• |
ide | kryesore

Vuçiç paralajmëron arrestime në Kosovë: Mitrovica do mbetet e pambrojtur

Lajme, Të fundit



Serbia ka paralajmëruar arrestimin e dhjetëra policëve dhe shtetasve serbë nga autoritetet e Kosovës. Sipas presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, operacioni i planifikuar pa baza ligjore do të vijë një ditë pas zgjedhjeve që do të mbahen këtë fundjavë në komunat e Mitrovicës Veriore. Synimi politik mbetet nënshtrimi i popullatës serbe.

Serbia po i pret me trazira zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen të dielën në disa komuna serbe të Mitrovicës Veriore.

Presidenti Aleksandër Vuçiç deklaroi për televizionin vendës shtetëror, RTS, se ka marrë informacione për arrestimin e pjesëtarëve të komunitetit serb në vend, mes tyre edhe agjentë të policisë.

“Të hënën pritet të arrestojnë 26 policë nga veriu i Kosovës dhe 15 shtetas të tjerë me pretekstin e pjesëmarrjes në afera korruptive dhe pretendime të tjera të pabaza. Kjo bëhet me qëllim që Mitrovica të mbetet e pambrojtur dhe që ndaj popullit tonë të kryejnë gjërat më të ndyra.”,  deklaroi Vuçiç.

Presidenti Vuçiç tha se Serbia i ka kuptuar synimet e Kosovës për ta vënë të gjithë veriun nën kontrollin e vet, ndërsa paralajmëroi se përgjigjja do të vijë e përmbajtur por në mbrojtje të popullit serb.

Duke komentuar rezolutën që Prishtina miratoi një ditë më parë për gjenocidin dhe krimet e ish-regjimit serb në vitet 98-99, Vuçiç tha se disa kombe të Ballkanit e kanë të vështirë të shohin nga e ardhmja.

“Kanë urrejtje për popullin serb, edhe pse gjithmonë thonë se janë vetëm kundër individëve që kryen krime kundër popullit të tyre. Por kur mbetesh vetëm te një stad i caktuar çmendurie dhe verbërie politike, nuk del asgjëkund.”, tha Vuçiç.

Vuçiç shtoi se Kosova me rezolutën e fundit për gjenocidin serb tregoi se nuk do që të mbyllë rrethin vicioz që vazhdon t’i mbajë dy palët larg pajtimit të mundshëm.

Kreu i shtetit serb tha se mbetet i gatshëm t’i drejtohet parlamentit vendës për zgjidhjen e konfliktit të ngrirë me Prishtinën, megjithëse në një referendum populli serb do të ishte kundër propozimit të tij.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *