• |
ide | kryesore

SMS e Tahirit, shperthejne polemikat

I pakategorizuar
karikatura.jpg



Hetimi parlamentar për lëvizjet dhe shkarkimet në Policinë e Shtetit ka marrë dje një drejtim krejt të ri. Seanca e fundit dëgjimore e programuar me ministrin e Brendshëm ka sjellë surpriza, ku më shumë sesa dëshmia e tij mbi reformën në radhët e uniformave blu, rëndësi ka patur një mesazh telefonik, i lexuar në këtë mbledhje nga ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka, të cilin sipas tij, kryeministri Edi Rama ia kish nisur ministrit të vet, Sajmir Tahiri. Sipas Nokës, SMS-ja në fjalë tregon qartë se situata e rendit në Shqipëri është përkeqësuar dhe jo përmirësuar siç pretendon publikisht. “Në muajin mars 2014, dyfish vrasje krahasuar me muajin mars të vitit 2013, gjithashtu janë përkeqësuar të gjithë treguesit e tjerë dhe kjo është e trishtë për mua dhe e rëndë për qytetarët, dhe shpresoj që për ty të mos jetë vetëm tregues statistikor. Kjo nuk është kërkund ajo që ke marrë përsipër para meje dhe që kemi ne marrë përsipër përballë qytetarëve, pra si unë dhe ti. Është e përsëritur thirrja për hir të punës dhe dashamirësisë njerëzore ndaj teje, por ky kufi nuk mund të shkelet me neglizhencë fatale si ky lëshim skandaloz i punës dhe për këtë unë nuk jam shumë larg së menduari se problemi je ti dhe jo vartësit e tu, dhe nëse janë të paaftë ata, nuk kam kohë dhe dëshirë të merrem me ta, por mua më takon të merrem me ty. Unë besimin që ta kam dhënë, detyra dhe pritshmëria e publikut s’e meritojnë gjëkundi këtë pritshmëri. Flasim nesër për më tepër, por këto orë që kanë ngelur, bëj më pak orë gjumë dhe mendo ku ke gabuar, ç’nuk ke bërë mirë e çdo bësh për të riparuar në qoftë se mundesh”, – citoi Noka duke lexuar këtë mesazh telefonik. Kjo ka gjetur totalisht të papërgatitur si gjithë deputetët e mazhorancës në këtë komision, ashtu edhe vetë ministrin Tahiri, të cilët nuk kanë dashur ta besojnë vërtetësinë e tij. Kështu nënkryetari socialist, Taulant Balla nisi të thërriste në komision se ky ishte një mashtrim dhe sajesë e Flamur Nokës, ndërsa deputeti tjetër socialist, Pjerin Nderu ngriti pikëpyetjen se atë mesazh mund ta kishte shkruajtur vetë Noka. Gjithsesi, kjo gjendje konfuze duket se ka bërë që vetë ministri Tahiri të pohojë, ndoshta në nxitim e sipër, se SMS-ja në fjalë ishte e vërtetë, por duke theksuar se autori i saj ishte ai vetë dhe duke mohuar që atë ta kishte nisur kryeministri në drejtim të tij. “Ja ku e keni mesazhin, është mesazh që u kam dërguar unë dy bashkëpunëtorëve të mi, jo kryeministri mua. Kryeministri nuk më ka nisur asnjëherë një mesazh të tillë, sepse unë detyrën time e bëj shumë mirë, në mënyrë më të përgjegjshme të mundshme”, – tha Tahiri, duke mohuar kështu kritikat dhe vlerësimin negativ të Kryeministrit ndaj tij, por duke pranuar nga ana tjetër përmbajtjen e kësaj SMS-je se situata e rendit në vend është përkeqësuar. “Është tërësisht në vlerësimin tim të bisedoj me bashkëpunëtorët e mi dhe të vlerësoj si i përgjigjen punës. Ja ku e keni mesazhin, i referohet muajit mars, në të cilin vërtet vrasjet janë dhjetë, krahasuar me muajin mars të vitit 2012, që janë 5”, – tha Tahiri. Të gjendur para një fakti të kryer, deputetët e opozitës kanë nxituar më pas që të mos merren më me përmbajtjen, por me aktin e përgjimit të telefonave të politikanëve. Për këtë, ata kanë aluduar edhe për përfshirjen në këtë histori përgjimi të vetë kreut të SHISH-it, Visho Ajazi. “Akoma ka segmente të caktuara në Ministrinë e Brendshme, akoma ai zotëria që mori certifikatën para një jave (Visho Lika), që nuk e kishte dhe zoti Noka e Presidenti thoshte se nuk i duhej sepse e ka me ligj, ndërkohë vajti dhe e mori. Kjo është arsyeja pse vazhdon e përgjohet mazhoranca, por asgjë të keqe nuk ka”, – tha deputeti Xhemal Qefalia. Por deputetët demokratë kanë këmbëngulur se SMS-ja është e Kryeministrit, të cilën Tahiri ua ka nisur vartësve të vet dhe prej këtyre të fundit ajo ka mbërritur në duart e opozitës. “Ta thotë vetë, sepse më ka ardhur nga kabineti i ministrit. Nga kjo meritoni të kuptoni se mos ju ka përgjuar sërish Arben Imami”, – tha Noka. Më pas, pavarësisht se deputetët e majtë janë përpjekur që ta zhvendosin disa herë debatin tek çështje të tjera që kanë të bëjnë me reformën në radhët e forcave të rendit, ai sërish ka kaluar tek SMS-ja, e cila për opozitën vërteton sesa të suksesshme ishin këto reforma.