• |
ide | kryesore

Dr Flori, dy përdhosje që askush nuk do donte t’i ndodhnin pas vdekjes

Arkiva, Ide
Andi_Bushati.jpg



Kishte një hipokrizi të madhe në orët që pasuan ndarjen nga jeta të Florian Kondit. Në të gjitha pasvdekjet ka zakonisht një empati që i kalon kufijtë e arsyes. Por këtë rradhë ajo kaloi çdo cak. Dr Flori, ashtu sikurse e njihnin të gjithë, ishte një artist rebel, një këngëtar i angazhuar, plot kurajo shpesh herë dhe plot hidhërim të zi, në raste të tjera. Por ai ishte edhe një njeri me probleme, në një kacafytje të përhershme me drogën, e cila siç po dëshmohet sot, qe shkaku kryesor që e çoi drejt qiellit. Mirëpo këtë betejë epike të jetës së tij, këtë vuajtje, këtë mundim, këtë peng që po aq sa i sillte delire krijuese, po aq dhe i shkaktonte  kriza depresive, shumë nga miqtë e tij u munduan ta mbanin të fshehur në orët pas largimit të tij. U angazhuan t’i “fshihnin” nga shtypi dhe televizionet gjurmët e kokainës të gjetura në gjakun e tij dhe u munduan të paraqisnin një Dr Flor që ish larguar në paqe drejt zotit. Natyrisht që kjo u bë në emër të një kujdesi, të mos brengosjes edhe më të familjarëve, të ruajtjes së një imazhi politikisht korrekt. Por pyetja që bëhet sot është: a e donte vetë Dr Flori një imazh të tillë? Mos vallë ai donte të përqasej më shumë me atë këngën “mos pi mall, bëj palestër” të kënduar së fundi? Mos ndoshta ai donte ta asocionin më tepër me atë klithmë që kërkoi të përçonte në daljen e fundit në emisionin “Zonë e Lirë” kur tha se: “Rreziku është i madh që të të mundë droga, jo ta mundë njeriu drogën”? A mos donte ai të mbetej si imazhi tragjik i një njeriu që e humbi këtë luftë? (rubrika lajme Lapsi.al) Në atë emision, Dr Flori deklaroi se ai kërkonte që mesazhin e asaj kënge ta përhapte edhe në shkolla, të fliste edhe me nxënës e gjimnazistë për rrezikun që përmbajnë drogat e forta. Ndoshta edhe me vdekjen e tij, ai do të kish dashur të mbetej imazhi i një njeriu që luftoi dhe u mund nga kjo fatkeqësi. Vëtëm kështu do të shërbente që shumë e shumë të tjerë të mos kishin të njëjtin fat si ai. Por miqtë e tij u munduan të bëjnë të kundërtën. Nën trysninë e hipokrizisë të përgjithshme, ata e privuan Dr Florin nga ky “mision”. Ata kërkuan të ndërtojnë portretin e njeriut që shkoi në qiell i zhveshur nga veset, para atij të misionarit që mund të shndërrohet në ikonë. Hipokrizia e dytë me Dr Florin qe ajo e politikanëve me të cilët u përball në jetë. “Lamtumirë miku im gjenial” shkroi menjëherë në Facebook, Edi Rama. Duke harruar se është tashmë një e vërtetë publike fakti se ata nuk qenë më miq. Vërtet Dr Flori ka kënduar së bashku me të, atë këngën hit të fushatës elektorale për Tironën, në vitin 2003. Vërtet ai përsëriti edhe në vitin 2009 të njëjtën eksperiencë me këngën “Çohu” . Por, prej 2013-ës ai nuk qe më “miku gjenial”, por fshikulluesi i pakompromis i Ramës me këngën “Zemërthyer”. Me këtë hit të angazhuar, për të cilin dikush thotë se u financua nga PD-ja e dikush tjetër përbetohet për të kundërtën,  ai e denoncoi pa kompromis hipokrizinë e Ramës. Zëri i tij që thërriste se ndihej i tradhëtuar e i pa përfaqësuar ushtoi për disa ditë anembanë Shqipërisë.  Edi Rama përshkruhej aty si njeriu që lëpin aty ku shkel, si njeriu që nuk ka parime, por vetëm pazare. Dhe “miku gjenial” denonconte pikërisht pazarin që Rama po bënte me Ilir Metën. Për këtë bashkim politik Dr Flori bërtiste : «ata nesër do mbjellin gënjeshtër »(rubrika lajme Lapsi.al). Por pikërisht në ditën e vdekjes së tij, në funeralin e Dr Florit, u shfaq Ilir Meta. I sigurtë se tani artisti rebel nuk denonconte dot më, ai bëri thirrje ta kujtojnë  “atë, gjithmonë të qeshur, plot energji dhe dëshirë për t’i gëzuar të gjithë të tjerët”. Hipokrizi më të madhe për një njeri që tashmë ish larguar nuk kishte. Politikanët u përpoqën që me nga një frazë t’i fshihnin mesazhet e këngëve të tij. Miqtë t’i harronin dramat, brengat dhe vuajtjet e jetës së tij. Disa nga ligësia dhe disa nga padija, atë ndërtuan një karikaturë të Dr Florit, shumë larg portretit të tij real, plot përshkënditje talenti dhe humnera përhumbjeje. Ata vizatuan një imazh që nuk i shkonte aspak fizionomisë të këtij artisti rebel, që u nda nga jeta në moshë krejt të re. Por pavarësisht nga kjo, askush nuk do të mund ta zhbëjë atë që Florian Kondi ishte për 35 vjet : një krijues plot dritë dhe një njeri plot hije. Sepse hipokrizia e ditëve të pasvdekjes, nuk e fashit dot kurrë, angazhimin e një jete. / Lapsi.al