• |
ide | kryesore

Tedi Papavrami me koncert dhe libër

I pakategorizuar
Z9Jeg20140513155305_13051430.jpg



Libri “Fugë për violinë” që botohet për herë të parë në shqip nga UET Press mban firmën e violinistit me famë botërore Tedi Papavrami si autor, një kalim i pritshëm i Papavramit nga fusha e muzikës, në atë të letrave. Të gjithë ata që ndjekin botën e librit e dinë që Tedi Papavrami e ka shtruar udhën e tij në këtë fushë me sprova shumë sfiduese, sepse që nga viti i largët 2000 është përkthyesi i Ismail Kadaresë në frëngjisht. Libri ka statusin e botimit si përkthim, pasi për herë të parë është botuar në Francë në frëngjisht nga botuesi francez Robert Laffont. Në shqip vjen në përkthimin e Blerta Hyskës dhe redaktimin e Ajola Xoxës, por prania e Tedi Papavramit gjatë gjithë procesit të përkthimit e redaktimit ka qenë absolute: çdo fjalë, shprehje e shenjë pikësimi i është nënshtruar gjykimit të tij. Me një këmbëngulje e vullnet mahnitës, kërkesa ishte e qartë: çdo gjë duhej të ishte perfekte. Libri është shkruar me një stil të drejtpërdrejt.

Akoma, mund të thuhet se është rishkruar edhe një herë për këtë botim. Me të njëjtin perfeksion që përdor violinën, përdor edhe fjalën, duke e qëmtuar me kujdes e përdorur të duhurën, për të ndërtuar me të një fjali elegante në një shqipe të mrekullueshme. Të bën për vete nga rrjeshti i parë në të fundit: të duket sikur të merr për dore dhe të rrëfen historinë e jetës së tij, përtej buzëqeshjeve në skenë e duartrokitjeve entuziaste për lojën e përsosur, përtej lavdisë së jashtme dhe triumfeve të shumta, Papavrami flet edhe për vite të tëra të mbushura me punë e sakrifica, dhimbje e vuajtje, vetmi e pengesa.

Libri u kushtohet prindërve të tij, Robert e Jolanda. Shumë ngjarje e personazhe që në botimin origjinal ishin anashkaluar pasi u mendua që nuk paraqisnin interes për lexuesin francez, në këtë botim shqip janë rishkruar e rikonceptuar edhe një herë, disa prej tyre për t’i paraqitur në një dritë të re e të tjerë për t’i mbuluar me pluhurin e indifferences. Njerëzit më të dashur dhe që njëkohësisht kanë qenë arkitektët e së ardhmes së tij i prezanton fillimisht, njëri pas tjetrit, në pjesën e parë të librit, por u kthehet herë pas here, pasi marrëdhënia me ta, ndonëse në përmasa të tjera, trajtohet vazhdimisht. Gjyshi, Dodo, doktori i famshëm Theodhor Papavrami; Gjyshja, 

Nuci; Babai ose babo si i thërret gjatë gjithë jetës, përjashtuar kohën e shkollës, kur i jati është njëkohësisht edhe profesori i rreptë Robert Papavrami dhe, në fund, mamaja, Jolanda e bukur dhe e ëmbël: ‘mjaftonte të pëshpërisja “Mami…” në çfarëdo ore të natës, që të dëgjoja menjëherë “Bir !…”. Për një kohë të gjatë kam besuar se ajo qëndronte e zgjuar në errësirë, në pritje të thirrjes sime …’(f. 15-6).

Në rrëfimin e rrugëtimit të tij ka shumë njerëz të tjerë, po aq sa edhe objekte, që kërkon të marrë me vete dhe të na i prezantojë. Nina, kushërira çapkëne pak më e madhe, së bashku me të jëmën e saj, Belën, Albano, dajë Kosta, Pier Amojal dhe e shoqja e tij, Klodina, Mishelina, personeli i Ambasadës, “gogoli” – përbindëshi i zi dhe me qime të stërgjata që bënte rojë në korridorin e gjatë e të ftohtë të shtëpisë, violina, shtëpia, oborri, çiftja, metronomi, ora, televizori me “zhurmues”, motori “me kosh” i ushtrisë sovjetike etj.

Një kapitull më vete zë marrëdhënia me Silvën. Nuk e di nëse vajzës i referohet me emrin e vërtetë apo të rremë, por duhet të ketë qenë shumë e veçantë që ka tërhequr vëmendjen e një njeriu kaq sqimatar. Marrëdhënia me Silvën duket një marrëdhënie tipike e çunave të asaj kohe dhe të asaj moshe – platonike dhe, më shumë zhvillohet si pritshmëri, se si realitet, ose më shumë në zemrën e fantazinë e tij se në të vërtetë. Takimi i parë i rëndësishëm përshkrohet në këtë mënyrë: “Mezi pres atë të diel kur do të mund t’i tregoj asaj qentë e mi, kopshtin, pushkën dhe sidomos kanarinën time për të cilën i kam folur aq shumë.” Dashuria për kafshët shtëpiake është një tjetër dashuri e kultivuar që në vitet e para të jetës së Ted dhe që duket se e ka edhe tani.

Janë shumë të sakta ngjarjet e Tiranës të viteve ’70-’80: pionierët, festivalet e fëmijëve, çunat e rrugës, menca e shkollës, transferimi i të jatit, ardhja e të huajve në shkollë, konkurset e pranimit në Lice, autobuzi i Skodrës dhe rruga që zgjaste pa fund – një nga përshkrimet më realiste e njëkohësisht më të bukur të asaj kohe, jo sepse ishte kohë e bukur, por sepse është treguar bukur.

Të punosh për të pasigurtën

Libri hapet me një thënie të Blez Paskal, që pas shumë diskutimesh, por gjithmonë të lidhura me kontekstin e kohës kur ka jetuar Paskal, mori trajtën “Të punosh për të pasigurtën, të kalosh det, të ecësh mbi një dhogë”, që mund të thuhet se është edhe e gjithë përmbledhja e jetës së Tedi Papavramit. Që nga mosha nëntëvjeçare, kur për herë të parë diskutohet vajtja e tij me bursë në Francë për studime dhe deri në ditët e sotme, jeta e tij është punë e vetëm punë, e përditshme, përsëritëse dhe e pasigurt për sa i përket rezultatit përfundimtar. “Nga leximi i Faustit dhe i mitit të ujdive të mundshme me djallin – edhe pse nuk besoj shumë tek bota e përtejme – papritur ëndërroj për marrëveshjen që do të doja t’i propozoja. Ajo është shumë e thjeshtë: të arrij nivelin e lojës së Heifecit gjatë një viti, në këmbim të shpirtit tim ose vdekjes së menjëhershme me të mbaruar ky afat. Fatkeqësisht djalli nuk shfaqet, megjithë këtë propozim që, – po t’u besosh librave -, do ta bënte të lëpinte buzët.”

Në gjithë librin marrëdhënia e Tedit me të jatin është më kompleksja dhe e diskutueshmja, aq sa më kujton, deri në një farë mase sigurisht, marrëdhënien e Paganinit me të jatin, përshkruar shumë bukur në një libër të vjetër, botuar në shqip rreth viteve ‘970 “Dënimi i Paganinit”. Fjalët shpullë e shuplakë përdoren, përkatësisht, 4 herë e 12 herë në libër dhe lidhen gjithmonë me një person: të jatin, por jo vetëm ato, ndonëse përpiqet këtë të fundit ta justifikojë me pretendimin se gjithmonë (ai, Tedi) u shmangej detyrave dhe mësimit: “I zymtë, si në momentet më të errëta të hileve të mia të dikurshme, babai më mban një fjalim të mbushur me neveri dhe zemërim, që më trondit shumë”. Filozofët thonë se jo vetëm dija, por edhe ëndrrat varen nga konceptet tona të mëparshme. Me gojën e gjyshes, Tedi tregon: “ … babai ndiqte në Pragë studimet për violinë, të cilat u ndërprenë dhunshëm në vitin 1960, kur mijëra studentë shqiptarë u riatdhesuan” dhe: “Gjyshi kishte kryer studimet për mjekësi në Amerikë, më pas në Francë, pasi ishte larguar adoleshent nga Shqipëria dhe kishte kaluar vitet e shkollës së mesme në Greqi”. 

Ndoshta ëndrra që Robert Papavrami ndërton për të birin, e ushqyer edhe nga ëndrra e të jatit të tij, doktorit të zotë e të kërkuar nga të gjithë, është shumë më me ngjyra se ajo që ofronte Shqipëria e asaj kohe dhe e vetmja mënyrë për t’u realizuar është “të jesh më i miri, i pari”, edhe me koston e motos konsekuencialiste “qëllimi justifikon mjetin”. Papavramët I dhe II e njihnin dritën në të gjithë spektrin e saj dhe ta reduktonin atë për djalin e vetëm, Papavramin Jr., në frekuencën e një të kuqe të shpëlarë komuniste të kohës ishte jashtë çdo përfytyrimi. Për ta thjeshtuar për të gjithë këtë pikëpamje konsekuencialiste, trajta e mendimit të Papavramit II mund të shprehet në këtë mënyrë: “Babai im ka studiuar e jetuar jashtë; unë po ashtu. Po djali im?” Kështu bashkohem me Tedin në këtë përshkrim të ndëshkimit me nota të ulëta, bas, pra si një zgjedhje e imponuar nga konteksti i kohës dhe pjesë e një procesi afatgjatë zgjedhjesh.

Titulli – përshtatja nga frëngjisht në shqip

Në botimin origjinal të librit të Papavramit titulli është “Fuge pour un violon seul” dhe vetëm botimi i parë ka shitur 8000 kopje. Autori ka ditur të ndërthurrë, me shumë mjeshtëri e mençuri, dimensionin muzikor të fjalëve “fugë” e “seul”, me atë të përdorimit në jetën e përditshme. Titulli, me forcën e shprehjes që i jep secili nga dimensionet kuptimore, është në gjendje të përçojë më së miri kuptimin e jetës së tij: “Arrati për hir të një violine” ose “Fugë për violinë solo”. Për të qëndruar në të njëjtën metaforë, edhe në shqip titulli është po ai i botimit frëngjisht, megjithë që, sikundër shprehet autori në kopertinë “Pata surprizën të zbuloj që fjala fugë, e njohur dhe e përdorur nga gjenerata muzikantësh në Shqipëri, nuk bënte pjesë në Fjalorin Akademik Shqiptar në kuptimin e saj muzikor” – për hir të së vërtetës, surprizë e konstatuar pasi u hapën të gjitha botimet e mundshme të Akademisë së Shkencave -, një dëshmi tjetër e natyrës hetuese dhe kërkuese të artistit. Në të gjitha botimet e mësipërme shqip, fjala fugë ka një pafundësi kuptimesh e arratish, por i mungon një nga përdorimet më të bukura, arratia nga imitimi, nga trysnia për t’u përsëritur monotonisht nga një zë dhe në një kohë, i mungon përdorimi si një larmi zërash në kohë të ndryshme. Përmbledhja që Papavrami kërkon t’i bëjë jetës së vet është jo fuga e llojit të arratisë, por ajo e muzikës e frymëzuar nga një ndjenjë e pakufizuar lirie, ose e harmonisë së krijuar jo vetëm nga talenti, por në të njëjtën masë edhe nga puna. Fuga e Tedi Papavramit është një bashkësi e ikjeve të njëpasnjëshme, nga një temë në tjetrën, nga një realitet në tjetrin. A nuk është jeta e gjithsecilit prej nesh e tillë? Një fugë për diçka?

Diagramat e koduara ose flashcodet

Libri ka një karakteristikë që për herë të parë e ka një libër shqip. Të gjithë të apasionuarit e muzikës klasike kanë mundësinë që, duke përdorur një telefon smart, të skanojnë disa flashcode që gjenden në brendësi të tij dhe të dëgjojnë pjesë nga albumi i Tedi Papavrami, transkriptime që autori u ka bërë disa prej kryeveprave të muzikës botërore. Sikundër shprehet autori (f. 222): Nisur nga shembulli i Bahut, sa inkurajues aq dhe demoralizues, iu futa punës së transkriptuesit, pra të përktheja për violinë vepra të shkruara për dhjetë gishtat e klaviçembalistit, me synimin për të hyrë në zemër të veprës së kompozitorit që më kishte ngushëlluar më shumë se çdo gjë tjetër gjatë jetës sime. Ky transkriptim ishte një burim i ri pasurie për gjithë marrëdhënien time me muzikën.

Në libër gjenden plot dhjetë të tilla: Ëzhen Izai, pjesë nga Sonata për violinë solo nr. 2, “Obsesion”, koha 1 (f. 6); Paganini, pjesë nga Kapriçio për violinë solo nr. 5 (f. 24); Johan Sebastian Bah, Fugë, pjesë nga sonata 1 për violinë solo (f. 34); Paganini, pjesë nga Kapriçio për violinë solo nr. 24 (f. 55); Johan Sebastian Bah, Sarabandë, pjesë nga partita 1 për violinë solo (f. 68); Bela Bartok, Presto, pjesë nga koha 4 e sonatës për violinë solo (f. 90); Johan Sebastian Bah, Çakona, pjesë nga partita 2 për violinë solo (f. 124); Bela Bartok, Tempo di ciaccona, pjesë nga koha 1 e sonatës per violinë solo (f. 172); Johan Sebastian Bah, Aria, pjesë e suitës për klaviçembal BËV 822 (f. 208); Johan Sebastian Bah, Fugë, pjesë nga Fantazi dhe fugë për organo BËV 542 (f. 223). 

 Tedi Papavrami përkthyes dhe aktor

Përkthimi, madje dhe puna e aktorit, shprehet Papavrami f. 223, aktivitete në dukje larg profesionit tim si violinist, ndoshta kanë një themel të përbashkët: gatishmërinë, aftësinë për ta lënë veten të depërtohet nga zëri i tjetrit. Tedi Papavrami është përkthyesi i Kadaresë në frëngjisht. Në librin “Fugë për violonë” emri i tij përmendet disa herë. Faqe 80 autori përshkruan takimin e tij të parë me të, në mënyrë indirekte, kur ishte vetëm dhjetë vjeç: ‘Mbi komodinën pranë shtratit të babait gjenden, njëri sipër tjetrit, shumë prej librave të tij me tituj të çuditshëm si “Ura me tri harqe”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kamarja e turpit”, “Pallati i ëndrrave” dhe disa të tjerë’; faqe 107, në një bisedë që i jati, R. Papavrami, bën me Amojalin; faqe 132: “Megjithëse nuk e kam takuar asnjëherë Kadarenë, nuk kam pikë dëshire që një shqiptar i zymtë të depërtojë në zonën përrallore që paraqesin këto darka në jetën time”; faqe 221 kur pohon se nga viti 2000 ka përkthyer dhjetë vepra të Kadaresë për lexuesin francez. “Dashuria për letërsinë, që më kishte ndihmuar aq shumë në vetminë e viteve të mia në Francë, ato orë leximi të vjedhura nga përqendrimi që duhet t’ua kisha kushtuar përditshmërisë së studimit të shkallëve, më ishin dukur shpesh kohë e humbur. Më ndodhte të ndieja keqardhje, ashtu si për zotërimin e gjuhës shqipe, kjo gjuhë e mrekullueshme që pothuaj nuk më hynte më në punë. Emblemë e një bote nga e cila kisha ikur, ishte radha e saj të më bënte të mundur, nëpërmjet përkthimit, arratisjen nga jeta ime prej muzikanti, në të njëjtën kohë që shkrimet e Kadaresë më çonin në zemër të së kaluarës sime.”