• |
ide | kryesore

Hetimet/ U paguan 30 mijë euro për vrasjen e Jurgen Kurtit

Lajme, Të fundit


Pak ditë pas ngjarjes që tronditi Tiranën, Policia e Shtetit ka arritur të zbardhë vrasjen e Jurgen Kurtit, duke vënë në pranga 3 persona, si dhe ka shpallur në kërkim një të katërt.

Emrat e të arrestuarve janë Elsi Levendi lindur në Athinë/Greqi dhe banues në Tiranë, Olsi Qalliaj 22 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Patos dhe Alesio Berberi 33 vjeç lindur në Patos dhe baunes në Patos, Fier. Identiteti i personit tjetër nuk bëhet me dije për arsye hetimi.

Katër personat e përfshirë në vrasjen e Jurgen Kurtit janë miq me njëri-tjetrin. Tre të arrestuarit kanë thënë se nuk kanë pasur njohje më herët me viktimën. Ata janë arrestuar duke udhëtuar me makinë pasditen e djeshme.

Në polici ata nuk kanë pranuar akuzat dhe nuk kanë dhënë detaje. Te rinjtë e kanë ndjekur për disa ditë Jurgen Kurtin dhe janë kapur nga kamerat e sigurisë duke udhëtuar me mjetin “Benz” që u përdor edhe ditën e vrasjes.

Dëshmitë e dëshmitarëve okularë, kamerat, si edhe informacionet policore kanë çuar në gjurmët e të arrestuarve. Policia e Tiranës nuk ka ende një motiv për këtë ngjarje, ndërsa të arrestuarit rezultojnë të papunë dhe dyshimet shtohen se ata mund të jenë të përfshirë në shpërndarje të lëndëve narkotike.

Nga ana tjetër një pistë e cila mund të qëndrojë është fakti se vrasja mund të jetë kryer edhe me pagesë, por këto janë thjesht dyshime paraprake pasi ende nuk ka një version zyrtar. Burime nga grupi hetimor për ngjarjen thonë se ka dyshime që për vrasjen e Jurgen Kurtit të jenë paguar rreth 30 mijë euro.

Një prej të arrestuarve si i dyshuar në vrasjen e menaxherit të VIP-ave është Olsi Qalliaj nga Patosi. Po t’i hedhësh një sy rrjeteve sociale të tij të bie në bie në sy jeta e luksit që bën djaloshi.

Edhe pse vetëm 22 vjeç, ai bën udhëtime nëpër Europë, ka veshje firmato si dhe nget makina të shtrenjta, por edhe një jaht.

Policia deklaroi më herët se gjatë kontrollit fizik dhe në banesat e këtyre shtetasve, gjeti dhe sekuestroi një automjet që u ka shërbyer autorëve për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, si dhe dy makina të tjera luksoze.

Gjithshtu u gjet dhe një armë zjarri “Pistoletë TT”, fishekë luftarak, një sasi prej 2470 Euro e lekë shqiptare, 13 aparate celular, si dhe një sasi e vogël lënde narkotike.

©LAPSI.al 


1 Comment

  1. Kapi mbaji ca kohe brenda kot se kan makina dhe jaht. Rrezik skan lidhje hic vetem per show. Bejne vrasje nmes tirones dhe rrine ne nje makine te tre nji jave mbrapa!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *