• |
ide | kryesore

Alarmi/ Jemeni i kërcënuar nga zija më e rëndë e urisë në 100 vite

F1, Planet



Jemeni është në prag të ballafaqimit me zinë e urisë më të rëndë në 100 vitet e fundit, nëse nuk ndalojnë sulmet ajrore që po bëhen koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite. Paralajmërimin e bëri Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Nëse lufta vazhdon, zia e bukës mund të përfshijë vendin brenda tre muajve të ardhshëm. 12-13 milionë civilë rrezikojnë të mbesin pa ushqime.

“Shumë prej nesh menduan se me futjen në shekullin e 21-të, do të ishte e paimagjinueshme që të shihnim një zi urie sikurse e pamë në Etiopi, Bengal dhe në disa pjesë të Bashkimit Sovietik. Kjo është e papranueshme.

Shumë prej nesh besojnë se kjo nuk do të ndodhë më kurrë, por pikërisht këtë situatë po shohim në Jemen.” – u shpreh Lisa Grande, koordinatore humanitare e OKB-së për Jemenin.

Tre vitet e fundit, Jemeni po kalon një luftë të përgjakshme civile pasi rebelët Houthi, të mbështetur nga Irani, morën në dorë pjesën më të madhe të vendit, duke përfshirë edhe kryqytetin Sana’a. Koalicioni i udhëhequr nga Sauditët ka luftuar kundër rebelëve që nga viti 2015 në mbështetje të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht.

Mijëra civilë kanë mbetur bllokuar në Jemen nga fushat e minuara, mortajat dhe sulmet ajrore. Kjo katastrofë humanitare ka parë të paktën 10 mijë njerëz të vrarë dhe miliona të shpërngulur.

Duke folur të dielën në mbrëmje, Lisa Grande tha: “Nuk ka dyshim që ne duhet të na vijë turp, dhe çdo ditë që zgjohemi duhet të ripërsërisim angazhimin tonë për të bërë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar njerëzit që vuajnë dhe t’i japim fund konfliktit”.

Komentet e saj erdhën pasi OKB dhe punonjësit humanitarë dënuan një sulm ajror të bërë nga koalicioni i udhëhequr nga Sauditët, që kishte për shënjestër rebelët Shia të Jemenit, por që vrau të paktën 15 njerëz pranë qytetit-port, Hodeidah.

Rebelët treguan nëpërmjet pamjeve filmike dëmet nga sulmi ajror. Sipas tyre, kishte shumë fëmijë mes viktimave.

“Agjencitë e OKB-së që punojnë në Jemen dënojnë pa mëdyshje sulmin ndaj civilëve dhe ne i shprehin ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave”, tha Grande.

Ajo shtoi: “Sipas ligjit ndërkombëtar humanitar, palët në konflikt janë të detyruar të respektojnë parimet e kujdesit, proporcionalitetit dhe dallimit. Duhet bërë gjithçka që është e mundur për të mbrojtur civilët.” 

Për shkak se në qytetin-port Hodeidah vijnë ndihma humanitare, kjo zonë është kthyer në epiqendrën e konlfliktit të Jemenit. Trupat tokësorë të koalicionit Saudit luftojnë për të larguar rebelët, të cilët kanë në kontroll qytetin-port.

Vrasja e civilëve, duke përfshirë shumë fëmijë në këtë qytet buzë Detit të Kuq, është rritur gjatë tre muajve të fundit.

Që nga qershori, më shumë se 170 njerëz janë vrarë dhe së paku 1,700 janë lënduar në provincën Hodeidah, me më shumë se 425,000 njerëz që janë detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre.

Një koalicion i Gjirit, i udhëhequr nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, po përpiqet të marrë nëpërmjet luftës kontrollin e këtij qyteti strategjik.

Nëse grupi i milicive jemenase e merr qytetin, do të ishte fitorja e tyre më e madhe kundër rebelëve, edhe pse beteja në bregun e Detit të Kuq kërcënon gjithashtu ta çojë Jemenin në zi të plotë urie.

Muajin e kaluar, organizata ‘Save the Children’ paralajmëroi se lufta po kthehej në një “luftë ndaj fëmijëve”, pasi mijëra prej tyre po marrin plagë që do t’i ndryshojnë jetën përgjithmonë.

Sipas kësaj organizate, sulmet ndaj shkollave dhe spitaleve ishin në rritje, me fëmijët në vijnë e frontit të dhunës dhe me mjekët që nuk kanë mundësi të përballojnë fluksin e të plagosurve.

Ndërkohë monedha e vendit është shembur dhe çmimet e ushqimeve janë dyfishuar në muajin e kaluar, duke ushqyer kërcënimin e një zije urie.

The Guardian, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *