• |
ide | kryesore

Protestat/Ç’farë po ndodh në Podgoricë?

Arkiva, Planet
protest-october-18-004-300x225.jpg



Disa mijëra njerëz vijuan të protestojnë në Podgoricë të dielën duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Milo Gjukanoviç. Tensionet qenë të larta ndërsa protestuesit dolën sërish në rrugë pas përleshjeve të dhunshme me policinë ditën e shtunë.

Organizuesit e protestës, një aleancë e partive opozitare që e quan veten Fronti Demokratik, premtuan zgjerim të protestës nëpër “të gjithë Malin e Zi”, në rast se qeveria e Gjukanoviç nuk dorëhiqet brenda të shtunës së ardhëshme.

Udhëheqësit e opozitës i kanë kërkuar protestuesve të qëndrojnë paqësorë, duke thënë se është shumë e nevojshme që ata “të mos bien pre e provokimeve dhe të veprojnë me dinjitet”, ndërsa vëzhguesit kanë frikë se dhuna mund të shpërthejë nga çasti në çast. Të shtunën, policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit të cilët iu përgjigjën me gurë.

“Ne nuk do të dorëzohemi, ky është Mali i Zi i vërtetë,” tha udhëheqësi i opozitës Nebojsa Medojevic para protestuesve që bërtisnin “fitore, fitore”.

Një zyrtar tjetër i opozitës, Andrija Mandic, tha se Gjukanoviçi ka ikur nga vendi me një avion të dielën në darkë, por partia e kryeministrit, Partia Demokratike e Socialistëve, e përgënjeshtroi lajmin.

Partia në pushtet akuzoi Frontin Demokratik se po përpiqet të shkatërrojë “rendin socialist dhe të ndalojë vendin të anëtarësohet në NATO”.

Vlerësimet jozyrtare të policisë thonë se rreth 5 mijë njerëz morën pjesë në manifestimin në sheshin kryesor të Podgoricës por organizatorët pretenduan se qenë 10 mijë njerëz që kërkuan dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të parakohëshme.

Udhëheqësit e shumë partive opozitare, organizatave dhe shoqatave studentore që më herët nuk i patën mbështetur protestat e Frontit Demokratik, u bashkuan së fundmi me demonstratat antiqeveritare të dielën për herë të parë.

Dhuna shpërtheu të shtunën në mëngjes dhe në mbrëmje ndërsa policia me pajisje speciale përdori gaz lotsjellës me synimin për të shpërndarë protestuesit që vijojnë të grumbullohen prej tri javësh dhe për të shkatërruar kampin e opozitës para ndërtesës së parlamentit.

Gjatë përleshjeve, së paku tri udhëheqës të opozitës dhe shumë deputetë u plagosën. Policia tha se ka arrestuar 15 njerëz të shtunën si dhe se ka pasur katër policë të plagosur nga gurët e hedhur nga protestuesit të cilët, sipas pretendimeve të policisë “u përpoqën të hyjnë në ndërtesën e parlamentit”.

Gjithsesi, kryetari i Parlamentit Ranko Krivokapic tha se ai nuk kishte dijeni që demonstruesit qenë përpjekur të hyjnë në parlament siç pretendohet nga policia.

Policia ndërkohë arrestoi edhe tri gazetarë bashkë me protestuesit.

Pas takimit me përfaqësuesit e partive parlamentare Krivokapic nxiti deputetët e Frontit Demokratik të kthehen në parlament dhe të “trajtojnë problemet në mënyrë institucionale”.
Ndërkohë, delegacioni i Bashkimit Europian në Malin e Zi i kërkoi autoriteteve të hetojnë përleshjet e së shtunës dhe theksoi se përdorimi i forcës së tepërt nga ana e policisë është e papranueshme bashkë me arrestimin e tri gazetarëve.

“Çdokush duhet të jetë i lirë të shprehë opinionin e vet dhe gazetarët duhet të lejohet të kryejnë detyrën e tyre të papenguar,” tha BE-ja në një deklaratë.

Doris Pack, ish kryetarja e delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Jugolindore, qe ndërkohë më e drejtpërdrejtë duke komentuar në Tëitter se Mali i Zi është një vend ku “një kryeministër autokratik e ka vendosur veten mbi ligjin duke arrestuar protestues paqësorë”.

Ministri i Jashtëm i Rusisë kritikoi nga ana e tij shkatërrimin e kampit të opozitës dhe deklaroi se stabiliteti në Malin e Zi mbetet në interes të Rusisë.

Protestuesit janë akuzuar se synojnë të rrëzojnë qeverinë e Gjukanoviç, e cila, megjithëse konsiderohet gjerësisht si një autokraci, synon ta integrojë Malin e Zi në NATO. Protestuesit kanë përsëritur vazhdimisht se demonstratat e tyre nuk janë kundër NATO-s. Rusia nga ana e saj përsëriti se anëtarësim në NATO nuk do ta bëjë Malin e Zi një vend “të konsoliduar dhe në lulëzim”
Reporter.al