• |
ide | kryesore

Gazetarët zbulojnë prapaskenat: Kush e preu “kokën” e Çakos nga policia

Lajme, Të fundit

Kanë qenë të shumta reagimet pas largimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako. Gazetarja Klodiana Lala ka numëruar shumë arsye përse sipas saj Haki Çako duhet të ishte shkarkuar apo larguar nga ajo detyrë shumë kohë më parë, teksa tha se i zbatonte në mënyrë të verbër urdhrat e Saimir Tahirit.

“Haki Çako thjesht ka pasur titullin se në asnjë moment se ushtroi atë funksion. Ishte kryepolic që nuk reagoi kur ndodhën ngjarje të rënda kriminale. Kishte përgjime, por emëroi dhe shkarkoi këdo që iu diktua pavarësisht mënyrës. Duhet të ishte larguar shumë kohë më parë kur u përfshi në skandalin e përgjimeve…

Të 12 drejtorët që kishte në varësi direkte sipas raporteve të SHISH ishin të përfshirë në grupet e trafikut. U bindej në mënyrë të verbër urdhrave të Saimir Tahirit, pra në një farë mënyre ishte kryepolic në hije. S’kam fakte nëse Cako ishte vetë i përfshirë në trafikun e drogës. Nuk zgjodhi të ikte me nder sipas meje, të largohej” – tha Lala.

Gazetari i News 24, Artan Hoxha tha në studion e emisionit Opinion se Xhafaj ka kërkuar që të hiqte barrën e Policisë së Shtetit që binte mbi drejtuesit e saj, për shkak të kanabizimit të vendit në 2016. Sipas tij, Fatmir Xhafa sapo mori detyrën e ministrit të Brendshëm, menjëherë kërkoi edhe pastrimin e njollës së kanabizimit të vendit nga Policia e Shtetit.

Hoxha tha se Haki Çako në atë moment ka firmosur shkarkimin e 12 drejtorëve të qarqeve të Policisë së Shtetit, si dhe një numër prej 30 oficerësh drejtues. Sipas tij, pikërisht në atë moment, kur vuri re se kupola drejtuese e Policisë ra, ai duhej të jepte dorëheqjen.

Ndërsa gazetari Robert Rakipllari tha se Çako nuk e kishte fuqinë ligjore për të kontrolluar policinë, por atë e ka mbajtur ministri i asaj kohe Saimir Tahiri. “Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako nuk e kishte fuqinë që i jepte ligji për të kontrolluar strukturat e Policisë së Shtetit” – tha Rakipllari.

Analisti Lorenc Vangjeli thotë se ajo çfarë ka ndodhur është pozicioni i Çakos mes ish-ministrit Tahiri dhe disa strukturave të Policisë së Shtetit të implikuara në trafikun e drogës.

“Drejtori i Policisë së Shtetit u lirua për shkak të përgjegjësisë së tij direkte për çështjen e kanabisit në vend” – tha Vangjeli.

Sipas tij, qëndrimi i Çakos si një ishull në mes të gjithë kësaj historie nuk kishte logjikë. Ai tha se kokën e Haki Çakos e preu kanabisi në vend.

“Katër drejtues të lartë të Policisë së Shtetit në vitin 2016 në katër qarqe të vendit nuk i jepnin llogari drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çakos”. Kështu është shprehur gazetari Spartak Koka në studion e emisionit Opinion.

1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu