• |
ide | kryesore

Flet Armand Duka/ A do të kandidojë sërish në FSHF dhe një “kunj” për Finon

F1, Sport



Presidenti i FSHF-së Armand Duka ka thyer heshtjen për të ardhmen e tij. Në një intervistë dhënë për Top Story ai është pyetur nëse do të rikandidojë për një tjetër mandat 4-vjeçar. Në këtë pikë Duka ka dhënë një përgjigje evazive duke e lënë të hapur rikandidimin dhe duke folur për projektet që vazhdojnë.

“Në 6-mujorin e parë të 2018-ës duhet të mblidhet Asambleja e Përgjithshme për të bërë zgjedhjet e reja. Nuk është një gjë që nuk e kam menduar. Nuk është se e kam vendosur. Me punën e përditshme, më duket pak e largët dhe ende nuk kam një përgjigje të saktë. Do ta marr një vendim kur të vijnë afatet e statutit.

Kemi ende projekte në vijim. Kemi stadiumin “Arena Kombëtare”. Kemi një projekt në ish-stadiumin Dinamo që është i përbashkët i FSHF-së me biznesin. Kemi projekte të tjera të futbollit të fëmijëve. Kemi nisur një projekt të fëmijëve që luajnë në shkolla. Jam shumë i përfshirë gjithë këto projekte. Kur të vijë koha e duhur do të marr vendimin e duhur. Mendoj dhe vazhdoj të mendoj për këto projekte. Nëse shoh se dikush sjell projekte më të mira se unë, do ta lë. Nëse nuk shoh do të vazhdoj” – tha Duka.

I pyetur për ish-kryeministrin Bashkim Fino, aktualisht deputet i PS-së ai thotë se ka miqësi personale, por nëse e kandidon partia le ta bëjë hapur. Në këtë mënyrë Duka nënkupton se gara për FSHF-në po luhet politikisht në prapaskenë.

“Nuk e di nëse ai do të jetë një kandidat. Aq sa thatë ju kam dëgjuar dhe unë për Bashkimin. E njoh. E kam pasur shok shkolle. E njoh dhe e respektoj. Fakti që është pjesë e partie, i takon partisë të bëjë vlerësimet nëse ai duhet të hyjë në garë. Nëse ai ka një projekt le të vijë. Nëse është kandidat i një partie, le ta kandidojnë nga selia e partisë. A është kjo një sarkazëm? Nuk e di. Këtu ka pasur edhe deputetë që kanë deklaruar nga selitë e partisë që “arbitrin e godita unë”.

Nuk besoj se PS do të angazhohet në fushatë sportive pavarësisht se mund të ketë një nga radhët e saj. Në të gjitha rastet unë do të marr mendime nga të gjithë para se të vendos” – tha Duka. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *