• |
ide | kryesore

Rrëfimi i Gramoz Ruçit: E vërteta e arratisjes nga Shqipëria, nuk u maskova!

Arkiva, Dossier
ruci.jpg



Në një rrëfim për Ylli Polovinën për librin e tij “Të jesh apo të mos jesh PS”, ku pasqyrohen ngjarjet në PS-në e 1996, publikuar në “Panorama”, sekretari i Përgjithshëm, Gramoz Ruçi, jep versionin e vërtetë se si është larguar nga Shqipëria gjatë ditëve dhe javëve që ruhej dhe survejohej nga oficerët e SHIK-ut të asaj kohe.

YLLI POLOVINA

IKJA E GRAMOZ RUÇIT NGA SHQIPËRIA

“Sigurisht që unë u largova nga Shqipëria në kushtet e një depresioni shpirtëror. Pa familje, pa një bazë në vendin e huaj, ku jam dhe mbi të gjitha pa mjetet e dëshiruara financiare. Kam ikur ditën.

Dikush mendon që kam ikur natën, “ekspertiza” ka nxjerrë në Tiranë që unë kam dalë nga çatia e pallatit. “Ekspertët” e dashur nuk e kanë kuptuar dot se unë kam dalë nga dera dhe mu në mes të ditës. Dola nga dera e shtëpisë sime dhe pastaj nga hyrja kryesore e pallatit. Nuk kam dalë i maskuar.

Kam dalë si Gramoz. I vetmi dëshmitar dhe shoqërues ka qenë djali im dymbëdhjetë vjeç. Isha i survejuar nga dymbëdhjetë shikas. Si, qysh, tek?! Ata e kanë kryer shërbimin me shumë korrektesë, kishin mbi një muaj aty dhe kjo nuk ishte e lehtë. Duhet të përballonin vapën e qershorit dhe të korrikut, si ditën ashtu edhe në mërzinë e natës.

Nuk është punë e lehtë të përgjosh, të regjistrosh gjithçka, kush hyn e del, çfarë thuhet në shtëpi kush po i vjen e kush po i ikën, nga hyn e nga del. Sigurisht ishte një shërbim i padëshirë, por ata zbatonin detyrën”

Sipas Ruçit, ai ka dalë nga dera e shtëpisë i shoqëruar nga djali deri në një vend të caktuar pranë lagjes së tij, e më pas përmes një makine është nisur drejt Jugut për të kaluar më pas kufirin drejt Greqisë me pasaportë diplomatike.

Ai tregon se kishte zgjedhur për të ikur nga Shqipëria ditën kur Partia Demokratike mblidhte Këshillin Kombëtar të saj dhe askush nuk e kishte mendjen tek ai, por tek e ardhmja e posteve qeverisëse të drejtuesve të saj.

Në rrëfimin e tij, Ruçi tregon se si ka nisur në vendin fqinj jetën e tij si refugjat ekonomik si mijëra shqiptarë të tjerë, por pa hequr mendjen nga Shqipëria.

Familja ndërkohë në Shqipëri kalonte momente të vështira, duke e bërë të pamundur qëndrimin e saj pa kryefamiljarin.

Ruçi rrëfen se gjatë largimit të familjes së tij nga Tirana drejt Tepelenës, ajo është ndaluar në Lushnjë, nën masa të rrepta policore dhe përballë policëve të armatosur rëndë, pasi urdhri nga Tirana ishte dhënë për të ndaluar disa persona shumë të rrezikshëm.

Nuk kanë munguar edhe kërcënimet me jetë për bashkëshorten e tij nga pjesëtarët e SHIK-ut, ndërsa tregon dhe zvarritjet që i bëheshin në Policinë e Tepelenës për të mos i pajisur me pasaportë ndërkombëtare.