• |
ide | kryesore

ANALIZA/ Çfarë ndodh pas zgjedhjeve të 6 nëntorit në SHBA

F1, Planet

Në dy vjetët e fundit, politika e jashtme amerikane është turbulluar nga drejtimi i presidentit, Donald Trump, teksa ai ka vënë në dyshim aleancat dhe marrëdhëniet afatgjata të Uashingtonit.

Dhe e njëjta gjë pritet të ndodhë sërish, pasi demokratët, që kanë fituar dhomën e ulët të Kongresit, Dhomën e Përfaqësuesve, synojnë të rrisin ndikimin e tyre në politikën e brendshme dhe atë të jashtme.
Mirëpo, kur shqetësimet për politika të jashtme janë në rritje, atëherë dominant mbetet trupi ekzekutiv në SHBA, Shtëpia e Bardhë, e përcaktuar si e tillë sipas sistemit politik të këtij shteti.

Megjithatë, ligjvënësit kongresionalë kanë ndikimin më të madh në aspektin buxhetor, duke përfshirë financimin për luftë, diplomaci, operacione të inteligjencës dhe çështje tjera.

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve do të jenë në gjendje të përcaktojnë se për çfarë legjislacionesh do të diskutohet në këtë trup dhe ata do të kenë rol më të madh në shpenzimet buxhetore si dhe hartimin e legjislacionit.

Një gjë e tillë do t’iu mundësojë atyre qasje më të ashpër kundër Rusisë, Arabisë Saudite dhe vendeve tjera.

Mirëpo, triumfi i demokratëve në këtë Dhomë përballet me shumicën republikane në Senat, pasi zgjedhjet e 6 nëntorit vetëm u kanë rritur këtyre të fundit ndikimin në dhomën e lartë të Kongresit.

Tek e fundit, sipas studiuesit në Institutin Brookings dhe ish-korrespodentit për çështje të huaja Marvin Kalb, ky rezultat mund të përbëjë më shumë hutim dhe më pak koherencë për politikën e jashtme.

“Do të ketë më shumë diskutime, më shumë hetime dhe takime. Mirëpo sa më shumë që këto janë prezente, mundësitë janë më të pakta që të krijohet ndonjë kundërargument apo kundërstrategji që mund t’i prezantohet presidentit”, ka thënë ai.

David Wade, ish-shef i stafit të Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, ka thënë në një kolumnë të publikuar më parë, se demokratët duhet të kenë pikëpamjet e tyre kundrejt politikës së jashtme.

“Demokratët do të duhet të definojnë politikën e jashtme që do të përfshihet në aspekte të mprehta, pa harruar edhe artikulimin e një alternative ndaj Trumpizmit global, duke qëndruar në të njëjtën kohë në linjë me votuesit e Trumpit, që konsiderojnë se kanë mbetur mbrapa nga procesi i globalizimit”, ka thënë ai.

Ian Bond, i cili ka shërbyer si ambasador në Rusi, NATO dhe pozita tjera në Ministrinë e Jashtme britanike, ka thënë se zgjedhjet për Kongres po konsiderohen në Evropë si faktor se ku është duke u drejtuar Uashingtoni.

Ai ka thënë se personat në Londër dhe Bruksel, që besojnë në marrëdhëniet transaltantike në mes të Evropës dhe Amerikës Veriore, janë duke shpresuar që këto zgjedhje të rezultojnë me një Kongres që vlerëson aleatët evropianë të Amerikës dhe vendosë disa kufizime në kapacitetin e Trumpit për të dëmtuar ndonjë lidhje të kësaj natyre.
Më poshtë përmendim disa çështje të politikës së jashtme që mund të ndryshojnë ose jo në Kongresin e ri.

Rusia

Në kontrollin republikan, të dyja dhomat e Kongresit kanë qenë tejet të bashkuara lidhur me Rusinë dhe ngjarjet e vitit 2014, kur Moska ka vendosur të aneksojë Gadishullin e Krimesë dhe të nxisë separatizëm në lindje të Ukrainës.
Andaj, Ligji i vitit 2017 për të luftuar armiqtë e Amerikës përmes sanksioneve, është kaluar pothuajse në mënyrë unanime nga të gjitha anëtarët e Kongresit.

Mirëpo edhe tani kur Dhoma e Përfaqësuesve është nën kontrollin e demokratëve, ky bashkim duket se nuk do të ndryshojë.

Përfaqësuesi, Eliot Engel, një kritik i zëshëm i Kremlinit dhe mbrojtës i të drejtave të njeriut në Rusi, pritet të marrë drejtimin e Komitetit të kësaj dhome për Çështje të Jashtme.

