• |
ide | kryesore

Mogherini: Marrëveshja Kosovë-Serbi, nuk guxon të çojë në ndarje…

Lajme, Të fundit



Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha të hënën se çfarëdo marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve që mund të arrijnë Kosovë dhe Serbia, përfshirë edhe korrigjimin e mundshëm të kufijve, nuk guxon të mbështetet në linja etnike.

Ajo i bëri këto komente pas takimit të shefave të diplomacive të vendeve të Bashkimit Evropian, të cilët pos tjerash diskutuan edhe për zhvillimet në Ballkanin Perëndimorë përfshirë edhe bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat aktualisht kanë ngecur.

Zonja Mogherini tha se bisedimet janë në “vështirësi”, duke vënë theksin tek tarifat prej 100 për qind që qeveria e Kosovës u ka vënë mallrave nga Serbia dhe Bosnja, një veprim që nxiti reagimin e Beogradit i cili kushtëzoi vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave.

Ajo sërish i bëri thirrje Prishtinës që të heqë tarifat, ndërsa shfaqi besimin se ende është e mundur të arrihet një marrëveshje “ligjore gjithëpërfshirëse” për normalizimin e marrëdhënieve. Ajo marrëveshja tha ajo, do të duhej të përfshinte të gjitha çështjet e hapura.

Zonja Mogherini tha se për Bashkimin Evropian është me rëndësi që ajo marrëveshje të respektojë të parimet e së drejtës ndërkombëtare.

“Më lejoni të them qartazi. Jo ndarje në vija etnike. Që të jem edhe më e qartë, çfarëdo ‘korrigjimesh’ që të dyja palët mund të diskutojnë në të ardhmen, marrëveshja nuk duhet të përfundojë me krijimin e shteteve etnikisht të pastra. Në çdo rast, të dyja vendet duhet të jenë shumetnike”, tha ajo, duke nënvizuar se u takon palëve që të përcaktojnë se çfarë do të jetë zgjidhja përfundimtare.

Gjatë verës presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kërkuan mbështetje ndërkombëtare për një marrëveshje që do të mund të prekte edhe kufijtë ndërmjet të dyja vendeve.

Presidenti Thaçi, hodhi idenë “korrigjimit të kufirit” që sipas tij, nënkuptonte bashkimin e Luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë me Kosovën.

Presidenti Vuçiç, hodhi idenë e ‘vënies së kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, që nënkupton ndarjen e Kosovës asisoj që veriu i saj më shumicë serbe t’i takojë Serbisë.

Idetë e tyre nxiten reagime në Kosovë dhe Serbi por edhe skenën ndërkombëtare, ndërmjet atyre që do të mbështesnin mundësinë e prekjes së kufijve nëse palët pajtohen dhe atyre që pohojnë se kjo do të shkaktonte reagime zinxhirore në Ballkan.

Presidenti serb tha kohëve të fundit se ideja e tij ka rënë poshtë meqë “opinioni serb nuk e mbështeti atë”.

Presidenti Thaçi në një intervistë pëe Zërin e Amerikës në fund të nëntorit tha se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, që do të çonte në një njohje të ndërsjellë të të dy shteteve si vende sovrane, nuk mund të arrihet pa definimin e kufirit me Serbinë.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve që është kusht për integrimin e të dyja palëve në Bashkimin Evropian.

Por, Kosova vazhdon të jetë e fundit në proceset integruese dhe vendi i vetëm në rajon që nuk është përfshitë në regjimin e udhëtimit pa viza.

Serbia ndërkaq hapi të hënën edhe dy nga 35 kapitujt e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të cilat ju hapën asaj si kundërshpërblim për angazhimin në bisedimet me Kosovën, e cila ndërkaq ka një marrëveshje për stabilizim asociim me Bashkimin Evropian./VOA/



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *