• |
ide | kryesore

Gara për FSHF, Armand Duka kalon në sulm ndaj Edi Ramës

Lajme, Të fundit



Më shumë pakënaqësi se me Bashkim Finon, rivalin e tij direkt për FSHF, Armando Duka i ka me Edi Ramën. Gjatë një interviste për Panorama ai ka kaluar direkt në akuza për kryeministrin, tek i cili sheh mbështetësin më të fuqishëm të kundërshtarit të tij.
Pavarësisht se ruhet të mos kalojë në etiketime persoale, Duka e bën përgjegjës Ramën se ka ngarkuar futbollin me taksa, duke e nxjerrë si njeriun që e frenon sportin në Shqipëri.

“Unë kam rezervat e mia për raportin e futbollit me shtetin, por kjo jo detyrimisht për kryeministrin, sepse ai nuk mund të zgjidhë gjithçka. Për shembull, një nga betejat më të mëdha që kam, është taksimi i futbollit. Të ardhurat në futboll nuk mund të tatohen siç do fushë tjetër. Çdo klub tatohet me 15% sipas ligjeve klishe, madje dhe për të ardhurat që vijnë nga UEFA.

Ndërkohë, deklarimet e futbollistëve thonë që shumica e atyre tatohen me 23%. Edhe paratë që vijnë nga kompanitë e tjera të presidentëve në llogaritë e klubeve tatohen si e ardhur. Kjo nuk është normale. Unë, madje, propozoj taksë “free” për futbollin. Nuk është futbolli industria ku shteti duhet të zbatojë politikat e taksimit. Nuk ka lehtësira për askënd që sponsorizon në sport. Pastaj, “nëse ma ha mua qeni shkopin apo jo”, këto janë vlerësime personale. Unë do preferoja që shteti të përfshihej për të përmirësuar dhe lehtësuar punën e 66 anëtarëve.

Njoh presidentë që qajnë kur shohin se si pasioni i tyre shkon taksa. Tatohet biznesi, por jo pasioni. Nuk mund të jemi kaq të egër në këtë drejtim. E dini ju që në futboll nuk rimbursohet as TVSH?! Nuk ka asnjë shpërblim nga shteti për fituesit. A nuk meriton një skuadër që bën mirë në Kupat e Europës të marrë një shpërblim njësoj si një sportist që fiton një medalje diku? Në këtë sens them që shteti dhe, pse jo kryeministri, të jetë më pranë futbollit”.

Bashkim Fino vendosi të mos e dorëzojë mandatin e deputetit të Partisë Socialiste dhe as postin që mban në strukturat drejtuese të partisë, megjithëse konkuron për president të FSHF-së.
Përballë Armando Dukës, Fino duket se do të shfrytëzojë çdo mundësi që i jep partia, dhe kjo nuk është pak, duke ditur se PS kontrollon pjesën më të madhe të bashkive në vend.
I pyetur për këtë çështje, Duka thotë se kjo që bën Fino nuk ndodh në asnjë vend të Europës.

Më lejoni një korrigjim të vogël. Jo një kandidati që vjen nga politika, por një kandidati që vazhdon të jetë në politikë, sepse, me sa ka deklaruar, do të hyjë në garën për kreun e FSHF-së pa hequr dorë as nga mandati i deputetit dhe as nga detyra e sekretarit organizativ të partisë së tij. Gjithsesi, njerëzit janë të lirë në ambiciet e tyre dhe unë bëj pjesë në atë kategori personash që i inkurajojnë të tjerët të mos heqin dorë lehtë nga ambiciet, përfshi këtu dhe mikun tim Bashkim Fino. Sigurisht që nuk kam asnjë droje, nga askush. Puna ime është aty, në sytë e gjithë komunitetit të futbollit dhe gjithë publikut shqiptar, bashkë me ato gjëra që ndoshta nuk janë bërë ashtu si duhet.
Ata do të na vlerësojnë. Sigurisht që, në një pikë, ndoshta unë po vendos një tjetër rekord, jo vetëm shqiptar, por edhe në familjen e madhe europiane ku ne bëjmë pjesë. Po konkurroj përballë një figure që vjen nga radhët e politikës dhe që, me sa duket, nuk është bindur ta lërë mandatin e deputetit apo detyrën e sekretarit organizativ të partisë për t’u bërë pjesë e komunitetit të futbollit. Kjo nuk ndodh në Europë.
Dokumentet themeltarë të FIFA-s dhe UEFA-s kanë sanksionuar se futbolli dhe strukturat e tij duhet të jenë qartësisht të ndara nga çdo ndikim politik apo fetar. Gjithsesi, kjo është një zgjedhje e rivalit dhe unë personalisht nuk kam ndonjë problem me këtë, thjesht mendoj se është një zhvillim që mund ta dëmtojë imazhin ndërkombëtar të FSHF-së. Gjatë gjithë aktivitetit tim në krye të FSHF-së jam përballur shumë herë me politikën dhe, po aq herë, kam treguar se nuk i trembem asaj apo presionit që mund të vijë nga segmente të caktuara të lidhura me të. Nuk kam asnjë arsye të ndryshoj tani” thotë Duka.



1 Comment

  1. FIFA dhe UEFA jane kategorik kunder shtetit ne tentativen e saj per te kapur federaten, nje skenar te tille beri dhe Berisha dhe Armando Duka u favorizua nga keto institucione per postin qe mban. E njejta skeme po perseritet. E dyshimte perseritja e te njejtes skeme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *