• |
ide | kryesore

Ministrat e Edi Ramës nën “Ethet e së premtes…”

Lajme, Të fundit



“Ethet e së premtes…” është një show i njohur në botë i sjellë edhe në ekranet shqiptare për disa sezone vite më parë. Ato “ethet” e këngëtarëve amatorë përpara jurisë tashmë duket se kanë kapur pothuajse të gjithë ministrat e qeverisë “Rama 2”.

Pikërisht të premten në Vlorë, kreu i qeverisë do të mbledhë në një takim informal ministrat. Zyrtarisht thuhet se “do të behet analiza e punës për vitin e parë të kabinetit dhe do të rishihen objektivat për të ardhmen”, por të gjithë e dinë se pas kësaj fjalie standarde ka shumë më shumë.

Kjo për shkak se vetë Rama e ka thënë qartë ditën e fundit të korrikut në një intervistë për RTSH-në kur u pyet për ndryshime ne qeveri.

“Ne kemi futur një sistem të ri të performancës të ministrave dhe zv.ministrave. Kjo po shtrihet edhe në agjencitë e tjera të administratës. Për gjithsecilin ka objektiva dhe parametra. Para disa ditësh ne kemi bërë disa analiza. Kemi edhe disa analiza që duhet t’i bëjmë në gusht ndërsa në fund të gushtit do të bëjmë një bilanc. Pastaj do të shohim se si do të hyjmë në shtator”– tha Rama në atë kohë duke mos e mohuar mundësinë e ndryshimit të kabinetit.

Burime brenda mazhorancës i thanë lapsi.al se në mbledhjen e së premtes do të jetë i pari Rama që do të paraqesë një raport për reformat e realizuara, ato në proces, por edhe dështimet. Askush nuk di të thotë çfarë përmban ai material, por zërat janë se Rama ka mbledhur kritikat e bazës, premtimet dhe dështimet të cilat do t’ua paraqesë ministrave.

Më pas do ta marrin fjalën me radhë ministrat që do të japin llogari për punën e tyre. Në takim do të marrin pjesë edhe Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Kreu i mazhorancës pritet që në shtator të ecë në dy drejtime. Së pari me lëvizje drastike në sektorët ku “tepsia” nuk ka funksionuar siç pritej. Nuk përjashtohet mundësia që ndryshimet të prekin edhe vetë qeverinë. Ka edhe nga ata zëra që flasin për ndryshim të më shumë se gjysmës së ministrave, por duke e njohur mënyrën se si Rama u soll në mandatin e parë lëvizjet nuk do të jenë të mëdha.

I pritshëm është largimi i disa ministrave të përfolur nga opozita si të përfshirë skandale dhe afera korrupsioni. A do të largohet Fatmir Xhafaj? Skandali me vëllain duket se ka njollosur dhe rrëzuar kartën e luftës pa mëshirë ndaj “peshqve të mëdhenj” të krimit dhe trafiqeve.

Së dyti Pandeli Majko. Pritet të shihet nëse Rama e ka kapërdirë largimin e ministrit të diasporës nga salla e Kuvendit pak përpara se të votohej ligji i shumëdebatuar për Teatrin Kombëtar.

Zv.Kryeministrja Senida Mesi përflitet si një kandidate për bashkinë e Shkodrës dhe kjo mund tu bashkohet të larguarve në prag të zgjedhjeve lokale të pranverës së ardhshme.

Nën zë nëpër korridoret e shumicës përfliten edhe 2 ose 3 ministra të tjerë me të cilët Rama është i pakënaqur. Mes emrave që nuk lëvizin shihen Niko Peleshi dhe Olta Xhaçka. Pavarësisht performancës nuk do të lëvizë as Ditmir Bushati i angazhuar personalisht në negociatat me Greqinë.

Një moment i rëndësishëm është thirrja e Asamblesë Kombëtare në javën e parë në shtatorit. Është pikërisht ky organ që “vulos” vendimin e Kryesisë në rast të ndryshimeve të kabinetit.

Por përpara se të shpallë ndryshimet, kreu i qeverisë pritet të drejtojë një ftesë për opozitën për përmbylljen e reformës në drejtësi. Organet më të larta të gjyqësorit si KLD, KLP, kryeprokurori dhe krerët e BKH-së dhe SPAK-ut kanë mbetur në ajër. Dy gjykata të rëndësishme, ajo Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë kanë dalë jashtë funksionit. Ftesa në drejtim të opozitës ka si synim që edhe t’u paraprijë protestave të paralajmëruara prej saj.

Më herët Lulzim Basha ka mohuar kategorikisht një tjetër marrëveshje me Ramën si ajo e 17 majit madje ka premtuar se do të publikojë edhe një material “bombë” për ministra të implikuar. Gjithsesi, pavarësisht se sa “shpërthyes” do të jetë shtatori, në “shahun” e politikës së Tiranës, lëvizjet pritet të jenë të forta. “Ethet” kanë nisur… ©LAPSI.al



6 Comments

  1. Tek ky i paemer, komentuesi i fundit shikohet rehatia e qeverise, e qorrlleku njerezor i disa kopukeve rilindas, qe akoma nuk po shohin, e jetojne greminen qe kane ngriturper mbare ekonomine e jeten e njerezve, e tu shtosh ketu makuterine e vjedhjeve, drogen, mashtrimet, e fundosjen e ekonomise drejt falimentit. Andaj ne shtator jo per gjurulldi, por per demokraci, drejtesi, ekonomi, per keto do protestohet sepse jane vjedhur e poshteruar nga mbeturinat komuniste, rilindase qe na erdhen me tepsine e kermave, duke mashtruar si baballaret e tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *