• |
ide | kryesore

Faktet/ Ku bazohej Dritan Zagani kur denonconte lidhjet e Tahirit me klanin Habilaj

Arkiva, Lajme, Të fundit


Dy vite më parë, oficeri i policisë Dritan Zagani u burgos për shpërdorim detyre, por, pasi denoncoi faktin se kushërinjtë e Saimir Tahirit trafikonin drogë dhe ishin shumë të lidhur me të. U dëshën dy vite dhe një operacion i gjatë i italianëve që akuzat e Zaganit të ‘vërtetohen’.

Në një intervistë në 2015-ën, Zagani zbulonte tre arsye pse ai ishte i bindur se Tahiri lidhej pazgjidhshmërisht me vëllezërit trafikantë Habilaj.

Së pari, Dritan Zagani mbështetej tek pronësia e skafit që Moisi Habilaj dhe dy vëllezërit e tij përdornin. Sipas tij, skafi ishte i regjistruar në emrin e Saimir Tahirit, por mirëmbahej nga tre persona, A.H., M.H. dhe L.H. nga Vlora.

“Saimir Tahiri kishte një skaf që mbahej për xhiro për pushime në jug në bregdet. Në mungesë të tij, ky skaf (jo shumë i fuqishëm) mirëmbahej dhe përdorej nga 3 vëllezër. Skafi ishte i regjistruar në emrin e Tahirit. Tre vëllezërit që e mbanin skafin ishin: A.H., M.H. dhe L.H. nga Vlora. Këta të tre ishin kontigjet i trafikut të drogës që kur unë punoja në Vlorë vite më parë. Këta u fuqizuar kur erdhi PS në pushtet.”

Së dyti, Dritan Zagani bazohej tek bashkëpronësia e makinës së Tahirit. Para kamerës, ai tregoi me detaje mënyrën se si zbuloi se makinën e ministrit të Brendshëm e përdornin vëllezërit Habilaj.

“Në një moment desha të verifikoja me kë do takohej A.D. (trafikant i dyshuar droge) në Vlorë. Aty pashë një Audi A8 me xhama të zi me targë “AA 003 GB”. A.D. zbriti nga makina e tij dhe u fut te Audi. U mundova ta ndjek, isha vënë re nga ata dhe në vend që t’i ndiqja ata më ndiqnin ata mua dhe e lash fare. Shënova targën e Audit. Nesër në zyrë futem në sistemin TIMS dhe kërkoj targën e Audit. Del emri i Saimir Tahirit. Ishte prill i vitit 2014, para se të më arrestonin.  Makinën e ministrit e përdornin këta tre persona trafikantë në Vlorë. Se kisha marrë vesh ça po bëhej. Doja të verifikoja me kë u takua A.D.

Thirra direkt Skënderin, shefin e sektorit. Shikoje ça ka ktu i thash. Nuk e di ti tha? Këtë e mbajnë kushurinjtë e ministrit në Vlorë, vëllezërit Habilaj. Është makina e ministrit, e mbajnë ata.”

Së treti, Zagani tregoi se si një nga njerëzit më të besuar të Tahirit, Ervin Hodaj, ndërhyri për të liruar dy nga vëllezërit kur u shoqëruan në ambientet e policisë pasi kishin fyer dhe kundërshtuar me forcë një kontroll të policisë.

“Këtë makinë policia e ka ndaluar në dy të natës në autostradën Gjirokastër-Levan. Kanë bërë debat e sherr me cunat tanë. Nuk kanë pranuar të kontrollhen. Janë shoqëruar deri në drejtori. Kanë qenë të pirë dhe të shoqëruar me dy femra. Sa janë futur brenda kanë filluar të ofendojnë policat. Mori në celular drejtori, Ervin Hodaj, dhe tha lirojini ata. Aty mësova kush paska qenë në Audi atë nate (kur ndoqi trafikantin A.D). Pastaj në Vlorë e verifikova disa herë që e kishin ata.”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *