• |
ide | kryesore

Ra ky futboll e u pamë!

Arkiva, Ide
tik.jpg



 

JAM SHUMË I bindur se shumica e të lindurve në Kosovë, së paku para vitit 1990, asnjëherë nuk kanë përjetuar një gol më të bukur, më domethënës dhe më rrëqethës në jetë.

Ajo çfarë ndodhi të hënën mbrëma në stadiumin e Finlandës nuk ishte arritur lehtë, jo.

Ndoshta një nga krahasimet përshkruese është ai me një çift, i cili për 25 vjet nuk është lejuar që të ketë një fëmijë dhe përfundimisht bëhen prindër të një pasardhësi të shëndoshë.

Për këtë mbase edhe gjithë ai ngazëllim me shënimin e Berishës në debutimin historik të Përfaqësueses së Kosovës në futboll.

Për këtë arsye edhe aq shumë emocione, aq shumë lot gëzimi e aq shumë krenari.

Për më tepër, t'i duash shqiptarët sot është që të bësh tifo edhe për Kosovën, ose veçanërisht për Kosovën.

Pavarësia e Kosovës është arritje e shqiptarëve.

Çdo avancim i kësaj Kosove – si në sport, muzikë a shkencë – është arritje e shqiptarizmit.

E tillë mbase duhet të shihet edhe paraqitja e Përfaqësueses së Kosovës në futboll.



TE RASTI YMERI! Tash pse i zihet për të madhe një kryetari të një partie të rëndësishme në vend, kur ai injoron një ngjarje historike të shtetit në të cilin jeton, vepron, të cilit i paguan taksa dhe nga i cili merr pagë, dhe për të cilin thotë se angazhohet për të mirë?

Jo se ai nuk mund të ketë qëndrim të caktuar politik për këtë shtet. Jo se nuk duhet të mendojë se të bashkuar ose të ndarë nga ndonjë shtet tjetër është mundësia më e mirë për të ecur përpara. Jo se – fundi i fundit – nuk mund të ketë edhe parapëlqime personale për diçka, që në këtë rast mund të jetë edhe futbolli. Absolutisht dhe në çdo kohë, në qoftë se po flasim për një shtet demokratik, ai ose partia e tij ka të drejtë të ketë qëndrime të tija dhe t’u mbetet besnik të njëjtave. Mirëpo, të njëjtit lider politik i zihet për të madhe kur e huq momentumin e kontekstin.

Në alegorinë e çiftit që bëhet me fëmijë pas 25 vjetësh, i bie sikur në ahengun e tyre t’i vijë një xhaxha në të cilin i kanë varur shpresat dhe t’i thotë se lindja e fëmijës është gjë e kotë; se është dashur ta adoptonin fëmijën e komshiut, se vetëm ashtu do ta siguronin të ardhmen.

Zhgënjim zemërthyes!

Dhe për këtë – për huqjen e çastit, për se bëhesh partybreaker – nuk është asnjë e metë nëse kërkon falje. Të thuash se është gafë. Se nuk ke pasur për qëllim të lëndosh njerëzit e vendit tënd. Dhe që nesër të vazhdosh me idenë tënde krejt legjitime se – zgjidhja qëndron diku tjetër!



SE DUKE MOS u tërhequr nga gabimi i parë, kur je lider i një opsioni politik, ti për shkak të pozitës së rëndësishme specifike mund të bëhesh nismëtar i një orteku gabimesh të tjera me pasoja shumë më të mëdha.

Është vërejtur se një pjese e anëtarësisë se "Vetëvendosjes!", duke dashur ta merrnin në mbrojtje kryetarin e tyre rrezikojnë t’i bëjnë dëmin më të madh pikërisht Projektit të Bashkimit Kombëtar, pjesë programore edhe e partisë në fjalë.

Insistimi i pamatur për ta theksuar vetëm tifozllëkun për Shqipërinë, me statuse në stilin "ata plasin" (ata mendohet ne shqiptarët tifozë edhe të Kosovës, jo për ata të Serbisë), po çon në qëndrime njësoj të pamatura të tjerë kundër Shqipërisë. Pse kemi nevojë të ndahemi kaq shumë në “ne” dhe në “ata”?

Gjakftohtë!

Ymeri është kryetar i një partie politike, mund t’i ketë plot të mira, ashtu siç mund të ketë dobësi, por, mbi të gjitha – edhe kryetari mund të jetë i gabueshëm, njëlloj si çdo qenie që ecën mbi rruzullin e Tokës.

Besoj se është gjeja më normale e më simpatike në botë që secili shqiptar i Kosovës të bëjë tifo si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë, ose ta ketë numër një Kosovën dhe numër dy Shqipërinë.

Si Kosova, si Shqipëria kanë hequr shumë për të arritur deri këtu ku janë sot – të jenë superfuqi rajonale në shumë fusha. Dhe duhet ta themi pa komplekse.

Ta kujtojmë vetëm se ku kemi qenë para 20 vjetësh, apo para 30. Si Kosova, ashtu edhe Shqipëria.

Nuk duhet lejuar që naivitetet të sjellin përçarje.

Vetëm armiqtë e shqiptarëve i duan shqiptarët të përçarë, e të tillë fatkeqësisht ende sot kemi mjaft!

Plus që si Kosova e si Shqipëria sot kanë probleme shumë më të mëdha – me mënyrën e qeverisjes, korrupsionin e të tjera.

Sa më shpejt që secili të nxjerrë mësimet nga gafa që ndodhi, aq më mirë.

*Shkruar per Koha ditore nga drejtuesi i emisionit Interaktiv ne KTV