Një tjetër kritik i Rusisë, Adam Smith, pritet të emërohet në pozitën e kryesuesit të Komitetit për Shërbime të Armatosura.
Pak para zgjedhjeve, Senati pothuajse pati humbur figurën kyçe të përpjekjeve të republikanëve dhe demokratëve për t’i bërë presion Moskës.

Bob Corker, kryesues i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie të Jashtme ka vendosur të pensionohet sesa të garojë sërish.
Si republikan i lartë në këtë Komitet, Jim Risch ka shumë mundësi të jetë pasardhësi i Corkerit, mirëpo ai nuk konsiderohet aq i ashpër krahas politikës ruse në krahasim me Corkerim apo krahasuar me republikanin tjetër që ka shprehur interesim për të udhëhequr këtë komitet, Marco Rubio.

Risch nuk njihet për sfidim të Shtëpisë së Bardhë, derisa Rubio ka garuar kundër Trumpit më 2016 dhe mund ta bëjë sërish të njëjtën gjë më 2020.

Senati po ashtu ka humbur edhe një prej zërave më autoritarë kundër Rusisë, John McCain, i cili ka vdekur në muajin gusht.

Si drejtues i Komitetit për Shërbime të Armatosura, ai ka ndihmuar në drejtimin e politikës amerikane, duke përfshirë edhe në Evropë, territor në të cilin Uashingtoni ka realizuar ngritje të ngadalshme të forcave dhe pajisjeve, në përgjigje kundër aktiviteteve të Rusisë në Ukrainë dhe vende tjera.
Andaj, me anëtarët e rinj në Kongres, Uashingtoni pritet të ketë pak ndryshim në qasjen kongresionale ndaj Ukrainës, e cila ka pasur përkrahjen e të dyja palëve, qoftë republikanëve apo demokratëve në dy vjetët e fundit.

Ka mundësi që demokratët në Dhomën që kryesojnë, të shtojnë fondet për më shumë furnizim të armëve për forcat e Ukrainës.

Irani

Qasja amerikane ndaj Iranit është “mprehur” pak kohë pasi Trump ka nisur udhëheqësinë. Shumë ligjvënës republikanë, duke përfshirë edhe ndihmësit më të afërt të Trumpit, kanë qenë thellësisht dyshues lidhur me qasjen e ish-presidentit amerikan, Barack Obama kundrejt Teheranit, duke përfshirë nënshkrimin e paktit bërthamor të vitit 2015.

Shumë demokratë kanë mbështetur marrëveshjen, sipas së cilës Iranit i kërkohet të heqë dorë nga programi bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Mirëpo, Trump ka rivendosur sanksionet e hequra pas largimit nga pakti, duke e ndëshkuar Teheranin për programin e raketave balistike dhe atë që e ka cilësuar si destabilizim të Lindjes së Mesme, me sanksionet amerikane “më të ashpra ndonjëherë”.

Prandaj pavarësisht pse demokratët kontrollojnë një dhomë të Senatit, autoritetin për vendosje të sanksioneve e ka Shtëpia e Bardhë, andaj Trump pritet të vazhdojë të ashpërsojë qasjen kundër Iranit.
Por, ajo çfarë mund të bëjnë demokratët është që të kërkojnë në dëshmi nën betim nga ndihmësit e Trumpit për të sqaruar arsyetimin që ka administrata Trump për vendimet që merr, sa i përket politikës që ka ndaj Iranit.

Në Kongres, Irani po ashtu është përfshirë në Ligjin për luftimin e armiqve përmes sanksioneve, dhe senatorët republikanë më me nam, përfshirë Tom Cotton, kanë përkrahur masa të tilla ndëshkuese.
Ndërkohë, senatorët republikanë si Rand Paul dhe Mike Lee, kanë qenë kundër masave të tilla.

Shtëpia e Bardhë dhe Arabia Saudite

Aleati më i ngushtë i Uashingtonit në Lindje të Mesme është Arabia Saudite, e cila blenë miliarda dollarë armë nga SHBA-ja, krijon stabilitet në tregjet botërore të naftës dhe zakonisht gjendet prapa konflikteve në Lindje të Mesme.

Mirëpo marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë tensionuar dukshëm pas vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, i cili është njohur si kritik i princit saudit, Mohammed bin Salman.
Kashoggi, i cili ka banuar ligjshëm në Shtetet e Bashkuara, supozohet se është vrarë nga një ekip i veçantë i agjentëve sauditë që kanë hyrë në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor.
Aktualisht Trump është duke u përballur me presion për të marrë hapa kundër Riadit. Muajin e kaluar, 20 senatorë, demokratë dhe republikanë, kanë nënshkruar një letër në Shtëpinë e Bardhë duke kërkuar që të vendosen sanksione kundër zyrtarëve sauditë të lidhur me vrasjen e Khashoggit, sipas legjislacionit të njohuri si Akti Magnitsky.

Sa i përket pjesës tjetër të politikës së jashtme të SHBA-në nën presidencën e Trumpit, marrëdhëniet me Mbretërinë Saudite janë menaxhuar kryesisht nga dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, i cili ka krijuar marrëdhënie të ngushta me liderët sauditë.

Në të njëjtën kohë, lufta civile në Jemenin fqinj, vend në të cilin aeroplanët luftarakë amerikanë përdorën nga forcat ajrore saudite për të sulmuar rebelët huthi të përkrahur nga Jemeni, është duke u kthyer në katastrofë humanitare.

Një numër në rritje i ligjvënësve ka folur për frenimin e operacioneve të udhëhequra nga sauditët, përfshirë Engel, që pritet të jetë në krye të Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Çështje të Jashtme.
Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë të demokratëve mund të bëjë gjëra të panumërta për të ndëshkuar Riadin, duke përfshirë bllokimin e shitjes së armëve apo edhe përpjekjet e sauditëve për të arritur ndonjë pakt për energji me Shtetet e Bashkuara, diçka që është diskutuar vazhdimisht nga administrata.

Mirëpo duket se administrata e Trumpit veçse ka filluar të ndryshojë qasje ndaj luftës në Jemen, pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis u kanë bërë thirrje pjesëmarrësve në luftën në Jemen që të pajtohen për të arritur armëpushim.

Faktori Mueller

Hetimet e Këshilltarit Special, Robert Mueller lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, dhe komunikimet në mes të ndihmësve të Trumpit dhe zyrtarëve rusë, përbëjnë hijen më të zezë mbi administratën e Trumpit.

Mueller ka marrë përsipër një hetim të FBI-së që ka nisur disa muaj para zgjedhjeve të vitit 2016, dhe përpjekjet e tij të vazhdueshme kanë zemëruar Trumpin.
Ekipi i Muellerit deri më tani ka arritur të sigurojë shtatë deklarata, ku të dyshuarit janë shpallur vetë fajtorë dhe ka ngritur padi kundër 26 individëve dhe tri kompanive ruse.

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë treguar pak vullnet për të mbështetur hetimet e Muellerit. Disa prej tyre kanë thënë se ekipi i Muellerit është paragjykues ndaj Trumpit, sepse disa prej tyre mund të kenë dhënë donacione për kandidatët politikë në të kaluarën.

Nën udhëheqjen e Mike Conaëay, Komiteti të kësaj dhome për Inteligjencë, ka ardhur në përfundim se nuk ka pasur “bashkëpunim” në mes të fushatës së Trumpit dhe zyrtarëve rusë.
Demokratët në panel patën bojkotuar atë kohë të gjeturat.
Mirëpo një gjë e tillë do të ndryshojë menjëherë pasi demokratët të marrin udhëheqësinë e këtij trupi.

Përfaqësuesi Adam Schiff pritet të udhëheqë këtë komitet dhe demokratët tjerë të kësaj dhome, pa përmendur votuesit e tyre, do të shtyjnë përpara kërkesën për hetime të thukëta, andaj ai do të jetë nën presion për të nisur thirrjet për dëshmi dhe dokumente tjera.

Sa i përket Senatit, Komiteti i Inteligjencës ka qenë më i zellshëm, pasi udhëheqësi republikan, Richard Burr dhe demokrati, Mark Warner, kanë krijuar marrëdhënie kolegiale.

Warner pritet të marrë kontrollin e këtij paneli, ndërsa prezenca e Burr mund të mos jetë më aty.
Pavarësisht të gjithave, testi i parë për gatishmërinë e demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe republikanëve të Senatit për të kundërshtuar Trumpin, pritet të kuptohet brenda javësh.

Trump dha shenja se planifikonte të largonte apo shkarkonte Prokurorin e Përgjithshëm, Jeff Sessions, i cili ka zemëruar Trumpin kur ka shpëtuar veten nga hetimet e Muellerit.

Tashmë që Sessions është larguar nga zyra, fati i zëvendësit të tij, Rod Rosenstein, i cili ka autoritet lidhur me hetimet e Muellerit, po ashtu do të jetë në pikëpyetje.

Andaj nëse Trumpi kërkon të shkarkojë atë apo t’i bëjë presion Muellerit, demokratët mund të pritet që të nisin procedura për votëbesim kundër Trumpit./REL

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu