• |
ide | kryesore

Pse Kosova nuk duhet ta heqë taksën me Serbinë

Arkiva, Blog

Parimisht jam i prirë të besoj që e vërteta gjendet në anën e pakicës më shumë, sesa në anën e shumicës. E kjo rregull më duket edhe më e saktë kur bëhet fjalë për shqiptarët, e posaçërisht më duket e saktë kur bëhet fjalë për politikanët.

Prandaj, por jo vetëm për këtë arsye, duke e parë se si po thyhet krejt klasa politike në vend lidhur me taksën, po të detyrohesha të rreshtohesha në mënyrë të verbër në njërin apo në tjetrin kamp, atëherë sigurisht që nuk do të shkoja në kampin e Edi Ramës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Shpend Ahmetit, Fatmir Limajt dhe disa kriptombështetësve të tyre nga LDK-ja.

 Sigurisht që kjo nuk është arsyeja kryesore, përse unë mendoj që Kosova, Qeveria e Kosovës, duhet të vazhdojë të mbajë taksën ndaj Serbisë me çdo kusht. Arsyeja kryesore është që unë mendoj që çmimi që Kosova mund ta paguajë tash për mosheqjen e taksës është pakrahasimisht më i vogël sesa çmimi që do ta paguajmë në fund të procesit, kur ne do ta kemi hequr taksën e do të jemi ulur në tavolinën mëkatare të dialogut.

Duhet të jemi të marrë që tashmë të mos e dimë që “marrëveshja finale” është arritur, ajo po pret të na përplaset për fytyre në momentin e parë që Thaçi dhe Vuçiq bëjnë kinse po rikthehen në dialog. Se kjo është kështu, mjafton që t’i lexojmë letrat e presidentit Trump. Asnjë president – madje as Trump-i – nuk do të futej në këtë proces, duke mos pasur paraprakisht njohuri se deri ku kanë arritur palët me marrëveshje. Mjafton që ta shohim edhe entuziazmin e Thaçit dhe tifozëve të tij për këtë problem.

Prandaj, duke i ditur të gjitha këto, duke e ditur etjen e administratës së Trump-it për të zgjidhur, me çdo kusht, ose për të provuar për të zgjidhur, ndonjë krizë botërore, nuk ka asnjë dilemë që pas heqjes së taksës gjërat vetëm do të përkeqësohen, e nuk do të përmirësohen. Nëse tash për taksën presioni i nivelit të dytë të diplomatëve amerikanë është kaq agresiv, vetëm mund ta imagjinojmë se çfarë presioni do të përjetojmë kur të “arrihet marrëveshja historike” Thaçi – Vuçiq.

Kushdo që thotë tash se “nuk ia vlen t’i prishim raportet me Amerikën për shkak të taksës” këtë analizë qesharake duhet ta thellojë veç edhe pak më shumë dhe duhet ta shtrojë në formë të pyetjes: A do të duhet t’i prishim raportet me Amerikën nëse na imponohet një plan i ndarjes së Kosovës? Për marrëveshjen finale, ose historike, ose quajeni me çfarëdo termash zbukurues, nuk do të flasin më këshilltarët dhe ndihmësasistentët, por do të flasin Trump-i dhe Bolton-i. Nuk do të flitet në Prishtinë, por do të flitet në Washington.

Për fatin tonë të keq, ne kurrë nuk kemi qenë në pozita më të dobëta, në arenën ndërkombëtare. Aleatët tanë kryesorë, si SHBA, Britani e Madhe dhe Gjermani, tash nuk janë më aq aleat sa kanë qenë në të kaluarën. Lidhjet e tyre janë dobësuar, për të mos thënë janë gati të këputen. Prej kur Trump-i është president i SHBA-së, Gjermania dhe Britania e Madhe nuk janë pajtuar me të për asnjë problem ndërkombëtar. Bie fjala, sot e kësaj dite Bashkimi Evropian + Britania e Madhe edhe më tutje e nderojnë një marrëveshje të arritur me Iranin, në kohën e presidentit Obama, kurse Trump ka ikur prej saj. Ngjashëm ka ndodhur edhe me Ambasadën e Izraelit në Jerusalem, ngjashëm ka ndodhur edhe me idenë e tërheqjes pa paralajmërim të trupave amerikane nga Siria. Ngjashëm do të ndodhë edhe në Kosovë.

Kështu si po rrjedhin gjërat, Thaçi dhe Vuçiq do të pajtohen për një marrëveshje për një këmbim të territoreve, në favor të Serbisë. Kjo marrëveshje do të mbështetet nga administrata Trump, por nuk do të mbështetet nga fuqitë kryesore evropiane, si Gjermania dhe Britania e Madhe. Kjo marrëveshje, e cila do të quhet nga Thaçi dhe mbështetësit e tij, si më e mira e mundshmja, nuk do të mbështetet as nga qytetarët e Kosovës. E njëjta, duke u nisur nga ajo çfarë kishte ndodhur me marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, do ta çojë vendin drejt përplasjeve dhe konfliktit të brendshëm.

Prandaj Ramush Haradinaj – ndoshta për të gjitha arsyet e gabueshme – ka të drejtë kur thotë që më mirë të heqim keq tash, sesa të kemi pasoja për Kosovën me një marrëveshje të dëmshme. Kurse, nga akterët e tjerë politikë, të përfshirë në këtë proces, të vetmin që duhet ta marrim seriozisht, jo për të mirë, por për të keq, është presidenti Thaçi. Ky e di saktësisht se çfarë po kërkon. Thaçi është brenda agjendës së tij, për të marrë vëmendje ndërkombëtare, pa marrë parasysh se çfarë çmimi do të paguajë Kosova. Të tjerët akterë politikë në këtë proces, ose kanë dhënë dorëheqje prej tij, siç është rasti me Vetëvendosjen, ose janë shndërruar në lolo politike, siç është rasti me Veselin, Limajn dhe Ahmetin. Kurse qëndrimet e LDK-së variojnë varësisht se në çfarë ore të natës Isa Mustafa i pret në shtëpi raportuesit institucionalë.

3 Comments

  1. Dje ne nje interviste te TVK kryeminisri Haredinaj u tregua ne lartesine e nje burre shteti te madh. Nje patriot qe duhet mbeshtetur nga te gjithe shqiptaret.

  2. OK Buzhala, po thu mire:
    sigurisht që nuk do të shkoja në kampin e Edi Ramës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Shpend Ahmetit, Fatmir Limajt dhe kriptombështetësve nga LDK-ja.

    Sigurisht që çmimi që Kosova mund ta paguajë tash për mosheqjen e taksës është pakrahasimisht më i vogël sesa çmimi që do ta paguajmë në fund të procesit,
    Kur do ta kemi hequr taksën
    e do të jemi ulur në tavolinën mëkatare të dialogut.
    SIGURISHT DO ISHTE Jo vetem të marrë që tashmë të mos e dimë që “marrëveshja finale”
    po pret të na përplaset për fytyre…

    Ama, Buzhal,
    Ska per me ndodh
    sa te jete gjalle edhe I fundit I 10miljonshit shqiptar
    e ne balle Burreshtetsat Haradinaj e Kurti e te tjeret, qe na prin gjaku I Jasharve ne balle e varg te tjeret…

    Ska si ndodh kjo, Buzhala.

    Asnji qime troll shqiptar
    Nuk PREK
    dot serbi, greku, rusi…. a dreqi mallku qofte!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu