• |
ide | kryesore

Burg përjetë Denis Shtrazës, Apeli konfirmon dënimin për vrasjen e Gazmend Çollakut

Lajme, Të fundit



Apeli i Krimeve të Rënda konfirmoi burgimin përjetë për Denis Shtrazën, i cili u shpall fajtor për vrasjen dhe rrëmbimin e Gazmend Çollakut. Në Mars, Shtraza u dënua me burgim përjetë për Gjykata e Krimeve të Rënda, dënim që tashmë konfirmohet nga Apeli, pas apelimit nga pala mbrojtëse.

Gazmend Çollaku u rrëmbye në janar 2016 në qytetin e Durrësit dhe u gjet një ditë më vonë në një fshat të Krujës, anës rrugës dhe i pajetë. Policia menjëherë pas ngjarjes ndaloi Denis Shtrazën dhe ish efektivin e Policisë, Ervin Dalipajn, për ngjarjen. Por, për mungesë provash, ata u liruan.

Më pas, Shtraza u arrestua me urdhër të Prokurorisë, ndërsa Dalipaj u shpall në kërkim. Ky i fundit u ekzekutua në një atentat në Sukth disa muaj më vonë dhe hetimet ndaj tij pushuan. I vetmi i akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut ishte Denis Shtraza.

Sipas Prokurorisë, Shtraza kishte fajësuar Çollakun për plagosjen e tij në vitit 2013. Atij iu bë atentat, por mbeti i plagosur. Kështu, Prokuroria thotë se Shtraza ishte betuar se do të hakmerrej për plagosjen dhe se e dinte se kush e kishte bërë atë, duke akuzuar Gazmend Çollakun. Shtraza, së bashku me ish-efektivin e Policisë Ervin Dalipajn, i akuzuar gjithashtu për vrasjen, kanë dhënë deklarata kontradiktore në Prokurori.

Një nga provat më të forta të Prokurorisë kanë qenë testet e ADN-së. Gjaku i Shtrazës është gjetur në mjetin e Dalipajt, me të cilin u rrëmbye dhe u vra Gazmend Çollaku. Edhe gjaku i viktimës është gjetur në bagazhin e mjetit tip “Benz” të të ndjerit Dalipaj.

Me gjithë ekspertimet që i janë bërë mjetit, nuk u mundësua dot që nga GPS-i i tij të nxirreshin të dhëna të sakta për itinerarin që ai ka përshkruar ditën e rrëmbimit të Çollakut. Denis Shtraza dhe Gazmend Çollaku mësohet se kanë pasur miqësi në burg, ku kanë vuajtur dënime për vepra penale të ndryshme.

Ky ka qenë edhe një argument i mbrojtjes se Shtraza nuk ka pasur motiv që ta ekzekutojë të ndjerin. Mirëpo, Prokuroria pretendon se Shtraza ka akuzuar Çollakun për atentatin që i është bërë atij në vitin 2013.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *