• |
ide | kryesore

Një Cirk i Absurdit nga Shtëpia e Enverit

Arkiva, Ide
qafmolla.jpg

Unë nuk kuptoj shumë nga arti konceptual. Në fakt, shijet e mija janë më konservatore dhe konvencionale se i ashtuquajturi “arti kontemporan”, në fjalët e artisit performues Klod Dedja me rastin e një aktiviteti te ish-shtëpia e diktatorit komunist Enver Hoxha. Në fakt, “kontemporan” në shqip, fjalë për fjalë përkthehet “bashkëkohor”, por as analfabetizmi relativ i këtij kalibri artistësh nuk është shqetësimi qendror i këtyre radhëve. Në fakt, sëkëlldia lidhet me krejt organizmin dhe mënyrën sesi vila e tiranit u hap për herë të parë për publikun, që nga vdekja e tij në 1985-n.

Duhet theksuar se “bizarllëku” ishte etiketa më përfaqësuese e këtij aktiviteti me emrin “Perdja e Hekurt”. Sa për të qenë të qartë (sipas Wikipedia), termi nënkupton konfliktin ideologjik dhe kufirin psikologjik qe e ndau Europën në dy zona nga fundi i Luftës II Botërore deri në fundin e Luftës së Ftohtë në vitin 1991. Me fjalë të tjera, simbolizon përpjekjet e Bashkimit Sovjetik për ta bllokuar veten shtetet satelite nga kontaktet e hapura me Perëndimin dhe zonat jashtë kontrollit sovjetik.

Kështu, “Perdja e Hekurt” në shtëpinë e Shokut Enver u sajua me një pritje koktej në oborr, ku rreth 200 të ftuar pritën me durim për rreth 45 minuta, ndërsa mund të zgjidhnin mes ca gotave me lëng portokalli dhe ca të tjerave me pije freskuese. E gjitha u realizua me lista të mbyllura për shkak të kapacitetit të kufizuar të vendit, por mund të pikasje VIP-a, diplomatë të huaj, artistë dhe të tjerë. Një sërë kamerash lëviznin vërdallë për të transmetuar imazhe “live” në një ekran të vendosur nga rruga kryesore e Bllokut, ku qytetarët e pamundur të bëheshin pjesë e jona (elitarëve) të mund të “merrnin pjesë në aktivitet”.

Disa kamerierë të veshur mirë dhe dukshëm të bezdisur lëvrinin nëpër oborrin e pasmë të vilës, ndërsa një trumbë vajzash promocioni (Hostess) veshur kuqezi qëndronin pa asnjë arsye të mirë në hyrjet e ndryshme të ndërtesës duke bërë praktikisht asgjë. Nuk u zbulua kurrë nëse ato ishin pjesë e performancave artistike apo përfaqësonin ndoshta firmën e sallamit që ishte një ndër sponsorët e aktivitetit.

Ndërkohë që prisnim të fillonte ngjarja, një miks muzikor me pllaka të vjetra gramafoni sekuestruar kulakëve nga regjimi i bujtësit ishin i vetmi zhvillim me interes ndërsa të ftuarit panë me durim nga disa pasqyra të instaluara përballë tyre në hyrjen e vilës më të famshme në Bllok. Pyetja e rëndomtë “ç’ka dashur të thotë autori” spikati në shumicën e bisedave krahas një bezdisje konsensuale mbi faktin se asgjë nuk po ndodhte. Më në fund, Ema Andrea doli dhe nisi fjalimin e hapjes së aktivitetit duke u sjellë lehtas çuditshëm dhe mefshtësisht siç i ka hije një artisti konceptual. Klod Dedja, i dyti në radhë, ishte veshur alla Jim Morrison me gjyzlykë dielli në darkë dhe foli në përgjithësi për artin. Jim Morrison ka vdekur në vitin 1971, rreth 14 vjet para Hoxhës, megjithatë legjenda e tij estetike vijon të jetojë në rrethin e artistëve “kontemporanë”.

Me mendjen time të paargasur në “art kontemporan” mendova se ndoshta artisti kishte menduar t’u komunikonte shkuesve (të vetes në pasqyra) se “kjo hapësirë (dhe regjim) jeni vetë ju”, çka do të kishte një farë kuptimi se në fund të fundit, siç thuhet “çdo popull meriton qeverisjen që ka”. Por sigurisht që nuk mund të ishte kaq e thjeshtë. Mbetem i bindur se mesazhi – nëse ka pasur një të tillë – ka qenë shumë më i thellë nga ç’mund të rrokë truri i të vdekshmëve të zakonshëm. Në fund të fundit, e përsëris se nuk marr erë nga spektakle të kësaj natyre.

Pas një farë kohe, na u dha leja të vizitonim oborrin, i cili në fakt është identik siç duket nga jashtë gardhit, me përjashtimin që mund ta fikje cigaren në rrugicat që përshkonin jeshillëkun dhe ta këqyrje fasadën pjesërisht të ndriçuar me dritë të kuqe nga afër. Kur më në fund u lejuam të hynim brenda, ndesha në një farë kubi të madh plastike të tejdukshme, ku Klod Deda lëvrinte vetëm në brekë në mes të një masivi kubash akulli. Herë pas here hukaste mbi xham apo edhe e lëpinte atë. “Të paktën të kishte nxjerrë k*arin”, vërejti me një farë bezdisjeje një vajzë që po kalonte bri meje me një grup shoqesh. Në fakt, edhe unë si zonjusha në fjalë dhe shumica e vizitorëve, ishim aty pikërisht për të parë penisin legjendar të artistit më të madh performues shqiptar. Por jo vetëm. Pas nudos së Edi Ramës dhe obuzit legjendar të kalit të Skënderbeut, Ay i Klodit është hallati më i famshëm në Ballkanin Perëndimor. Artisti ka deklaruar se pas vdekjes do ta nxjerrë në ankand. Diçka e tillë mund të mos jetë e nevojshme duke qenë se MOMA (Muzeu i Artit Modern në Manhatan) ka kërkuar ta blejë kundrejt çdo çmimi këtë objekt përfaqësues të kulturës botërore.

Por jo të gjithë kishin ardhur për veglën e munguar artistike. Të tjerë kishin mbërritur enkas për të parë një tjetër artist, i cili në sallën ngjitur vërtitej dhunshëm dhe rrëzohej mbi një pirg groshësh duke shpërndarë kokrrat nëpër dhomë. Ndërkaq, artdashësit e vërtetë të teatrit u dyndën në turma të ngjeshura fort si radhë falangash spartane për të parë Ema Andrean në një dhomë të katit të dytë që thyente vezë me çekiç. Aq e eksituar ishte hordhia sa u desh ndërhyrja e trupave të Gardës për të shpërndarë turmën dhe shpëtuar artisten nga simpatizantët. Sipas gjasave – çka do të thotë se sipas të gjitha gjasave e kam gabim – performanca e Emas nënkuptonte regjimin tiran që ua shtypte kokat njerëzve si vezë.

Për t’u kthyer në një kontekst më serioz, duhet theksuar se i gjithë ndriçimi ishte fokusuar te performancat duke lënë thuajse tërësisht në errësirë pjesën tjetër të shtëpisë (dhe se performanca e Emas tërhoqi po aq shikues sa çdo tjetër). Mjafton të kontrollohet edhe Fejsbuku sot për të kuptuar se fotot e ndara nuk janë ato të titanëve të artit “kontemporan” por të vetë vizitorëve në ato pak kënde të pacenuara nga performancat, apo të objekteve të ndryshme dhe të aredimit. Pjesa dërrmuese e të pranishmëve ishin vërtet aty për të parë shtëpinë e diktatorit, një ushtrim ky tepër i vështirë duke qenë se pikërisht ajo ishte eklipsuar dukshëm me qëllim, për ta fokusuar vëmendjen te ngjarjet artistike. Këto të fundit, edhe brenda paradigmës së revoltës artistike kundrejt diktaturës dhe shtypjes së lirisë së shprehjes, personalisht i gjykoj tërësisht jopërfaqësuese, jo vetëm të asaj epoke, por edhe të projektimit të së sotmes në të shkuarën dhe anasjelltas. Për më tepër, kjo formë arti performues dhe gjerësisht jopërfaqësues nuk mund të ishte “sebepi” qendror i çeljes së parë të shtëpisë së diktatorit për publikun.

Në fund, pas rreth një orë e gjysme të shpenzuar në atë ambient dola pa m’u dhënë mundësia ta shoh shtëpinë. Të njëjtën përshtypje e ndanë edhe vizitorë të tjerë të cilët i pyeta më pas. Pompoziteti i asketit me pije freskuese ishte po ashtu i panevojshëm, sipas mendimit tim personal dhe të anshëm. Pjesëmarrja me numra të mbyllur bënte kuptim, por kësaj duhet t’i kishte paraprirë një hapje e kontrolluar e shtëpisë për gjithë publikun, për të paktën disa javë. Por vendosja e ekranit në oborr ishte gabimi më tragjik. Përmes tij u bëhej karshillëk të gjithë qytetarëve të cilët ftoheshin të shihnin një festë të mbyllur – një “Privé” – ku ata nuk merrnin dot pjesë duke mos qenë pjesë e elitës, pjesë e së cilës ishim ne të tjerët.

Por ja një lajm i mirë: institucionet përgjegjëse kanë premtuar se shtëpia e Enver Hoxhës do të kthehet në muze për t’u vizituar nga të gjithë, qofshin VIP-a ose jo. Mbetet për t’u parë. Ndërkaq, lajmi vërtet i mirë është se të paktën dhe ndonëse në një formë për disa, shumë të gabuar, të paktën u hap.

Kthehu