Kryeministrja britanike, Theresa May, u përball me kritika të ashpra nga opozita për ndërhyrjen e vendit në sulmet në Siri. May kujtoi kohën kur qeveria e drejtuar nga laburistët, tani në opozitë dhe kritikë për këto sulme, ndërhynë në Kosovë në vitin 1999 për zbutjen e vuajtjeve humanitare.
‘Mirror’ raporton se kryeministrja britanike i është përgjigjur kreut të Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn, se dallimi i vetëm është se në Siri janë përdorur armët kimike.
“Zbutja e vuajtjeve humanitare është arsye e vlefshme e cila është përdrorur nga partia laburiste në ndërhyrjen në Kosovë”, – u shpreh Theresa May.
Kryeministrja britanike ka vazhduar të këmbëngulë se vendimi për ndërhyrje ishte i duhuri.
Ajo është përballur me kritika të shumta për pjesëmarrje në këto sulme, sidomos nga partitë rivale në opozitë.
Ditën e shtunë, SHBA, Franca dhe Britania e Madhe kryen një sulm të koordinuar me raketa në Siri. Qëllimi ishte të goditeshin bazat me armë kimike të regjimit sirian.