ministrisë, situata dallon nga shkolla në shkollë, ku në disa ka nisur procesi mësimor e në disa të tjera mësimi është mbajtur pjesërisht.  Po ashtu, si Ministri e Arsimit jemi të informuar për presione të shumta politike tek shkollat. Duke respektuar të drejtën e atyre që janë në grevë presim që të respektohet edhe e drejta e mësimdhënësve të cilët nuk janë në grevë dhe duan të punojnë”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e Ministrisë,

MASHTI u ka bërë thirrje Drejtorive Komunale të Arsimit që t’i përgjigjen obligimit dhe të mbajnë komunikime në vijë institucionale rreth vijueshmërisë së procesit mësimor në shkolla.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) njofton se greva e përgjithshme është duke u zhvilluar dhe se ajo është shtrirë në të gjitha nivelet e shkollave dhe në administratat komunale në gjithë vendin, pa probleme e plotësisht sipas rregullave dhe normave ligjore. Sipas BSPK-së të punësuarit grevistë janë edhe më të vendosur në të drejtën e tyre e sidomos pas kërcënimeve aspak të mira dhe rrënuese për demokracinë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *