• |
ide | kryesore

Juri Solomin dhe Entoni Hopkins, fantazmat e mbrëmjeve çehoviane në Teatrin Kombëtar

Arkiva, Blog
image.jpeg



Nga Entela Bineri

Hyrje

Për zhan valzhanët, sigurisht, është e pakuptueshme ajo çka nënkupton fjala plagjiaturë. Për grabitqarët e mëdhenj, qesharake. Por për atë që beson në krijimin, kjo përbën fyerje dhe për vetë krijuesin ca më tepër. Gjithsesi, Juri Solomin (Ю́рий Соло́мин, regjisor), por, pse jo, edhe Entoni Hopkins (Anthony Hopkins, kompozues i pjesës “And the waltz goes on”, melodi e papërmendur, por e përdorur në shfaqjen “Tri motrat” në Tiranë) e kushedi se kush tjetër nuk do të lëndohen shumë nga fakti që në një cep të Evropës, një copë trupe kombëtare teatrore na paska përdorur krijimtarinë e tyre, për t’u dhënë sadopak përpunim “barinjve” shqiptarë, të cilët, pasi mësuan të ulen në ndenjëse, ka ardhur koha të mësohen me shfaqje teatrore, që zgjatin paksa në kohë… Përkundrazi, ndoshta do të ndiheshin misionarë këta artistë të mëdhenj, po të viheshin në dijeni të kësaj plagjiaturice. Kështu duhet të kenë menduar realizuesit e shfaqjes “Tri motrat” të Çehovit, të cilët jo pak herë u shprehën në media se spektatorit shqiptar i ka ardhur koha të mësohet të rrijë pak më gjatë në sallë, se kështu rrihet gjithandej në teatrot e mëdhenj të botës… …duke harruar se dinjiteti profesional, ashtu si gjithçka tjetër, nuk rritet me sasinë, por me cilësinë, e cila sa ç’u rrit, po aq u cenua: Krejt e papërtypshme të vihet në skenë një autor, boshti i të cilit është vërtetësia, dhe të sillesh plot hipokrizi. Qëllimet e vënësit në skenë të shfaqjes “Tri motrat” ishin: drama të fliste shqip dhe të përbënte një çast historik në skenën shqiptare, duke e vetëcilësuar një shfaqje të madhe, ku një gjetje të shkëlqyer përbëkëshin skena dhe kostumet… (dëshirë krejt e përligjur dhe jo e rrallë)

E vërtetë ose jo…

Por ja që “youtube” na shërben me videon e po kësaj drame nga regjisori Juri Solomin dhe trupa e tij, e… si koncepti regjisorial shqiptar, si skenografia, si kostumografia na rezultojnë kaq pa ngjyrë teksa shohim origjinalin. Vetë vënësi në skenën shqiptare i dramës në fjalë është shprehur në media se ky do të ishte një kurth për të dhe rezultoi vërtet ashtu: Çehovi ishte një çark që zuri atë vetë dhe trupën e tij, nga e cila një numër i konsiderueshëm aktorësh (7 aktorë) janë pjesë e shfaqjes së radhës (“Zbutja e kryeneçes” nga Shekspiri)…

Mallëngjyese teksa Irina shqiptare në intervistat e saj e cilëson vënësin në skenë të shfaqjes si babain e kësaj shfaqjeje. Gjithsesi, besojmë se kjo shfaqje ishte enkas dhe vetëm për “barinjtë” e “bareshat” shqiptare dhe gjithçka mbyllet brenda shtëpisë sonë, pasi në ç’festival ballkanik, evropian a ndërkombëtar do të marrë pjesë Teatri Kombëtar me perceptime e konceptime të “marra fshehtas”???

Vlerë – kundërvlerë

Autorë të përmasave çehoviane u flasin brezave, njëri pas tjetrit, duke tingëlluar freskët. Kapërcejnë kufij dhe zënë vend në skena të ndryshme kombëtare, ku japin shumë, por edhe shformohen paksa, duke marrë nga çdo kombësi ngjyresën karakteristike, e cila do të përbënte atë që quhet individualitet. Por a pati individualitet artistik shqiptar Çehovi? Ajo që u dallua më tepër ishte imitimi gati në çdo frymëmarrjeje i trupës ruse të Solominit… Me gaztorizimin që iu dha shpeshherë shfaqjes, ajo u shqiptarizua, por nuk krijoi dot individualitet. Në fund të fundit shija e përgjithshme në shoqërinë njerëzore vërtitet midis etjes për të qeshur dhe urisë për dramë, në shoqërinë shqiptare pak më shumë. Aq shumë u përpoq trupa shqiptare të imitonte përmes “youtube”-it variantin më të mirë (atë rus midis shumë të tjerësh) dhe më të vonshëm në kohë, sa harroi ta korigjojë regjisorin Juri Solomin në disa pika që, në fund të fundit, mund të mos ketë pasur të drejtë, ashtu siç në elemente të tjera do të duhej një qëndrim edhe më besnik nga ai që u shfaq në Teatrin tonë Kombëtar. Aktorja e Irinës shqiptare, ngelur peng i përngjasimit me nënën e vet aktore dhe ambicies për të qenë e tillë, duket se nuk e zotëron shkëlqimin e brendshëm të Yllka Mujos, nuk ka botën e saj dhe shembëllen si hija e figurës së saj. Ishte sidomos shtirja e Irinës shqiptare në skenë ajo çka bëri të kërkohej e të kërkohej një vërtetim i këtij mendimi dyshues. Shtirje, të cilën jo çdokush nga spektatorët e ndien, jo çdokush e vë re, aq më pak jo çdokush e vë në dukje. Të paktën, jo ata që shkojnë për t’u argëtuar në sallë, jo ata që shkojnë për dukje. Jo ata që shkruajnë me porosi të paracaktuar për të… Tuzembahu shqiptar, për fat të keq, erdhi gjithashtu me një lojë të shtirur. E kuptueshme në aktore të reja Natashash, por në këtë rast, në rastin e një përvoje afatgjatë dhe të një talenti të vërtetuar në kohë, imitimi i një aktori tjetër deri edhe në buzëqeshjen miradashëse të vazhdueshme stampuar në portret, përbën një akt të pafalshëm artistikisht. Për të mos mohuar gjithçka, edhe pse Gert Ferra erdhi më rus sesa një rus, krejt i ashpër, si në çdo rol caktuar për të, në gjithë egërtinë e tij vinte kaq natyrshëm. U duk se ai s’u është përmbajtur udhëzimeve “youtube”-eske. Gjithsesi, do të duhej ta shihnim edhe në role të tjera, për të parë nëse deri tanimë ka luajtur vetveten në personazhe apo është vërtet një aktor i mirë. Te personazhi i Kulliginit, sigurisht pati individualitet, pati ndarje nga imitimi, por ashtu si te Çebutkini u ndie një zmadhim i tipareve negative të karakterit, duke lënë shijen e groteskes. Për më tej, nëse dikush e cilësoi të ekzagjeruar Natashën shqiptare, dikush tjetër e renditi ndër personazhet e realizuara (jo dublanten), por ja që kur sheh Natashën ruse, ndien se edhe intonacioni mes tyre është i njëjtë e në këtë pikë ç’mund të thuash më tepër se aktorja shqiptare paska qenë dublantja besnike e Natashës ruse.

Përkitshmëritë

Që nga niste imitimi? Që nga përzgjedhja e aktorëve. Në shumë prej aktorëve tanë shihje tiparet fizike dhe portretet e elementëve të trupës ruse, deri edhe gjuha e trupit lexohej gati njësoj. E megjithatë, nëse nevojiten ilustrime, mund të rendisim disa situata, në të cilat Çehovi ka këshilluar një tjetër sjellje në skenë dhe dy regjisorët paskan menduar çuditërisht njësoj për t’i ndryshuar: Në hyrje të skenës së parë autori thotë se Irina rri në këmbë e menduar, por ja që në shfaqjen e Solominit dhe në tonën Irina kalon nga një çast vallëzimi te pianoja, te libri etj… Në çastin kur Irina pyet Çebutkinin: “Më thoni, pse jam sot kaq e lumtur?” dhe përgjunjet në krah të tij, nga njëra shfaqje në tjetrën ndryshon vetëm kahu, ndërkohë që Çehovi nuk e këshillon një pozicion të tillë. Po e njëjtë nga shfaqja në shfaqje mënyra se si përshëndetet Vershinini me tri motrat në çastin e ardhjes së tij në shtëpinë e Prozorovëve, ku ajo që përkulet është vetëm Irina. “Andrjusha dashuron”, kështu thërrasin aktorët teksa kanë rrethuar Andrejin, një tjetër element i njëjtë në shfaqjet, i cili nuk frymëzohet nga didaskalitë e Çehovit. Në to thuhet se Çebutkini i shkon nga pas dhe e zë me të dyja duart për mesi. Në të dyja shfaqjet Andreji rrëmben diçka për të ngrënë nga tryeza, duke shkaktuar edhe humor te të pranishmit, kurse në tekst ai largohet pa u vënë re nga askush. Njëjtazi kur Kulligini kërkon t’ia marrë librin Irinës dhe ajo largohet me një rendje të lehtë. Sipas Çehovit, Fedotiku ka një dhuratë për Irinën, të cilën e nxjerr nga xhepi, por lodrën në shfaqjet jo vetëm s’mund ta përmbajë asnjë xhep për përmasat që ka, por edhe demonstrimi përtokë duket i njëjtë në të dyja shfaqjet. Akti i dytë hapet me Natashën, e cila jepet duke ndier paksa ritmin pranë dritares dhe kjo është e njëjtë si përherë nga njëra shfaqje në tjetrën. Teksa monologon në dhomë, doktori merr një enë, duke kërkuar ujë në të në shfaqjen ruse, kurse në shfaqjen shqiptare ena ka qëlluar e mbushur me ujë, por përsëri e njëjtë pamja. Doktori hipokrit është i fyer nga imoraliteti i Natashës dhe ua përplas në sy symbylljen të pranishmëve në skenë, duke kthyer kurrizin e duke treguar të prapmet në shenjë talljeje. Edhe këtu përngjasim. Në një tjetër çast, Masha dhe Vershinini e thërrasin njëri-tjetrin me tingëllimet tra-ta-tam, pra, në çaste ekzaltimi është e pamundur që Masha të largohet nga dhoma plot egërsi, mirëpo ja që si njëri regjisor, si tjetri e bëjnë të ikë e inatosur Mashën. Gjatë kësaj skene, Olga merret me shtrimin e shtreteve, por edhe mund të merrej me diçka tjetër. Çehovi e ka lënë të lirë. Gjithsesi, edhe kësaj radhe regjisorët kanë rënë në ujdi. Sipas Çehovit, Natasha del në dritare për t’i tërhequr vëmendjen Andrejit, kurse në dy shfaqjet, dritarja është shmangur. Vershininët, ndonëse nuk ngjajnë fort në karakter, në atë çka përcjellin, në çastin e ndarjes ata janë perceptuar me të njëjtën arrogancë. Fjalët e Çehovit se Vershinini largohet i mallëngjyer, lexohen kaq zbehtë në lojë. Më së shumti, ky Vershinin duket se është gati për gjuetinë e radhës. Natasha e secilës shfaqje, duke u përkundur, afrohet në stolin ku janë ulur tri motrat dhe i hedh pupthi për t’i krijuar hapësirë vetes. Ndryshimi nga një Natashë në tjetrën në këtë situatë është se ajo shqiptare flakëron nga një fustan i kuq, kurse rusja të kuqen e ka pjesë të jashtme të veshjes dhe jo në ngjyresën më të shkëlqyer të saj, pasi edhe vetë karakteri i saj është i tillë, i dashur së jashtmi, përlyer së brendshmi.

Mospërputhjet

Mirëpo edhe imitimet kërkojnë art në vetvete, kështu që mungesë aftësie apo dëshirë për të bërë edhe vetë art, sollën çaste kur regjisori shqiptar nuk përputhej në krahasim me Solominin: Në zgjedhjen e aktores për Olgën, mësuese dhe më pas drejtoreshë, do të duhej më së pari të pasqyrohej autoritet, ndërsa në Olgën shqiptare i vetmi tipar që mungonte ishte pikërisht ky! Pra, nëse i bëhet një analizë psikologjike personazhit, rezulton se një portret i përvuajtur mësonjëseje nuk mjafton. Në zgjedhjen e një Irine të vjetruar në vend të një vajze të re plot ëndrra rinore, një zgjedhje në të cilën shkëlqimi i syve të një 20-vjeçareje u zëvendësua me cepat e varur të buzëve të një 33-vjeçareje… Asnjë grimier nuk mund të ndihmojë në riardhjen a ripërtëritjen e shkëlqimit të rinisë. Për rrjedhojë, dëlirësia e munguar, e cila s’mund të vijë as me vullnet e as me prova, e aktores në interpretim na paraqiti kështu shtirjen e radhës në skenë. Në zgjedhjen e dy Mashave krejt të ftohta, plot gusha të varura dhe qeska sysh në vend të Mashës së zjarrtë dhe ende të re të Solominit. Në zgjedhjen e një Vershinini që dha në skenë më shumë sesa karakterin e oficerit, atë të të vetëkënaqurit që luan përherë vetveten, plot arrogancë dhe tinguj fishkëllues, kaq shpërfillës në skenë si ndaj partneres, si ndaj rolit. Një mendësi dhe një trajtim i tillë nuk mund ta ndihmojnë atë ta zbërthejë personazhin dhe të bëhet një me të. Vershininit shqiptar dukej se i kishte zënë rrugën gjithçka, madje edhe ky rol që kishte marrë përsipër.

Sukses apo dështim?

A pati sukses kjo shfaqje??? Nëse 100 apo 200 vjet më vonë dikush do të hapë shtypin e kohës, do të gjejë në të fakte të pakundërshtueshme të një suksesi të madh… Do të shohë se si është vënë në veprim një lokomotivë e tërë artikujsh të palës mbrojtëse, edhe para se ta sulmonte dikush palën e akuzuar… …persona me njëfarë ndikimi në shoqëri në fushën kulturore mend shkruan analiza gati para se të jepej premiera… ndonëse të shkruanin për këtë shfaqje e çdo shfaqje tjetër, ashtu siç edhe bënë shumë shpejt (shkruan), do të thoshte dhe thotë kundërshti ose marrëveshje interesash… Si të mos quhet e suksesshme një shfaqje biletat e së cilës u shitën masivisht, para se të jepej premiera… Pra, merita më e lartë nuk i takon shfaqjes, por mënyrës se si iu bë jehonë asaj, duke përdorur emrin e autorit. U përmend sa herë nga njëra gazetë në tjetrën (artikujt e të cilave më së shumti u përngjasin teksteve shkollore me karakter thjesht informues dhe zbehtësisht analitik) për konceptim të ri nga regjisori shqiptar, por ja që ky konceptim rezultoi i vitit 2005 nga Solomini rus; u fol për mjeshtëri të profilizuar për kostumografinë e shfaqjes, porse një profesionist e shumta mund të ndikohet, jo të sundohet nga shembujt që shikon a lëvron… Çështja është sa shkëlqeu në të vërtetë “Tri motrat” shqiptare? Aq sa mund të shkëlqejë një imitim. Vlera e një vepre nuk matet domosdoshmërisht me shitje biletash, por edhe në qoftë se duam ta marrim parasysh këtë, shfaqja zgjati vetëm pesë javë me një sallë të përgjysmuar për nevoja të shfaqjes. “Pamje nga ura”, “Udhëtim i gjatë drejt natës” apo “Djemtë gazmorë” për një element mbizotërues a për një tjetër (tekst, regji, aktrim) kanë vijuar për javë me radhë me salla të tejmbushura, pa ndenjëse mangët. E pra, nuk kemi numëruar bileta, por nëse i numërojmë, dyshohet se “Tri motrat” janë çasti historik i Teatrit Kombëtar. Për më tepër që kemi të bëjmë me një tekst, të cilit sado t’ia zbehësh shkëlqimin me trajtim të zvarritur dhe zvarritjet në skenë nuk munguan, duke krijuar mjaft lodhje te shikuesi, për shkak të ritmit të ngadaltë dhe vendqëndrimit të panevojshëm në skenë të aktorëve, duke kundruar njëri-tjetrin e duke dëgjuar monologje, të cilat me radhë erdhën nga secili aktor në formën e një ligjërimi moralizues. Jo se shoqëria jonë nuk ka nevojë për moral, veçse, as nuk është krejt e pamoralshme. Prej këtej edhe buron pranimi apo mospranimi i falsitetit në skenë. Arti është pasqyrim i jetës sonë, tjetër se arti i mirëfilltë do të duhej të ishte pasqyrim i së ardhmes, por një shoqëri (përgjithësisht) false e meriton një teatër të rremë, i cili në repertorin e vet nuk ka asgjë të re, asgjë që e zgjon këtë shoqëri të përgjumur… …meritë për të cilën ka edhe media, e cila rrallë përzgjedh se ç’duhet të paraqesë në fushën e kulturës pa ndikimin politik, po ashtu si artistët rrallë ose aspak përzgjedhin një gazetë për intervistat e tyre. Nuk ka rëndësi nëse bien në përsëritje të vazhdueshme. Mjafton që kjo t’i shërbejë njohjes së “produktit” masivisht. Interneti është dhe do të duhej të shihej si një mundësi e mirë teknologjike ku njerëzia mbarë shkëmben përvoja mes vetes. Pikërisht kjo mundësi do të duhej ta rriste aktorin dhe jo ta shndërronte në një dublant të skenës ruse. Kjo ishte risia e vërtetë e teatrit dhe jo dublantët e brendshëm, të cilët për më tepër ishin ana e zbehtë e dublimit shqip. Një pjesë të “meritës” së këtij realizimi duhet t’ia drejtojmë kohës në të cilën jetojmë. Kjo kohë kërkon buratinë dhe skena nuk ia kursen. S’do të qe keq nëse skena do të udhëhiqte dhe jo të udhëhiqej, por sidoqoftë edhe nëse mbahet në një nivel mediokër publiku, s’është keq. Nëse qëllimi dytësor i shfaqjes do të ishte paraqitja e një epoke tjetër falë kalitjes së durimit, atëherë po, qëllimit ia arriti. Me disa kurthe të vogla, gatuar me elemente skenografie, kostumografie e muzikologjie, sigurisht, nën ndikimin e mendimit dhe ndjenjës çehoviane, spektatori e kaliti durimin. Teksa aktorë e spektatorë u larguan të mallëngjyer nga kjo shfaqje, Çehovi dhe armata e tij do të jenë çliruar nga gënjeshtrat e radhës. Çehovi, i cili në kohën e vet nuk pranoi as të vilte duartrokitjet e merituara nga publiku në premierën e veprës së tij…

Mbyllje

Gjithësesi, kjo vepër u trajtua me rëndësinë më të lartë të mundshme të aftësive të dramatizimit të skenës sonë, veçse, nëse shihet si një pikë arritjeje, do të ishte gabim. Nëse do ta krahasonim me shumë shfaqje të dobëta që më së fundmi Teatri Kombëtar ka shfaqur, kjo dramë përbën një nivel prej nga duhet të nisë vlerësimi. Sa i përket faktit se ku duhet të arrijë, është e dukshme që teatri ynë është ende larg, është ende në fazën e imitimit të teatrit klasik… Frika më e madhe e personazheve të Çehovit është ajo se do të harrohen në kohë dhe dëshira më e madhe e një artisti është, domosdo, të lërë një gjurmë në kohë… dhe elementët e kësaj shfaqjeje e lanë një të atillë… Ndoshta kjo nuk është një e vërtetë e plotë, po qoftë edhe e pjesshme, ndoshta gjithë ç’u përmend është vetëm një hamendësim, të cilin e vërtetojnë ose jo fotot, videot përkatëse, që ftohet t’i shohë kushdo që ka shqisa dhe kujtesë të mirë. E nëse ndodh që shumëkujt prej jush ky hamendësim nuk i duket më i tillë, por një e vërtetë e qenësishme, lind shqetësimi tjetër: a do të marrë masa drejtori i Teatrit Kombëtar ndaj regjisorit në fjalë???

http://youtu.be/XBfXuKhUolY



1 Comment

  1. Titull Leshi
    Sado interesant qe te jete shkrimi… Me kete titull leshi qe i ka vene kjo si tip gazetare, as ka per ta lexuar njeri…