• |
ide | kryesore

Dhuna në portalet online, si nxitëse të bulizmit në Shqipëri

Arkiva, Blog
hRXDGR43.jpeg



Mjafton të ecesh pesë minuta në ditë rrugëve të Tiranes mes njerëzve, për të perceptuar dhunë tek vështrimet, fjalë me dhunë brenda, ecje të dhunshme, qeshje të dhunshme dhe njerëz që pështyjnë dhunshëm.
Mjafton të lundrosh online në rrjet pesë minuta për të pikasur shkrime me akte të dhunshme: u vra, u dogj, shpërtheu, e therri, e përdhunoi, e rrahu.
Por, jo vetëm kaq! Dhunën e percepton në gjithçfarë shkrimesh mbi seksualitetin. Portalet e ndryshme shqiptare, por edhe faqe me mijëra ndjekes, janë bërë furnizues të shkrimeve mbi dhunën dhe seksin.  Në njerën anë raportojnë ngjarjet e dhunës (shpesh në versionin copy- paste dhe shpesh, ndryshe nga njëra-tjetra, duke krijuar dyshime mbi seriozitetin e vetë portaleve) dhe në anën tjeter, shesin seks “të ndyrë” duke publikuar raste incestesh, poligamish, tradhëtish. Pyetja që ngre është: sa të gatshëm janë të rinjtë shqiptare, përdorues në masë të internetit, që ta perftojnë, filtrojnë dhe ta kuptojnë gjithë këtë informacion? 
Në një kohë kur vendi ynë synon të bëhet pjesë e Europes së Bashkuar, por ku Kanuni nuk është ligj, por fakt, në një vend si ky i yni ku krijohen shoqata për të mbjellë pemë, por ku të marrin jetën për një plep, në një Shqipëri “pothuajse” europiane ku trendet e modës, veshjet firmë dhe diskutimet mbi seksin, dietat dhe bukurinë janë kryefjalë e blogjeve, por edhe në një Shqipëri patriarkale ku babai nuk e pëlqen lidhjen e  vajzës madhore dhe i plagos të dashurin, në një vend ku të gjithë flasin për patriotizmin dhe atdhedashurinë kur luhet futboll, por nga ky vend që duan të largohen në emigrim pjesa më e madhe.
A nuk është ky një vend shumë i vogël me informacion të tepërt? Dhe nuk po flas per censurë, absoulutisht jo! Mendimi më çon tek vetpërmbajtja, që pikësëpari duhet të vijë nga  vetë portalet  dhe faqet online në Shqipëri!
Vetëpërmbajtje, pasi gjithë ky informacion nuk mund t’i shitet një shoqërie jo të gatshme për ta gëlltitur. Një shoqëri që mban në krye të listes fjalën “kurvë”, por që online lexon me kuriozitet për Xhesikën apo Françesken. Një shoqëri, ku djali apo vajza, edhe kur janë në kushte ekonomike ekstreme, duhet të postojnë me patjetër një foto në makinë apo çantë luksoze, apo për të mos u diferencuar.
Çfarë dhe a mund të kanalizojnë dhe të nxjerrin përfitime të rinjtë e Shqiperise nga lajmet e tepruara mbi dhunën dhe seksin online? Adoleshentë, që kanë tabu edhe të flasin për anatonimë e trupit të njeriut dhe që në shkollë bëjnë veçse një vit eduakatë mbi seksin, mundësisht të ndarë djem veç e vajza veç. Të rritur në familje ku prindërit në shumicën e rasteve e ndërrojne kanalin në televizor nësë një çift puthet, por jo kur shfaqet një skenë dhune?
Prandaj, dhuna dhe seksi i keqinterpretuar çojnë në harbime kolektive, kryesisht tek moshat më vulnerabël. Harbim që kapi të riun që urinoi mbi bashkëmoshatarin e tij dhe që shfaqet online në menyrë të pakontrolluar. Flitet gjerësisht mbi këtë filmim, akt i neveritshëm i një adoleshenti të rritur keq, një fëmijë që ndoshta nuk ka filtruar siç duhet mesazhet e papërmbajtuara të dhunes dhe seksit online dhe shfaqet si një model jo i gatshëm për “Shqipërinë e të ardhmes”.
Model i bulizmit, i atij fenomeni prej të cilit shoqëria shqiptare ka vuajtur dhe vijon të vuaje, por që nuk dënohet me ligj. I përkufizuar, bulizmi është përdorimi i forcës apo abuzimi që praktikon një grup i shoqërisë për të frikësuar një target grup të caktuar. Mënyrat e shfaqjes se tij janë të ndryshme, përmes dhunës fizike apo psikologjike.
Edukimi dhe paragjykimi qëndrojne në themel të fenomenit.
Duke iu rikthyer edhe njëherë të riut që urinoi mbi kokën e një adoleshenti, duke ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike (bulizem), me shumë mundësi do të procedohet në bazë të Kodit Penal. Por, me gjithë mendimet që përmenda më lart dhe duke patur parasysh faktin që në Shqiperi nuk ka ligje specifike për të mbrojtur të miturit nga rreziqet online, si edhe që Facebook-u është rrjeti social më i përhapur në vendin tonë, me rreth 1.3 milion përdorues apo 45% të popullsisë, a nuk ka ardhur koha që të kemi një legjislacion të mireorganizuar për këtë çëshjte? A nuk ka ardhur koha që edhe bulizmi në Shqipëri të ndalohet dhe dënohet me ligj?/ Daniela Kostandini



3 Comments

  1. ti po duron qelbesiren e

    ti po duron qelbesiren e rames e perbuzjen ka 15 vite e tash na flet per qelbesirat e vogla.trego sa here te ka peshtyre rama se pari.

  2. Yll Bote qek ne fotografi.

    Yll Bote qek ne fotografi. edi Cbona? Dhashe ne google emrin dhe pashe fotot e fundit dhe u zhgenjeva…

  3. Kjo vajze flet te verteten

    Kjo vajze flet te verteten aktuale qe po e perjetojme te gjithe, por perseri fyhet pa te keq nga njerez anonime. Te respektojme njeri tjetrin edhe per mendimet qe nuk na pelqejne ,ne radhe te pare do te respe ktonim veten, por si gjithnje dhune edhe ketu………..