• |
ide | kryesore

Vllaznia nis stërvitjen; klubi në garë me kohën për liçensimin

Sport



Vigjilja e cuditshme e Superiores me aq shumë probleme e paqartësira, deri edhe me listën e skuadrave që do të prezantohen në javën e parë të kampionatit për sezonin 2019-20 të paktën ka shërbyer për të shkundur Vllazninë nga letargjia. Vështirësitë financiare dhe organizative, nuk e kanë penguar formacionin shkodran të zbresë më në fund në fushë. Në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi”, është bërë prezantimi i teknikut Mirsad Jonuz, me lojtarët, nën kujdesin e administratorit Suad Lici. “Është hera e para që unë punoj në Shqipëri. Mendoj se gjithçka do të jetë mirë – tha maqedonasi -. Këto 10 ditë do të jenë shumë të rëndësishme për klubin tonë e më pas do të vijojmë fazën përgatitore në Ohër”.

Një prezantim i thjeshtë, mënyrë njohje me skuadrën edhe pse ish-tekniku i kombëtares maqedonase ka treguar njohje për lojtarët dhe ka treguar indikacione merkato: “Kam informacion për të gjithë lojtarët. Gjatë këtyre 10 ditëve do të mundohemi që të gjejmë edhe lojtarë të rinj. Nuk do të jenë të shumtë të numër por unë do të thoja që 4 apo 5 të tillë do të afrohen pranë skuadrës. Jemi në komunikim edhe me drejtorin sportiv dhe administratorin që të flasin me këto lojtarë dhe të vazhdojmë tratativat me ta. Unë mendoj se të bëjmë një Vllazni të fortë. Do të jenë nga Maqedonia por edhe nga vendet e tjera.”

Tek Vllaznia kanë lënë sic duket cdo gjë në duart e teknikut maqedonas, sepse lëvizjet po bëhen me bekimin e tij, madje në këtë rast nuk do të jetë e nevojshme as prova. Ndoshta kjo mënyrë do ti japë dorë në shpejtësi, sepse po flasim për njohje të vjetra të Jonuz: “Nuk kanë nevojë për provë, sepse i njoh mirë dhe besoj tek ta, ndërkohë që do të jetë e nevojshme vetëm kontrolli në aspektin fizik”, përfundoi Jonuz, që ka prekur edhe cështjen e lojtarëve me kontratë të përfunduar, me të cilët po bisedohet për të rigjetur akordin e për të vazhdua bashkëpunimin. E gjitha kjo nuk e heq vëmendjen nga 31 korriku dhe afati i fundit për licensimin. Në Shkodër pretendojnë për një marrëveshje, por në FSHF deri tani, një javë nga deadline nuk ka asnjë dokument të depozituar dhe gara me kohën vazhdon…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *