• |
ide | kryesore

Ngushëllohuni! As unë nuk isha në dasmën groteske të mbretit

Arkiva, Blog
dasma.jpg



Nuk kishte gjë më qesharake sesa të shikoje sot, kryetarin e bashkisë më të madhe të Republikës, të dilte nga zyra e tij e të zhvendosej në pallatin e brigadave, për të kurorëzuar çiftin princëror në ditëlindjen e ish monarkut të vetshpallur shqiptar.

Nuk kishte gjë më qesharake se sa të lundrojë mes portaleve rozë për të përgjuar se ç’fustane kishte veshur princesha.

Nuk kishte gjë më qesharake sesa të shfletoje sot të gjitha gazetat më të mëdha të vendit që flisnin pa komplekse për dasmën mbretërore duke vazhduar symbylltasi një lojë që në Shqipëri nuk luhet më prej më shumë se gjysëm shekulli.

Nuk kishte gjë më qesharake sot sesa të shikoje të mbledhur në vendin më të mjerë të Europës, përfaqësuesit e aristokracisë së rrëzuar të kontinentit të vjetër.

Të gjithë ata sëbashku të sillnin në mendje vetëm një asociacion grotesk. Megjithëse krahasimi i një dasme me një vaki është pak i ashpër, këta dasmorë dukeshin krejtësisht të ngjashëm me ata qindra veteranë që me shalle të kuq në qafë dhe dekorata në gjoks mblidhen çdo 16 tetor tek varri i Enverit.

Ata kanë të gjithë një të përbashkët: nostalgjinë për një kohë që nuk kthehet më kurrë.

Mbretëria e shpallur përdhunshëm në Shqipërinë e vitit 1928, pati që në fillesën e saj një tis grotesk. Ajo nuk zgjati më shumë se dhjetë vjet. Prej 70 vitesh Shqipëria është Republikë dhe që prej verës së trazuar të vitit 1997, familja mbretërore e ka humbur edhe referendumin për tu konsideruar ligjërisht si e tillë në Shqipëri.

Pra, fatkeqësisht, sot në Tiranë nuk zhvillohet asnjë evenimet ruajal.

Natyrisht kronika rozë, mund të celebronte deri në fund martesën e një djali të mirë, me edukim oksidental që tani punon në institucionet e Republikws, dhe një artisteje të shkëlqyer, bijë e një ylli të kinematografisë sonë socrealiste.

Edhe kaq mund ta justifikonte rokopujën mediatike, shuarjen e etjes për vuajerizëm, lajmet për fustanin, unazën, kurorën.

Por, deri këtu.

Më pas e gjitha qe një shfaqe fallco. Një demonstrim i zakoneve të rëna nga vafti, rikujtimi i të cilave vetëm të bën të vësh buzën në gaz.

Loja me mbret dhe mbretëreshë, me krushq me gjak blu dhe me të ftuar nga oborret e dikurshme, një spektakël mashtrues.

Në të morën pjesë të gjithë ata që e përlqejnë këtë lojë. Të gjithë ata që kanë vështirë ta jetojnë realitetin. Të gjithë ata që duan të mbretërojnë në botën e bukur të fantazive.

Unë nuk isha. Por nuk ndjej keqardhje. Se evenimenti që pashë nuk qe ai që më treguan TV dhe gazetat. Nuk qe ai që celebroi kryetari i bashkisë më të madhe të republikës dhe as mediat që pretendojnë se ju thonë të vërtetën, por në fakt ju’a tregojnë historinë me një fjalor që nuk përdoret më që nga koha e pushtimit italian të Shqipërisë.

T. Çela  

  



1 Comment

  1. [email protected]

    More ti, zonje apo zoteri, dakord me pjesen groteske te ceshtjes, por tek krahasimi je me shume se i cale.

    Duke shkuar tek varri i E. Hoxhes, te cilin e keni duartrokitur sh edhe ju, nuk shkojne nostalgjiket e asaj kohe qe ta rikthejne, ata nderojne e kujtojne personin, ASHTU SIC DO TE SHKOSH EDHE TI , NESE KE AQ NJEREZILLEK, TEK VARRI I GJYSHERVE APO PRINDERVE TE TU, qe me shume gjasa njeri nder ata, do te kene qene komuniste, kaq thjeshte.