• |
ide | kryesore

Ndërmarrja e Edi Ramës privatizon protestat

Arkiva, Ide
mandi edit.jpg



Qytetarët e Tiranës kanë parë dje një tjetër shfaqje të shëmtuar të hipokrizisë dhe standartit të dyfishtë të të përzgjedhurit të Edi Ramës në krye të bashkisë së Tiranës. Erion Veliaj nxorri në rrugë punonjësit e bashkisë dhe disa deputetë socialistë për të protestuar kundër një vendimi të gjykatës së Apelit Administrativ që mund t’i hapë rrugën ndërtimit të një kompleksi me 5 kulla pranë digës së Liqenit dhe njëkohësisht urdhëroi policët bashkiakë dhe lëshoi mercenarët me pagesë për të goditur e ndaluar disa të rinj që prej disa javësh mundohen të pengojnë betonizimin e Parkut.
 
Pamjet e këtyre dy protestave, asaj qeveritare kundër një gjykate dhe asaj të shoqërisë civile kundër një projekti të bashkisë, janë definimi më i mirë që mund t’i bëhet sot patupërsisë dhe arrogancës së pushtetit. Disa deputetë të PS që ishin në protestë kundër gjykatës (me urdhër të Ramës dhe jo nga insiprimi prej leifeni fallco i Velisë) kanë mbi vete histori ndërtimesh e biznesesh që jo rrallëherë janë vënë nën akuzë nga opozita, media dhe shoqëria civile. Rreshtimi i tyre lexohet qartë si shërbim ndaj kryeministrit, (i cili nuk është më në sinkron me ndërtuesin tek diga ndonëse planin e ndërtimeve atje e miratoi vetë kur ishte kryetar bashkie), dhe jo si një ndjeshmëri ndaj komunitetit për shkatërrimin e vazhdueshëm të qytetit.
 
A e kanë ngritur ndonjëherë zërin këta deputetë dhe aktivisti Veliaj për qindra ndërtime në Tiranë që mbajnë firmën e Edi Ramës? Për shkatërrimin e qendrës historike, groposjen e monumenteve të kulturës, kafshimin e parkut të madh dhe së fundi ngritjen e kullës së stadiumit në një zonë ku nuk ka mbetur metër katror po u kthyer në beton? Sigurisht nuk mund të flasin sepse disa prej tyre janë përfitues direkt të këtyre ndërtimeve, të tenderave të bashkisë apo zaptimit që po i bëhet së fundmi pyjeve të Petrelës për t’i kthyer në zona banimi. Për t’i mbrojtur këto abuzime ata zgjodhën t’u vënë përsipër mandatin e deputetit. Dhe duke ua lejuar këto abuzime, Edi Rama i ka sot pengje, që i vë në rresht me urdhër, për të duartrokitur thirrjet e Velisë përpara gjykatës. Kjo është paturpësia e një proteste si ajo që qytetarët panë dje në Tiranë.
 
Por ajo shfaqje e lartë e hipokrizisë nuk mundi të fshihte edhe anën tjetër të saj, arrogancën. Mjaftuan disa të rinj nga grupimi qytetar që kërkon të ndalë betonin në parkun e Liqenit dhe dhuna verbale e Erion Velisë zbrasi edhe dhunën fizike ndaj tyre. Me një diskurs racist të mirëfilltë, kryebashkiaku i cilësoi ata qytetarë të dorës së dytë, të lidhur me PD dhe për rrjedhojë ndaj tyre legjitimohej dëbimi. Edhe sikur ata protestues të ishin vërtet të PD, a nuk kanë ata të drejtë të thonë fjalën e tyre? Sipas Velisë jo, sepse kundërshtarët e tij, nga Presidenti deri tek shoqëria civile, janë pjesë e të Keqes që pengon të Mirën e mishëruar tek Erioni. Prandaj fjalori i tij denigrues ishte pararendës i dhunës që u ushtrua më pas ndaj të rinjve që u dëbuan me forcë nga tubimi bashkiak. 
Deputetët socialistë duartrokitën përsëri, sepse edhe ata e duan arrogancën e pushtetit. Me anë të saj u mbyllin gojën jo vetëm atyre që protestojnë, por edhe mediave, opinionit publik apo qytetarëve të thjeshtë që shpesh janë viktima të interesave të tyre. Përballë një shfaqje si ajo e djeshmja përpara gjykatës, cili qytetar inkurajohet të kërkojë të drejtën e tij për shtëpinë e shembur, tokën e grabitur, pronën e vejdhur? 
 
Pushteti rrëmbeu dje edhe të drejtën e protestës edhe të drejtën e shtypjes së saj. Për herë të parë në një demokraci, mazhoranca del në rrugë për të protestuar. Dhe proteston për një ndërtim, sepse këtë herë nuk lidhet me të, duke qenë vetë simbol i dhjetra rasteve të ngjashme, madje frymëzuese, krijuese dhe zbatuese e tyre. Në mënyrë flagrante selektiviteti u përplaset qytetarëve në fytyrë, bashkë me dhunën si kërcënim se e drejta e protestës nuk u takon atyre. Qytetarët nuk mund të protestojnë për shqetësimet e tyre, ndërsa pushtetarët mundet ta bëjnë për interesin e tyre. Marrja me konçension e protestës nga ndërrmarja politiko- ekonomike e Edi Ramës, ishte bëma më e fundit e kësaj mazhorance. Drejtimin e këtij konçensioni kryeministri ka vendosur t’ia besojë Erionit, si shartimi më i mirë mes mjaftistit, politikanit, populistit, arrogantit dhe servilit. Vetëm ky është i aftë të prodhojë shfaqje të tilla hipokrizie dhe arrogance si ajo e protestës përballë gjykatës. /mapo/