• |
ide | kryesore

FSHF, duhet të ndodhë tragjedia që të vendosësh veton?

F1, Sport



Ishte në ajër prej javësh, madje shenjat ishin dhënë, por në Kamëz dhuna goditi fort dhe jo në shkallët e stadiumit, por në kuadratin e fushës së lojës, ku agresioni nga ana e disa tifozëve mbi arbitrin e ndeshjes mes Kamzës dhe Lacit, Eldorjan Hamiti, imazhe që kanë njollosur futbollin, kampionatin dhe eksperimentin për të ruajtur rendin pa policinë e shtetit. Regimi i Federatës Shqiptare të Futbollit, ka qenë ai i zakonshmi, duke drejtuar gishtin drejt një fajtori që është gjithkush përvec tyre, duke harruar se janë pikërisht ata që vendosin rregullat e lojës dhe kanë në dorë të bëjnë topin të rrotullohet ose jo.

Institucioni që drejton futbollin ka shigjetuar gjithashtu policinë për moskryerje të detyrës, duke kujtuar nenin që e detyron ta bëjë: “Ruajtja e rendit dhe sigurisë publike në mjediset sportive është detyrë institucionale e organeve të Policisë së Shtetit, detyrë e cila siç u evidentua edhe në ngjarjen e sotme vazhdon të mos kryhet” shkruhet në komunikatë. Sa mirë që nenin FSHF e di, por zotërinj që drejtoni futbollin, cfarë prisni të ndërhyni për të vënë në vijë kampionatin? Tifozët u rrahën që në javën e parë, shkallët e stadiumeve u bënë shesh trazirash, asistentë u goditën, fillimisht nga shkallët e stadiumit, përpara se agresorët të kuptonin se mund të shtyheshin edhe më shumë: të zbrisnin në fushë.

E bënë përpara derbit, një javë më parë dhe sulmuan një zyrtar të klubit, i licensuar në FSHF. Fotografi i Flamurtarit u bë pre e disa personave që pa policinë pranë treguan sa burra ishin, duke sulmuar njeriun që kryente punën e tij. E tani situata u agravua edhe më shumë, duke rrahur një gjyqtar në mes të ditës, vetëm sepse vendimi i tij, i drejtë ose jo, nuk ishte në favor të vendasve që drejtësinë u munduan ta bëjnë si në FAR WEST.

Konferenca e sektretarit të përgjithshëm të FSHF-së Ilir Shulku u paramendua, nga ata që ende besojnë se gjërat mund të funksionojnë si duhet, se do të proklamonte vendimin të ndërpritej kampionati. Por jo, duhet të zhgenjëhen sërisht, ishte vetëm refreni i ditur se duhet rishikuar vendimi për të larguar Policinë nga stadiumet. Goditjet ndodhën, rrahjet gjithashtu…cfarë presim të ndodhë që të marrim vendimin e duhur?



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *