• |
ide | kryesore

“Fatjoni jam, doja të vija të takoja e të flisnim”, zbardhet përgjimi që çoi në burg Arben Çukon

Lajme, Të fundit



Në media ka dalë sot vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda që çoi pas hekurave ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Arben Çuko, i cili më parë ka qenë deputet i PS.

Implikimi i Çukos është zbuluar krejt rastësisht teksa në hetim dhe përgjim ishin pjesëtarët e një grupi kriminal.

Sipas hetuesve gjithçka ka nisur në burgun e Burrelit ku i arrestuari si vrasës me pagesë, Olsi Karagjozi, ka takuar fillimisht Denis Llaftiun. Karagjozi i ka bërë kërkesë Llaftiut të ndërhyjë me lidhjet e tij tek Drejtori i Përgjithshëm që ky i fundit ta transferojë.

Fill pas kësaj porosie Denis Llaftiu takon shoferin e Çukos, shtetasin me emrin Qerim Musha.

Kjo marrëveshje mes Llaftiut dhe shoferit të Çukos do të kryhej kundrejt përfitimit 3 mijë euro dhe një automjeti.

Olsi Karagjozi pas marrëveshjes ka bërë një kërkesë me shkrim dhe këtë kërkesë ja ka dorëzuar shtetasit Artur Balla.

Balla ia ka dhënë Denis Llaftiut dhe më pas Llaftiu ia ka dorëzuar shoferit që kishte rolin e negociatorit ose “urës lidhëse” me Çukon.

Nga hetimet ka rezultuar se paratë dhe automjeti i janë dhënë Ballës, ai ia ka kaluar Llaftiut dhe Llaftiu ja ka kaluar shoferit të Çukos.

Kur ishte rënë dakord që Karagjozi të transferohej kjo s’ka ndodhur menjëherë dhe në këtë moment të interesuarit janë shqetësuar duke filluar dhe komunikimet telefonike.

Një nga telefonata i është bërë direkt drejtorit Arben Çuko nga drejtori i Burgut të Burrelit.

Biesa telefonike e përgjuar:

-Alo drejtor përshëndetje, Fatjoni jam.

– Kush Fatjon o burrë?

– Fatjoni jam, drejtori Burrelit.

– Hë Fatjon, më thuaj.

– Nuk kemi ndonjë problem, situata e përgjithshme është e qetë, a mundet të vi nesër të bisedoj për nja dy çështje të vogla?

– Nuk e di a mi thua dot në telefon…?

– T’i them edhe në telefon por doja të vija të takoja e të uroja. Mirë drejtor doja të flisja edhe për këtë, për një transferim të një të paraburgosuri që të kishim bisedu.

– Ca është?

– Është ky Karagjozi…

– Me këtë lojë. Ata që më kanë ndërhyrë mua më duket se më kanë bërë pisllëqe.

– Mirë, prit ta vërtetoj unë…

E teksa ky transferim nuk po kryhej, Denis Llaftiu ka kërkuar ndihmë tek Astrit Avdyli dhe më pas më 9 korrik 2018 është kryer transferimi i Karagjozit me urdhërin nr 7049 të firmosur nga Çuko transferim nga Burreli në Fier.

Ky transferim sipas hetuesve ka kënaqur më në fund të gjitha palët e përfshira në aktin korruptiv. Ndërsa të martën ish-numri një i burgjeve pritet të dalë para gjyqtarit Bib Ndreca për t’u njohur me masën e sigurisë “arrest me burg” dhënë në mungesë.(Shqiptarja.com)



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *