• |
ide | kryesore

Analiza/ Interi apo Milani, kush do triumfojë këtë sezon

Arkiva, Sport
inter milan.png



 

Pyetjeve të shumta se kush është skuadra më e fortë për momentin, cila prej goditjeve të merkatos ka qenë më interesante, kush është më i mirë Bilja apo Borha Valero, a do ta thyejë dot Andre Silva Ikardin, iu është përgjigjur “Gazzetta Dello Sport” me anë të një analize ku krahason dy ekipet e Milanos.

Për momentin triumfon Milani, me një yll më shumë. Gazeta italiane ka përballur repartet dhe trajnerët me njëri-tjetrin për të nxjerrë përfundimin në bazë të statistikave, por edhe pritshmërive.

XHIXHO THYEN HANDËN- Situata mund të ishte shumë ndryshe në rast se Xhanluixhi Donaruma do të largohej nga Milani, por ia që rinovoi kontratën dhe fiton “duelin” e parë me rivalin e tij Samir Handanoviç. Shifrat janë në favor të portierit kuqezi, i cili është një garanci më shumë për prapavijën e Montelës.

Milan-Inter

Diferencën mes palëve e bëjnë vetëm 2 golat e pësuar më shumë nga Handanoviç dhe 1 penallti e pritur më pak. Në sezonin e kaluar Donaruma pësoi 45 gola, ndërsa Handanoviç 47. Xhixho priti dy penallti, ndërsa Handa vetëm 1. Dueli i portës vishet kuqezi. Rezultati: Donaruma 5 yje, Handanoviç 4 yje.

MILANI I HEKURT- Leonardo Bonuçi është një nga më të mirët në botë në rolin e tij dhe për këtë fakt, Milani e fiton bindshëm krahasimin me Interin në repartin e prapavijës. Kuqezinjtë kanë shpenzuar 60 milionë euro për afrimet në këtë repart dhe dy prej tyre Bonuçi dhe Muzakio pritet të jenë titullarë bashkë me Romanjolin nëse Montela do të preferojë të luajë me 3 mbrojtës.

Bonuci Milan

Në 4 ndeshjet e para miqësore dhe në Europa Ligë, kuqezinjtë kanë pësuar vetëm 3 gola. Mbrojtja e Interit vazhdon të mbetet një nga repartet më problematikë dhe drejtuesit janë duke kërkuar zgjidhje. Vetëm afrimi i Shkrinjarit nuk i zgjidh dot problemet, pavarësisht se ai ka bërë paraqitje të mira në miqësore.

miranda

Zikaltrit kanë shpenzuar 30 milionë euro për të. Prapavija zikaltër me D’Ambrozion, Shkrinjarin, Mirandën dhe Ansaldin nuk e thyen dot mbrojtjen e Milanit. Në gjashtë ndeshjet miqësore, zikaltrit kanë pësuar 5 gola. Rezultati: Milani 5 yje, Interi 3 yje.

BARASPESHË- Në krahasimin e bërë nga “Gazzetta Dello Sport” nuk ka asnjë fitues në repartin e mesfushës. Pavarësisht se kuqezinjtë kanë shpenzuar 84 milionë euro për ta reformuar këtë repart nuk ia dalin të jenë më mirë sesa “kushërinjtë” zikaltër që vetëm me 31 milionë kanë bërë blerje të zgjuara.

kutrone kesi

Sipas gazetës italiane pesëshja: Konti, Kesi, Biglia, Bonaventura dhe Rodrigez nuk e mposhtin dot treshen Galjardini, Borha Valero, Vesino. Kuqezinjtë e mësipërm kanë dhënë 12 asiste në kampionatin e kaluar, ndërsa zikaltrit 11.

Inter

Ndoshta diferencën e bën edhe stoli në këtë rast sepse Interi ka Brozoviçin, Zhoao Marion dhe Kondogbian, ndërsa Milani ka Lokatelin, Montolivon, Maurin dhe Sozën. Rezultati: Milani 4 yje, Interi 4 yje.

TRIUMFON IKARDI- 38 milionë euro të shpenzuara nga Milani nuk mjaftojnë për të thyer repartin e avancuar të Interit. Në sulm janë më mirë zikaltrit falë golave të një bomberi si Ikardi, forcës fizike të Perisiç dhe Kandrevës, por edhe prej asisteve të tyre. Reparti kuqezi në këtë krahasim përfaqësohet me Suson dhe Andre Silvën.

ikardi

Të dy bashkë në sezonin e kaluar shënojnë 23 gola, ndërsa Interi me tredhëmbëshin e tij numëron 41 gola. Problemi më i madh për formacionin e Spaletit është nëse do të largohet njëri mes Perisiçit dhe Kandrevës, por gjithsesi golat e Interit i siguron lideri i sulmit, Mauro Ikardi. Rezultati: Milani 3 yje, Interi 4 yje

SPALETI MË MIRË- Në mediat italiane thonë se Interit ndoshta nuk i duhet një yll në fushën e lojës sepse “lojtarin” më të mirë e ka në stolin e rezervave. Në të njëjtën linjë mendimi janë edhe analistët e “Gazzetta Dello Sport”, të cilët ia japin triumfin Luçianos në krahasimin me Viçenco Montelën.

Spaleti dhe Perisic

Eksperienca në Itali, por edhe jashtë saj, karakteri i fortë, mënyra unike për të komunikuar me lojtarët dhe me gazetarët janë disa pika që favorizojnë ndjeshëm trajnerin e Interit. Në kampionatin Italian numërojnë përkatësisht:

montela

Montela 229 ndeshje duke pasur 43.6% fitore dhe Spaleti: 406 ndeshje duke pasur 48% fitore. Edhe në duelet me njëri-tjetrin trajneri zikaltër është fitues sepse ka arritur ta thyejë 3 herë Montelën, ndërkohë që ky i fundit nuk ka asnjë fitore kundër Spaletit. Rezultati: Milani 4 yje, Interi 5 yje.

Milan-Inter

NJË YLL MË SHUMË- Avantazhi i lehtë që kishte Interi në repartin e sulmit dhe me trajnerin Spaleti, gjithsesi nuk mjafton për ta baraspeshuar rezultatin në fund. Milani ka një yll më shumë në këtë krahasim duke e fituar “derbin” në repartin e mbrojtjes. Në total kuqezinjtë koleksionuan 21 yje, ndërkohë që Interi 20. Qartazi sinjale për drejtuesit: Milani duhet të investojë në sulm, ndërsa Interi në mbrojtje. /Gentian Alinani, panorama sport/